E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngecin reformat zgjedhore

Reformat në Ligjin për zgjedhjet, sipas njohësve të zgjedhjeve, po shkojnë ngadalë. Anëtari i KQZ’së, Florian Dushi thotë se Komisioni që është i ngarkuar për këto ndryshime në ligj, mund të shfrytëzojë ekspertizën e KQZ’së si trupë që është ballafaquar me dobësitë e ligjit gjatë zgjedhjeve të kaluara. Nga Express më 19 qershor 2011 në ora 19:15

Njohës të proceseve zgjedhore në Kosovë nuk besojnë se me ritmin që po punon Komisioni për ndryshimin e Ligjit për zgjedhje, mund t’i bëjë ndryshimet e parapara.
Florian Dushi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se deri më tash nuk është vërejtur se Komisioni ka nisur punën.

“Me këtë ritëm të cilin ne kemi pasur mundësi ta shohim, është bukur vështirë, por shpresojmë që do të kemi së shpejti një legjislacion të reformuar. Megjithatë, shpresoj që ky grup do të fillojë punën dhe të hartojë një agjendë, një strategji të punës së vet dhe të kryej obligimet për të cilat është ngarkuar”, ka thënë Dushi për REL.

Anëtari i KQZ’së, Dushi ka shprehur gatishmërinë e këtij mekanizmi për t’i ofruar Komisionit për ndryshimin e Ligjit për zgjedhje, ekspertizën e nevojshme që ka.

“Ata, lirisht do të mund ta përdorin edhe ekspertizën e anëtarëve të KQZ’së, të cilët tashmë kanë kaluar disa procese zgjedhore, si në aspektin teknik-organizativ, edhe në aspektet të tjera. Anëtarët janë të gatshëm dhe i dinë të gjitha mangësitë e të metat, apo edhe lëshimet në legjislacion, edhe në pjesën e tjetër të organizimit të proceseve”, ka thënë ai.

Kritik ndaj Komisionit për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, është shprehur edhe Adnan Merovci, ish-kryeshef i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas tij, fakti që ende nuk janë identifikuar në mënyrë të qartë çështjet që duhet ndryshuar, mund të thuhet se ka ngecje në këtë drejtim.

“Mendoj se sa i përket afatit të paracaktuar, është një kohë solide. Megjithatë, siç po e shoh dinamikën e punës së këtij komisioni, ku ende nuk janë identifikuar ndryshimet që do të bëhen, nuk është kompletuar me njerëzit nga jashtë, me ekspertët, nuk mbahen debate publike që kishin me e sensibilizuar në një mënyre këto ndryshime, shoh ngecjet në përgjithësi”, tha Merovci.

Komisioni që do të merret me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, duhet ta përmbyllë punën e vet në një afat prej 8 deri në 12 muaj.

Përkundër vlerësimeve se punët rreth ndryshimeve nuk janë duke shkuar ashtu siç është thënë, anëtarët e Komisionit janë shprehur optimistë se brenda afatit të përcaktuar do të përfundojnë të gjitha punët.

Merovci ka shtuar se nëse reforma në ligj nuk do të ndodhë me kohë, prapë mund të ketë ndryshime, por, vetëm sipërfaqësore.

“Do të kemi disa ndryshime, por nuk do të prekim në esencën e krejt kësaj. Do të hyjmë në këto spiralet e inicimit të ndryshimeve edhe në zgjedhjet e ardhshme. Me fjalë të tjetra, këto ngecje në qasje për ta ndryshuar Ligjin, do të na sjellin në një irritim ose në një rezultat joefikas në krejt këtë iniciativë për ndryshimin e Ligjit zgjedhor”, ka deklaruar ai.

Komisioni për ndryshimin e Ligjit për zgjedhje është formuar nga Kuvendi më 22 prill.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›