Pediatria do të ketë repart dialize për fëmijët
Për herë të parë në Shqipëri do të çelet një qendër e re shërbimi për pacientët e vegjël. Reparti i hemodializës, ku do të trajtohen fëmijët me probleme të avancuara të veshkave, do të nisë shërbimin brenda pak kohësh. Lajmin e ka konfirmuar Ministria e shëndetësisë, fill pas takimit me Presidentin e Agjencisë për Zhvillim dhe Koordinim (TKA). Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ndodhej në Turqi për një vizitë zyrtare. Gjatë qëndrimit, ajo kreu një sërë takimesh të rëndësishme, nga ku solli dhe lajmin e mirë për shtimin e një shërbimi të ri në Pediatrinë e Specialiteteve në qendrën spitalore universitare, "Nënë Tereza". Presidenti i TKA-së, Musa Kaluklikaya, i bëri të ditur ministres Godo dhe delegacionit që ajo drejtonte se projekti për hapjen e qendrës së hemodializës në pediatrinë e QSUT është aprovuar. Fondi është çelur dhe shumë shpejt pritet fillimi i konkretizimit të këtij projekti të rëndësishëm. Ky projekt përfshin 8 shtretër aktivë dhe 2 rezervë, kryerjen e dializës peritonale, rikonstruksionin e ambientit, si dhe pajisjen me materialet e nevojshme për funksionimin optimal. Ministrja Godo, duke falënderuar institucionet turke për ndihmën dhe bashkëpunimin, e cilësoi aprovimin e këtij projekti si një lajm mjaft të rëndësishëm për shëndetësinë shqiptare, veçanërisht për shërbimin tonë të pediatrisë. Në shërbimin e nefrologjisë, në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", pavijon ku trajtohen moshat madhore të pacientëve të sëmurë me veshka llogariten rreth 400 pacientë, të cilët kanë nevojë aktualisht për terapi zëvendësuese dhe rreth 175 pacientë të rinj çdo vit (50/1 milionë është numri i pacientëve të rinj) (incidenca) që kanë nevojë për terapi zëvendësuese çdo vit. Sipas parashikimeve të shërbimit të Nefrologjisë, numri i pacientëve që kanë nevojë për shërbimin e terapisë zëvendësuese, dializës, do të rritet në masën 15 për qind vitin e ardhshëm. Aktualisht në Shqipëri ekzistojnë 39 aparatura hemodialize në shërbimin spitalor publik, që kanë një shkallë shfrytëzimi 50 për qind, megjithëse nevojat janë për më shumë aparatura (rreth 12 aparatura shtesë), që të plotësojnë nevojat e pacientëve aktualë. Dializa nënkupton filtrimin, pastrimin e gjakut nga toksinat dhe eliminimin e ujit të tepërt nëpërmjet një aparati që luan rolin e një veshke artificiale. Ekzistojnë dy tipe të dializës: hemodializa dhe dializa peritonale. Hemodializa është një procedurë që kryhet në qendra të specializuara, të paktën tri herë në javë dhe ku çdo seancë zgjat rreth 4 orë.