E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Rama, takim kokë më kokë në Tetovë

Përpos homazheve për liderin e PDSH-së, Arbën Xhaferi, dje Tetova i rezervoi edhe një bisedë të gjatë kryesocialistit Edi Rama dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta. Të ulur rreth një tavoline vezake të madhe në hotel Lirak në Tetovë, fillimisht Meta e Rama ishin nën shoqërinë e një numri të madh politikanësh shqiptarë të PDSH-së.

Megjithëse në një tavolinë me 10 veta të tjera, Meta e Rama kanë qenë përkrah njëri- tjetrit gjatë gjithë kohës dhe jo të heshtur. Qëndrimi në të njëjtën tavolinë ka zgjatur rreth 1 orë e 3 minuta e nëse në gjysmën prej tyre ata ishin të shoqëruar, në gjysmën tjetër biseda ka qenë pothuaj kokë më kokë. Ndërsa restoranti i hotel Lirak gjendej krejt i boshatisur, në një tavolinë më tutje gjendeshin vetëm punonjësit e zyrës së shtypit të Partisë Socialiste, të cilët u kujdesën gjatë gjithë kohës që të mos na lejonin të fotografonim takimin.

Mes debateve me punonjësit e zyrës së shtypit që ngulmonin të thoshin se ata nuk duan t’iu bëni foto, mundëm të shkëpusim disa syresh që tregojnë Ramën dhe Metën përkrah. Biseda mes tyre duhet të ketë qenë vërtet interesante, nëse kemi parasysh se ata morën pjesë vetëm në homazhe dhe jo në ceremoninë e mbajtur tek varrezat.

Gjatë kohës, që kryhej varrimi i Arbën Xhaferrit, Rama dhe Meta kanë qenë në restorantin e hotel Lirak, pothuajse vetëm. Herë pas here me ta ulej edhe një mik i Arbën Xhaferrit, Miftar Nasufi. Kjo kohë bisedimi mes tyre, pa praninë e te tjerëve mund të ketë zgjatur 40 minuta. Ata dolën së bashku nga restoranti i Lirakut, dhe secili syresh mori makinën e tij dhe shkuan në të njëjtin drejtim. Por, asnjëri prej tyre nuk shkuan tek varrezat, ndaj mendohet se ose kanë shkruar në një kafe ku mund të bisedonin pa praninë e gazetarëve, ose mund të jenë nisur drejt Tiranës. (BW/INA)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›