Mëhilli: Rama tenton të bllokojë liberalizimin e vizave
Partia Demokratike reagoi menjëherë dje pas akuzave të deputetit socialist, Ditmir Bushati, në lidhje me vonesat për liberalizimin e vizave. Zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, vuri në dukje se është PS dhe kryetari i saj që po tenton ta bllokojë këtë proces. "Edvin Kristaq Rama, me pinjollin tjetër të bllokut Ditzi Bushatin, derdhi lot krokodili për vizat, ndërkohë që në emër të bllokmenëve të rinj, Rama pak muaj më parë dërgoi në Bruksel raportin me të cilin i kundërvihej heqjes së vizave për Shqipërinë e shqiptarët. Partia Demokratike informon qytetarët se me gjithë përpjekjet e gjithanshme të Edvin Kristaq Ramës, me bojkotin e Parlamentit dhe raportet false, me të cilat ai kërkon të bllokojë procesin e heqjes së vizave për shqiptarët, ai po ecën normalisht", tha ajo. Mëhilli sqaroi se qeveria po plotëson të gjitha kërkesat dhe Partia Demokratike është e sigurt se në përputhje me premtimin e saj elektoral, vizat do të hiqen brenda vitit të parë të këtij mandati. "I vetmi avantazh që kanë pasur malazezët, maqedonasit, madje edhe serbët është fakti që nuk kanë pasur fatkeqësinë të kenë asnjë ditëzi në opozitën e tyre që të punojë dita-ditës kundër këtij procesi e që t‘u bëjë thirrje qytetarëve për të mos u pajisur me dokumente biometrike identifikimi, i vetmi kusht ky për heqjen e vizave", deklaroi Mëhilli.