Imazhi nuk ndreqet lehtë

Klubi për Politikë të Jashtme shprehet skeptik për riparimin e imazhit të Kosovës me grupe ekspertësh dhe fushata për një Kosovë ndryshe, siç është iniciativa e paralajmëruar nën drejtimin e Presidentes Atifete Jahjaga.
Drejtori ekzekutiv i KPJ-së, Ylli Hoxha, thotë se Presidenca, si edhe instancat e tjera do të duhej që, para se të niseshin në fushatë, të riparonin defektet serioze në sistem, duke përfshirë edhe shkarkimin e personaliteteve në të dy nivelet e pushtetit që kanë probleme me ligjin.
“Imazhi ynë i keq buron edhe nga vetëkontributi i lidershipit për të krijuar atë imazh të keq, do të thotë nga afiniteti ndaj joligjshmërisë, kur kemi një situatë, në të cilën Kosova tashmë sistematikisht portretizohet, ku krimi dhe politika janë afër njëra-tjetrës. Në këtë drejtim, pa pasur një ndërrim substancial në politikë, është vështirë që me çfarëdo grupi ekspertësh të ndryshohet gjendja”, vlerëson Hoxha.
Sipas tij, imazhi nuk mund të riparohet me veprime kozmetike, por me reforma të thella në sistemin politik.
“Ata do të duhej të merreshim me vetveten, pra me reformimin e vetvetes për të krijuar një qeverisje të përgjegjshme, të qëndrueshme, e cila jep rezultate, e jo të mundohemi të mbulojmë një qeverisje të keqe me një afinitet të theksuar ndaj krimit”, thekson Hoxha.