Investuesit evropianë shqetësohen për shkak të shtrenjtimit të naftës
Shtrenjtimi i naftës për shkak të mbylljes së rafinerisë më të madhe të naftës në Libi dhe borxhi i madh shtetëror i Portugalisë, kanë shqetësuar me të madhe investuesit evropianë në bursat evropiane.
Edhe pse fillimisht investuesit në bursat evropiane të mërkurën ishin inkurajuar me raportet e kompanive dhe aktivitetet e marrjeve, optimizmi i tyre është zbehur nga ngritja e naftës dhe borxhi portugez.
Disponimi i investuesve ka rënë për shkak të ankandit të obligimeve shtetërore portugeze, e cila ka përfunduar, por me kamatë më të lartë, të cilat çojnë në konkludim se qeveria portugeze në fund do të kërkojë ndihmë ndërkombëtare.
Në mesin e fituesve janë aksionet e kompanive ajrore Air France dhe International Airlines Group 2,8, përkatësisht 3,1 për qind. Sektori ajror ishte në plus mesatarisht 1,8 për qind. Kompania ajrore evropiane EADS njoftoi sot se vitin e kaluar serish ka punuar me fitim dhe se aksionet e tij janë rritur në vlerë prej 2,9 për qind.
Në mesin e fituesve ishin edhe aksionet e sektorit të automobilave, pasi që Daimler-i gjerman dhe Rolls-Royce britanik raportuan për marrjen e planifikuar të firmës Tognum, prodhues gjerman i motorëve dhe turbinave, duke pritur se blerja do t’iu ndihmojë për të shënuar ngritje në tregun global.
Daimler është rritur 0,7 për qind, Togum 4,1 për qind, Rolls-Royce 2,8 për qind. Ndër humbësit më të mëdhenj është sektori i minierave brenda të cilit më së shumti kanë humbur Rio Tinto dhe BHP Billiton.
Para mbylljes së bursave, indeksi londinez FTSE 100 është në minus 0,73 për qind, DAX Frankfurt është dobësuar 0,55, CAC 40 Paris ka rënë 0,53 për qind. Në Wall Street, indeksi Dow Jones është në të kuqen 0,20 për qind, Nasdaq ndodhet në minus 0,66 dhe S&P 500 ka shënuar rënie 0,40 për qind.