E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami refuzon kontrollin e Kuvendit, deputetët e PS i zënë derën

Share

Një ditë pasi opozita shprehu shqetësimin se ministri i Mbrojtjes, Arben Imami po pengon kontrollin parlamentar, një grup deputetësh socialistë, anëtarë të Komisionit të Sigurisë, mbërritën sot në mëngjes tek ministria, duke kërkuar takim për këtë çështje. Pasi u takuan me Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë, deputeti Ilir Gjoni foli në emër të ligjvënësve socialistë. Ai tha se kërkohet transparencë për buxhetin, për hyrje- daljet e armatimeve, për mënyrën e dhënies së gradave, për dërgimin e forcave paqeruajtëse, etj.

Kërkuam që të vijmë dhe të marrim kontakt me autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes për të realizuar të drejtën e legjislativit për kontroll mbi ekzekutivin, aq me tepër kur bëhet fjalë për një institucion të rëndësishëm, si kjo ministri, ku transparenca është e domosdoshme për këtë ministri si vend anëtar i NATO. Objektiv i kontrollit është zbatueshmëria e ligjit për veprimtarinë e shërbimit informativ ushtarak, për armatimet ushtarake, për eksportin, kemi të dhëna që synojmë ti zbardhim, tha Gjoni.

Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, deputetët e PS bënë të ditur se nga data 10 e këtij muaji do të dërgojnë një plan të detajuar kontaktesh me Ministrinë.

Mbikëqyrja e këtij komisioni do të zgjasë deri në tetor të këtij viti dhe do të mbulojë një gamë të gjerë çështjesh,  deklaroi Gjoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›