E Diel, 1 Nëntor 2026

Qindra mijëra vetë marrin pjesë në funeralin e klerikut iranian

Në faqet kompjuterike të opozitës iraniane thuhet se mijëra njerëz kanë
marrë pjesë në funeralin e klerikut disident Ajatollahu i Madh Hosein Ali
Montazeri, duke e shndërruar atë në një protestë kundër qeverisë. Sipas
njoftimeve, shumë njerëz nga turma hidhnin parrulla kundër qeverisë dhe mbanin
simbolet e gjelbra të lëvizjes së opozitës iraniane gjatë funeralit që u
zhvillua sot në qytetin e shenjtë Kom. Ata thanë se policia ishte e pranishme
kudo dhe forcat e saj patën përleshje sporadike me disa protestues që hidhnin
gurë. Forcat pro-qeveritare gjithashtu grisën parrullat e që mbanin
protestuesit. Nuk ka patur ndonjë pohim të pavarur lidhur me numrin e saktë të
pjesmarrësve të ceremoni. Media e huaj u ndalua ta ndiqte funeralin. Ajatollahu
Montazeri u varros në xhaminë e Komit, ku ai vdiq të shtunën në moshën 87
vjeçare. Reformistët iranianë e konsideronin klerikun si udhëheqësin shpirtëror
të lëvizjes së tyre. Në fillim të vitit, ai i dënoi masat shtypëse qeveritare
ndaj protestuesve kundër rizgjedhjes së debatueshme të Presidentit Mahmud
Ahmadinexhad. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›