Imeraj: Berisha të mos guxojë t‘i provokojë socialistët
Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, tha dje se Sali Berisha nuk mund ta fshehë dështimin e tij duke sjellë pseudoprotestues tek oborri i shtëpisë së socialistëve, por do të jenë socialistët dhe të gjithë shqiptarët që do të protestojnë para zyrës së tij, që i la në izolimin më të pafalshëm. Imeraj i kërkoi Kryeministrit që të mos guxojë t‘i provokojë socialistët në shtëpinë e tyre, sikundër këtë gjë nuk e ka bërë asnjëherë Partia Socialiste. "I themi Kryeministrit pinok të mos guxojë më të provokojë në derën e shtëpisë së socialistëve. Ne nuk kemi protestuar përpara shtëpisë së demokratëve, por përpara Kryeministrisë së Shqipërisë, që duhet të mbrojë interesat e shqiptarëve socialistë e demokratë dhe jo të një familjeje në pushtet", vijoi Imeraj. Sipas saj, nëse pinoku Kryeministër nuk i duron dot protestat përpara godinës së Kryeministrisë, kjo është një arsye më shumë që të largohet bashkë me kutitë e mbyllura, ku mban peng integrimin tonë në Europë.