E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami:Bashkëpunimi NATO-BE, partneritet kyç

"Bashkëpunimi mes NATO-s dhe BE-së është një partneritet kyç për sfidat e së ardhmes", theksoi sot ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.
Kreu i Mbrojtjes, u shpreh në konferencën "Koncepti i Ri Strategjik i NATO's - Perspektiva nga Ballkani Perëndimor", se "raportet e NATO-s me BE-në janë të shumë të rëndësishme në kuadër të sigurisë".
"NATO dhe BE duhet të jenë entitete komplementare në fushën e sigurisë përderisa ndjekin dhe përballen me të njëjtat sfida, tha Imami, duke shtuar se "duhen koordinuar edhe përpjekjet për zhvillimin e kapaciteteve, për të siguruar efikasitet më të lartë", tha Imami.
Ai u ndal edhe tek politika e dyerve të hapura të Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke u shprehur se "zgjerimi i Aleancës ka rritur stabilitetin në zonën euroatlantike". Në këtë kontekst, Imami tha se duhet të vazhdojë hyrja e vendeve të reja në Aleancë.
"Ne mendojmë se do të ishte mirë të përfshihej Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, por edhe Serbia, pasi përfshirja e Serbisë në të gjitha integrimet rajonale do të ishte jashtëzakonisht e vlefshme për stabilitet në rajon".
Në fjalën e tij, një vend me rëndësi ka zënë edhe Kosova, që sipas Imamit, "për Shqipërinë një tjetër çështje e rëndësishme është përfshirja e shtetit të ri në Aleancë". "Ne po punojmë që Kosova të fillojë të përfshihet së pari në iniciativat rajonale, më tej pika fundore e këtyre bashkëpunimeve për Kosovën të jetë NATO dhe BE", tha Imami.
Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, i pranishëm në këtë konferencë, u shpreh se "raporti i NATO-s me BE-në Ballkanin Perëndimor kanë shumë pika të përbashkëta". Sipas tij, "për sa i përket objektivave për rajonin tonë, ato janë stabilitetit edhe garantimi i paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›