E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers, Bosh dhe Topi bëjnë apel për pavarësi të institucioneve



Eljona Ballhysa

Dy diplomatët më të fuqishëm në Shqipëri, ambasadori i SHBA-ve, Withers, ambasadori i OSBE-së, Bosh dhe Presidenti i Republikës, Topi, kanë bërë dje apel për respektimin e të drejtave të njeriut, respektimin e pavarësisë së institucioneve dhe luftë korrupsionit. Deklaratat janë bërë në një konferencë të zhvilluar dje me rastin e 10-vjetorit të krijimit të Avokatit të Popullit, ku kreu i këtij institucioni, Ermir Dobjani, u nderua nga presidenti Topi me Urdhrin “Nënë Tereza”. Në fjalën e mbajtur në këtë konferencë, dy ambasadorët, Withers dhe Bosh, kërkuan respektimin e pavarësisë së institucioneve të pavarura dhe më shumë punë në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut. Edhe presidenti Topi, në fjalën e tij, ndërsa vlerësoi lart punën e bërë nga institucioni i Avokatit të Popullit, u shpreh se vendi ka ende shumë punë për të bërë në drejtim të pavarësisë së institucioneve dhe të drejtave të njeriut.
Ambasadorët
Ambasadori amerikan, Withers, ka theksuar edhe njëherë dje se politika nuk duhet kurrsesi të ndërhyjë në Gjyqësor. Ambasadori theksoi se pavarësia e institucioneve do të kthejë në realitet aspiratat e Shqipërisë për integrimin europian. “Pavarësia e Gjyqësorit është një kolonë themelore e shoqërisë demokratike, është guri i themelit mbi të cilën ndërtohen shoqëritë demokratike. Asnjë institucion demokratik nuk mund të ndërmarrë apo nuk mund të ndërhyjë në Gjyqësor. Askush nuk është mbi ligjin”, - është shprehur Withers, ndërsa ka shtuar se pavarësia e medias është një tjetër çështje e rëndësishme, pasi në një shoqëri demokratike media mbron interesin e publikut. “Por, nëse media kthehet në një vegël politike, ajo humbet pavarësinë e saj dhe interesi i publikut nuk mbrohet”, - shtoi ambasadori.
Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, në fjalën e tij kërkoi që të drejtat e njeriut të futen në politikat e qeverisë. Ai bëri apel për respektimin e të drejtave të njeriut në vendin tonë. “Ka ende shumë për të bërë në respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri”, - theksoi ai. Bosh kërkoi vëmendje të veçantë në respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe grave. Ambasadori i OSBE-së vlerësoi edhe njëherë se një qeveri e mirë do të thotë institucione të pavarura. “Qeverisje e mirë do të thotë respekt për të drejtat e qytetarëve, do të thotë një sistem i drejtë gjyqësor, luftë kundër krimit dhe korrupsionit dhe të gjitha këto mund të arrihen vetëm nëse aktorët e përfshirë kryejnë detyrat e tyre”, - deklaroi Bosh. Të dy ambasadorët vlerësuan rolin e Avokatit të Popullit në respektimin e të drejtave të njeriut.
Presidenti
Edhe presidenti Topi, gjatë fjalës së tij, vuri theksin se mbrojtja efektive e të drejtave të njeriut arrihet atëherë kur kemi një qeverisje të kontrollueshme, një parlament pluralist dhe një gjyqësor të pavarur. Po kështu, sipas Topit, kërkohet edhe një shoqëri civile e fortë dhe një shtyp i lirë, që së bashku bëjnë të mirëfunksionojë sistemi i kontrollit dhe balancës së pushteteve. Sipas tij, roli i institucionit të Avokatit të Popullit është të ushtrojë presion pozitiv ndaj administratës publike, për të ndikuar sa më shumë dhe sa më mirë në realizimin e standardeve të kërkuara të mirëqeverisjes dhe të ndihmojë në transparencën e saj. “Avokati i Popullit mund të zhvillojë atë që quhet kultura e qeverisjes së mirë. Ky nocion, tashmë i konsideruar si një nga të drejtat e njeriut, do të thotë administrim të mirë të pronës publike, çiltërsi, transparencë dhe llogaridhënie e administratës publike para njerëzve që paguajnë taksa për ta mbajtur atë. Avokati i Popullit, nëpërmjet rekomandimeve të tij, duhet ta bëjë administratën publike të kuptojë rolin e saj të vërtetë ndaj qytetarëve dhe ekzistencën e saj vetëm në shërbim të realizimit të të drejtave të tyre. Shoqëria shqiptare ka ende shumë për të bërë, ka ende shumë për të përmirësuar në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut, pavarësisë së institucioneve dhe fenomeneve negative të korrupsionit ekonomik e politik”, - është shprehur Topi.
Ndërsa Avokati i Popullit, Dobjani, në fjalën e tij u shpreh se realiteti i Shqipërisë është i kënaqshëm dhe se ky institucion ka dhënë ndihmesën e vet sa i përket ndikimit në rastet e shfaqjes së dhunës në burgje apo spitale. “Avokati i Popullit që nga viti 2008 funksionon si mekanizëm kombëtar për parandalimin e torturës, në kuadër të Konventës europiane kundër torturës dhe trajtimit çnjerëzor. Tashmë në Shqipëri kemi një realitet të kënaqshëm jo thjesht për faktin e realizimit të rreth 150 inspektimeve nëpër burgje, dhoma paraburgimi, spitale. Kontrollet tona kanë pasur ndikimin e vet në përmirësimin e gjendjes në këto institucione”, - deklaroi Dobjani.

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›