E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia Popullore Europiane dënon bojkotin e KQZ nga PS

17-04-2013 / Gazeta 55

Presidenti i PPE, Martens: Mbështesim fuqishëm Sali Berishën – të bindur në fitoren e PD në 23 qershor

Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Wilfried Martens dënon bojkotin e Komisionit Qendror të zgjedhjeve nga anëtarët socialistë, dhe shpreh mbështetjen për Partinë Demokratike dhe kryeministrin Berisha. “Kam ndjekur nga afër zhvillimet më të fundit në Shqipëri që nga largimi i partnerit të vogël të majtë të koalicionit LSI për tu bashkuar me opozitën. Në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme të qershorit, KQZ duhet të reflektojë koalicionin qeverisës”, ka nënvizuar presidenti i PPE.
Presidenti Martens i mëshoi faktit se ruajtja e ekuilibrave brenda KQZ-së, i cili u përcaktua nga marrëveshjet ndërpartiake dhe nga ligjet për zgjedhjet nën ndërmjetësimin e OSBE dhe OSBE/ODIHR dhe që janë implementuar dhe konsoliduar që nga viti 2004 e deri tani, është e një rëndësie të veçantë.
“Çdo përpjekje për të modifikuar ekuilibrin për të cilin është rënë dakord -  katër anëtarë të KQZ të nominohen nga qeveria dhe tre nga opozita – është një përpjekje për të destabilizuar të gjithë sistemin elektoral dy muaj para zgjedhjeve. Në këto rrethana, dorëheqja e anëtarëve socialistë të KQZ-së është e papranueshme. Nuk është nevoja të them që PPE mbështet fuqishëm Kryeministrin Sali Berisha dhe Partinë Demokratike, si dhe është e bindur që zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë një hap i rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian”, deklaroi Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Wilfried Martens.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›