E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllai i Arbën Xhaferit: Do kisha dashur që Berisha dhe Nishani të ishin prezent në ceremoninë mortore

Fatmir Xhaferi, vëllai i të ndjerit Arbën Xhaferi, në një intervistë në Panorama ka shprehur keqardhje për mungesën e politikanëve kryesorë në homazhet e fundit të të vëllait. Çështë e vërteta i kam pritur që sot të ishin këtu. Mungesa e Kryeministrit mund të arsyetohet për shkak të angazhimeve. Megjithatë, Kryeministri dhe Presidenti i Shqipërisë mund të kenë protokollin e tyre dhe nuk mund ta gjykojmë këtë mungesë. Por unë do të kisha dashur që ata të ishin prezent sot, në përcjelljen e Arbën Xhaferrit.

Krahas krerëve shqiptarë në ceremoni kanë munguar edhe përfaqësues qeveritarë të Kosovës. Gjithashtu nuk kanë marrë pjesë në homazhe as Kryeministri dhe Presidenti i Maqedonisë.

Tetova dje ka qenë e mbipopulluar, ku qindra shqiptarë nga të gjitha trevat i kanë dhënë lamtumirën e fundit Arbën Xhaferrit.

Në ceremoni dje ishin të pranishëm kreu i PS-së, Edi Rama, kreu i LSI-së, Ilir Meta, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, deputeti socialist Pandeli Majko. Gjithashtu i pranishëm ka qenë kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti së bashku me deputetë të kësaj partie. Ra në sy mungesa e kundërshtarit të tij politik, Ali Ahmeti.

Lideri politik Arbën Xhaferri ka lënë pasardhës dy fëmijë, Vlorën dhe Ilirin. Jeta e tij ishte ndërtuar mes Tetovës dhe Prishtinës. Në Prishtinë kishte familjen, ndërsa në Tetovë ndërtoi jetën e tij shoqërore dhe politike. 7 gushti ishte dita e fundit ku kreu i PDSH-së punoi deri vonë në selinë e kësaj partie. Rreth orës 20:00 të asaj mbrëmje Xhaferri pësoi hemorragji cerebrale, e cila e mbajti në koma për shtatë ditë, për ta ndarë më pas përfundimisht nga jeta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›