E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roben “djeg” kohët:Do jem gati për Botërorin

HOLANDE- Arjen Roben është kthyer në problemin më shqetësues për Holandën në prag të nisjes së kampionatit botëror. Dëmtimi i yllit të Bajernit të Mynihut në miqësoren me Hungarinë ka prishur planet e holandezëve, ndërkohë që vetë Roben ka nisur të hënën një terapi intensive për t’u riaftësuar në kohë nga tërheqja muskulare. “Jam duke u përpjekur të bëj gjithçka për të qenë në formë sa më shpejt të jetë e mundur, - deklaroi ai që nga Holanda. – Një dëmtim i tillë kërkon 4-6 javë për t’u rikuperuar, por unë jam optimist se do t’i përgjysmoj kohët. Sot ka teknika moderne që mund ta bëjnë këtë. Mos harroni se unë isha i dëmtuar edhe para Europianit 2008 dhe me fizioterapistin që kam tani arrita të rikuperohesha në kohë”, u shpreh Arjen Roben. Holandezi shpreson që brenda një jave të jetë gati, duke shpresuar të aktivizohet në ndeshjen e dytë ndaj Japonisë më 19 qershor.
Në pritje të Arjen Roben, kombëtarja holandeze ka nisur përgatitjet në Afrikën e Jugut për Kupën e Botës 2010. Lajmet e mira të ardhura nga Holanda se dëmtimi mund të jetë më i lehtë nga ç’ishte menduar, i kanë bërë të gjithë të besojnë në rikthimin e yllit të Bajernit të Mynihut. “Arjen Roben është nga ata futbollistë që çdo trajner pjesëmarrës në Botëror do të donte ta kishte në skuadër, - tha kapiteni i Holandës Mark Van Bomel. – Shpresojmë të rikthehet sa më shpejt”, shtoi ai. Mesfushori i Bajernit u bëri thirrje shokëve të skuadrës që të mos e marrin si të lehtë grupin, pavarësisht se u kualifikuan shumë shpejt për në Botëror. “Kemi tre ndeshje të forta, Danimarka është kualifikuar lehtësisht në grup, ndërsa Japoninë ne e kemi mundur 3-0, por nuk ishte aspak fitore e merituar. Ndërkohë Kameruni është gjithnjë i fortë, sidomos në Afrikë”, deklaroi Van Bomel. Holanda ndodhet në grupin E të Botërorit 2010, bashkë me Danimarkën, Japoninë dhe Kamerunin. Skuadra e Van Marvijk ka treguar një formë të jashtëzakonshme në dy vitet e fundit dhe është një nga favoritet për të fituar trofeun, ndonëse pas Spanjës, Brazilit, Argjentinës, Anglisë e Gjermanisë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›