Imoraliteti i tentativave të post-komunistëve për t’iu rikthyer pushtetit
Me ndryshimet politiko-ekonomike në vitet 90”, shumë besuan dhe menduan që i dhanë fund një regjimi totalitar, duke shpallur pluralizmin politik, ekonominë e tregut të lire dhe pronën private. Duke shpresuar që nëpërmjet këtyre reformave Shqipëria do të ndahej një herë e mirë nga një regjim që jetonte me iluzionin, amoralitetin dhe krimin, një regjimi politiko-ekonomik të përqendruar në dhunën e pakicës ndaj shumicës.
Por Komunizmi si në vendet e Evropës Lindore ashtu dhe në Shqipëri është drejtuar dhe vënë në jetë nga Klane tepër të ngushta dhe miqësorë te Elitës Komuniste. Forca e tyre konsistonte në ashpërsinë e tyre për të mbajtur pushtetin me çdo kusht dhe mjet. Ajo çfarë i bën ato akoma të fuqishëm në arenën politike në Shqipëri është fakti se Elita Komuniste e para 90” kishte mundësi që për 45 vjet të formonte një shoqëri dhe breza të tërë sipas teorisë dhe moralit komunist. Ato shkolluan fëmijët e tyre në Universitet më të mira Perëndimore dhe gjithashtu pasardhësit e tyre bënin një jetë shumë më të mirë se sa pjesa tjetër e shoqërisë.
Duke i pasur këto mundësi dhe privilegje dikur, pavarësisht se në çfarë sistemi ato tashmë jetojnë, dinë se si të jenë akoma bashkë për të krijuar përsëri një lob të fortë në mënyrë që të kenë përsëri pushtet dhe privilegje ekonomiko-politike.
Horizonti, mundësia për të kuptuar përpara të tjerëve sistemin që po vinte, lidhjet e tyre të forta me pushtetin politik ju krijuan mundësinë atyre për të pasur kontroll dhe mbi shumë burime të tjera fitimprurëse dhe që krijojnë një pushtet ekonomik të qëndrueshëm, si në media, tregti, industri, prona të paluajtshme e tje.
Sot shumë prej ish-komunistëve apo dhe bijve të tyre kanë dhe një karrierë administrative të suksesshme dhe në poste shumë kyçe të vendit, si në Gjykata, Prokurori, Qeverisje Vendore apo dhe në Pushtetin Qendror. Shumë prej tyre sot kanë partitë e tyre dhe madje kanë pasur dhe role drejtuese deri në rangje Ministrash dhe Zëvendësministrash. Opozitarizmi sot drejtohet pikërisht nga ato personazhe dhe bijtë e asaj elite Komuniste që drejtoi vendin për 45 vjet dhe që Shqiptarët menduan që e hodhën prapa krahëve. Fuqia e tyre buron në mundësinë e tyre për të qenë bashkë, në kontrollin e tyre mbi median vizive dhe të shkruar dhe gjithashtu në forcimin e tyre ekonomik në këto 20 vite.
Problemi nuk qëndron në faktin që kjo elitë apo fëmijët e tyre kanë mundësi të punojnë dhe të jetojnë, sepse dhe ato si çdo qenie tjetër njerëzore e kanë këtë të drejtë në rendin e ri demokratik. Por problemi qëndron se në brumin e tyre jetësor ato janë të ideosur me një ideologji dhe mënyrë të të parit të gjërave që vetëm do ja shtonin akoma më shumë zvarritjen vendit për tu integruar në institucionet që do të garantonin përfundimisht lirinë, demokracinë dhe shtetin ligjor.
Duke parë zvarritjen 20 vjeçare të vendit dhe pamundësinë e tij për të forcuar institucionet dhe përshpejtuar hapat drejt integrimit Evropian, sjell në vëmendje rrezikun që vjen nga forcimi i një lobi tashmë post-komunist, të forcuar ekonomikisht dhe që synon pushtetin politik me çdo kusht. Do të ishte akoma shumë e rrezikshme për demokracinë e brishtë të vendit që ato të riktheheshin në pushtetin politik, sepse kjo do të krijonte një ruso-demokraci autoritare.
Elita e tyre tashmë ka burime financiare të shumta dhe mundësi të shumta që në një vend që ka probleme me korrupsionin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, të mund të ktheheshin në pushtet nën maskën e kujtdo dhe nën projektin politik më demokratik në dukje.
Kultura e mosndëshkimit që tashmë është ngulitur ndër Shqiptarët, do ti bëjë ato më të fortë dhe më të vendosur në synimin e tyre drejt pushtetit. Ato nuk njohin rregulla loje as brenda klaneve ku sundojnë dhe guxojnë që më pas të shfaqen në publik me lloj- lloj nismash dhe idesh në emër të vlerave që as i kanë njohur dhe as që ju bie në mend për to.
Mënyra se si ato mund të “ndalen” në projektin e tyre të rikthimit do të ishte ndalja nëpërmjet metodave demokratike, si mos votimi, mosmbështetja e tyre në aksionet politike të stisura, konsolidimi i shtetit të së drejtës dhe përshpejtimi i hapave drejt Integrimit Evropian të vendit.