Imami në Tropojë: Problem transporti i ushqimeve dhe medikamenteve

Ministri i mbrotjes Arben Imami dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshi panë nga afër gjendjen në Tropojë dhe në Komunën Margegaj. Pothuajse të gjitha komunat e Tropojës janë të izoluara, ku trashësia e dëborë ka arritur deri në 3 m. Imami tha se problematike në këtë zonë mbetet transporti i ndihmave ushqimore dhe medikamenteve mjekësore. Kjo pasi transporti i tyre me rrugë tokësore ka qenë i pamundur, ndërsa transporti nga ajri është paraqitur me mjaft vështirësi si pasojë e kushteve të këqija atmosferike që kanë vijuar edhe përgjatë ditëve të fundit.
Për të përballuar këtë situatë të vështirë, mjetet e FA, si borëpastrueset, traktorët janë shpërndarë në të gjithë qarkun e Kukësit, ashtu sikurse edhe në të gjithë zonat e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore. Sipas kolonelmajor Gjiknushit jane 800 forca në gatishmëri të lartë dhe 200 mjete të tjera mbështetëse, të cilat do të ndërhyjnë në çdo kohë po të jetë nevoja.