Imami pret Nishanin për ndryshimet, i gradon gjeneralë dhe ndryshon me ta kupolën e FA
(E PERDITESUAR)- Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, një nga emrat më të përfolur ditët e fundit për implikim në veprimtari të paligjshme dhe afera korruptive, ka ndryshuar kupolën e forcave të armatosura, me bekimin e presidentit të ri, Bujar Nishani.
Imami duket se ka pritur ardhjen e presidentit të ri për të realizuar këto ndryshime, ndërkohë që Nishani mesa duket nuk po ndalet në misionin e tij për të ndryshuar çdo strukturë e institucion në vend në favor të orekseve të mazhorancës.
Imami ndërmori një veprim antiligjor kur vendosi në krye të Forcës Detare Ferdinand Kreshpanin, duke shmangur dekretimin e presidentit të asaj kohe, Bamir Topi.
Imami u tërhoq për momentin duke pritur ardhjen e Nishanit. Ministri i Mbrojtjes ka vendosur të njëkohësisht të bëjë gradimet, por edhe të japë detyrat e larta për funksionarët e përzgjedhur prej tij.
Kështu dy gjeneralë brigade janë bërë gjeneralë majorë, kurse tre kolonelë janë bërë gjeneralë brigadë.
Përkatësisht, Zyber Dushku nga Gjeneral Brigade u bë Gjeneral Major dhe u emërua Komandant i Forcës Tokësore.
Viktor Berdo u bë po ashtu Gjeneral Major nga Gjeneral Brigade dhe u emërua Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura
Bardhyl Hoxha nga Kolonel u bë Gjeneral Brigade dhe u emërua Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Kurse Qemal Sjkurti, nga shef i kabinetit i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura u emërua Komandant i Forcës Detare, duke marrë titullin Gjeneral Brigade nga Kolonel që e mbante më parë.
Nga detyra është liruar Agim Lala, i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, por i gjetur si i pafajshëm. Ai ishte komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes
EMERIMET
-Gjeneral Brigade Zyber Fasli DUSHKU, me detyrë Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, i jepet grada madhore Gjeneral Major.
-Gjeneral Major Zyber Fasli DUSHKU, lirohet nga detyra e Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe emërohet Komandant i Forcës Tokësore.
-Gjeneral Brigade Viktor BERDO, me detyrë Komandant i Komandës së Forcës Tokësore, i jepet grada madhore Gjeneral Major.
-Gjeneral Major Viktor Daut BERDO, lirohet nga detyra e Komandantit të Forcës Tokësore dhe emërohet Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
-Kolonel Bardhyl Veli HOXHA, me detyrë Komandant i Brigadës Logjistike, i jepet grada madhore Gjeneral Brigade.
-Gjeneral Brigade Bardhyl Veli HOXHA, emërohet Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
-Kolonel Qemal Demçe SHKURTI, me detyrë Shef i Kabinetit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, i jepet grada madhore Gjeneral Brigade.
-Gjeneral Brigade Qemal Demçe SHKURTI, emërohet Komandant i Forcës Detare.
-Kolonel Syrja Selim GJOKA, me detyrë Komandant i Batalionit të Policisë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, i jepet grada madhore Gjeneral Brigade.
-Gjeneral Brigade Syrja Selim GJOKA, emërohet Komandant i Brigadës Logjistike.
-Kolonel Jeronim Rasim BAZO, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit të Mbrojtjes, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, i jepet grada madhore Gjeneral Brigade.
-Gjeneral Brigade Agim LALA, lirohet nga detyra e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes dhe del në lirim.
