Imazhi i rrejshëm
Edita Tahiri dhe Borko Stevanovic, gjatë dy ditëve të fundit në Bruksel, kanë lënë një përshtypje pozitive për mundësitë e dialogut Kosovë-Serbi.
Tahiri dhe Stevanovic kanë shtrënguar duart duke pozuar para një flamuri të Bashkimit Europian, derisa shkëmbimet mes tyre kanë qenë plot mirësjellje.
Interlokutorët shqiptarë dhe serbë kanë mbajtur takimin e parë në Zyrën e Robert Cooperit të martën mbrëma, duke biseduar deri në ora 22:00. Kjo i ka shtyrë ata që të tregojnë pak kujdes për njëri-tjetrin një ditë më pas.
“Mirëmëngjesi Edita, si je”? e ka pyetur Stevanovic Tahirin.
E, shefja e delegacionit po ashtu ka reaguar me mirësjellje “A ke pushuar ndopak”? “Jo edhe aq”, ka thënë diplomati serb duke shpjeguar se para gjumit kishte pirë disa gota alkool.
Pasi kanë shtrënguar duart, Tahiri ka reaguar me optimizëm.
“Shpresoj që ky duarshtrëngim do ta në sjellë rezultate”, ka thënë zëvendëskryeministrja kosovare.
Por pamjet që kanë ardhur nga Brukseli i ka demantuar vetë shefja e delegacionit të Kosovës. Ajo ka deklaruar se në qasjen e Beogradit ka vërejtur elemente të së kaluarës që do të thotë se pala kosovare nuk është e kënaqur me përmbajtjen dhe rezultatin e bisedimeve.
“Mund të them se te pala tjetër, unë vërejta se ende sikur ishte në mentalitet të së kaluarës. Nuk kishte gatishmëri të kuptojë se është një realitet i ri dhe po flasim si dy shtete të pavarura”, ka thënë Tahiri në një intervistë për RTK.
Ajo megjithatë ka ruajtur pak tonet optimiste për dialogun, të cilat kanë mbizotëruar dy ditëve të fundit në Bruksel.
“Për këto dy ditë pati ide interesante, propozime do të thosha konstruktive. U shënuan edhe disa përparime, por nuk kemi arritur që të bëjmë edhe marrëveshje, sepse ka nevojë që të vazhdojë adresimi i këtyre çështjeve të cilat mbase mund të sjellin edhe në marrëveshje konkrete. Ne adresuam çështjen e regjistrit civil, kadastral, pastaj çështja e CEFTA’s, çështja e vulave të doganave. Dhe pak a shumë nga të dy palët u dëgjuan propozime”, ka shtuar Tahiri.
Borko Stevanovic është cituar nga mediat serbe duke thënë se gjatë bisedave janë shënuar disa përparime.
Afrimet me çështjet e kadastrit, librave amëz, telekomunikacionit dhe trafikut ajror.
Por edhe shefi i delegacionit serb ka përzier çështjen e statusit në paraqitjet e tij për media në kryeqytetin belg.
Europianët ndërkaq janë kujdesur që të përçojnë një disponim tjetër.
Fillimin e takimit e ka parë me optimizëm ndërmjetësi Robert Cooper, i cili ka bërë një krahasim me motin e mirë që ka mbretëruar të mërkurën në Bruksel.
Pozitivisht, bisedat mes palëve janë vlerësuar edhe nga Bashkimi Europian përmes një njoftimi për media.
Në pjesën hyrëse të komunikatës, BE’ja u është referuar palëve, si delegacioni i Kosovës dhe i Serbisë, e jo si Prishtinë dhe Beograd, siç thuhet shpesh kur përmendet ky proces.
“Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe të përzemërt dhe ishte informues dhe produktiv. Të dyja palët ritheksuan përkushtimin për dialogun dhe vullnetin e tyre për vazhduar procesin. Lehtësuesi ka nënvizuar synimet e dialogut: mënjanimin e pengesave që kanë ndikim negativ në jetën e përditshme të njerëzve, përmirësimin e bashkëpunimit dhe arritjen e progresit në rrugën drejt Europës”, thuhet në komunikatë.
Aty janë bërë të ditura edhe temat për të cilat kanë folur zyrtarët nga Kosova dhe Serbia.
“Takimi i parë ka ofruar një mundësi për të diskutuar rreth qasjes në informatat e verifikueshme nga librat e regjistrave civilë si dhe informatat për kadastrin, çështjet me ndikim direkt në jetën e përditshme të njerëzve”.
Komunikata flet edhe për një pajtim mes palëve që “ky informacion duhet të jetë në dispozicion, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet siguri legale”.
“Në takim po ashtu janë diskutuar çështjet e tregtisë rajonale dhe liria e lëvizjes së mallrave që është çështje e rëndësisë së veçantë për zhvillimin ekonomik të tregjeve të vogla individuale në rajonin e Europës Juglindore. Marrëveshja e CEFTA’s, e cila është bazë për etablimin e një tregu të hapur rajonal, është kyçe për zhvillimin ekonomik në rajon”, thuhet në komunikatë.
Aty po ashtu theksohet se dy palët kanë vlerësuar pozitivisht pjesëmarrjen e tyre në CEFTA dhe kanë konfirmuar se do të jenë pjesëmarrëse edhe gjatë kryesimit të saj më 2011. Radhën për kryesimin e CEFTA’s gjatë këtij viti e ka Kosova.
“Palët po ashtu kanë prekur çështjet e telekomunikacionit dhe aviacionit – dy fusha ku bashkëpunimi hap mundësi për shërbime më të mira për klientët, praktika më të mira ekonomike, më efikase dhe më të dobishme për ambientin”.
Sipas BE’së, palët janë pajtuar që këto çështje t’i diskutojnë në takimet e ardhshme.
“Ka pasur marrëveshje që takimi i dytë duhet të mbahet shumë shpejt”, ka njoftuar BE’ja.
Sipas burimeve të gazetës, takimi i dytë pritet të mbahet gjatë këtij muaji.
Për takimin pesorësh ka folur dhe përfaqësuesi i BE’së, Robert Cooper duke thënë se gjithçka ka kaluar në një atmosferë “ekstremisht të mirë, miqësore dhe të ndershme”.
“Ishin tri objektiva, përmirësimi i bashkëpunimit në rajon, sjellja e palëve në rrugën drejt BE’së”, si dhe më e rëndësishmja, përmirësimi i jetës së njerëzve në terren”, ka thënë Cooper, i cili duke folur për takimin ka folur me fjalorin e njëjtë që BE’ja ka përdorur në njoftimin për media.
Ai ka përmendur edhe çështjen e aviacionit dhe telekomeve, çështje të cilave do t’u hyhet më thellë më vonë.
Dialog mes Kosovës dhe Serbisë
Në komunikatën e djeshme të BE’së për takimet e para në Bruksel, thuhet se dialogu po zhvillohet mes delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, e jo siç thuhet shpesh dialog mes Prishtinës dhe Beogradit. Për shkak të pesë vendeve të BE’së që nuk e njohin Kosovën, Bashkimi Evropian nuk e trajton Kosovën si shtet, prandaj edhe dialogut më shpesh i referohet si proces mes Prishtinës dhe Beogradit. Por në komunikatën e djeshme, BE’ja përdori emrat e dy vendeve, e jo të kryeqyteteve.