E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama në bazën socialiste: “Mëshirë!”

Turi i kapitullimit s’fshihet dot me pazaret e Edvinit për shitjen e bashkive e të komunave në zgjedhjet e ardhshme vendore. Thirrja për mëshirë ka mbërritur dje në Elbasan dhe Korçë, por kjo është shndërruar në një luftë civile, në prag të fshesës që pritet të ndodhë në kryesinë e PS-së. Pas grevës, në strukturat e majta ka rënë mjerimi dhe është shumë e vështirë që debati i brendshëm të mbulohet me premtimet se herën tjetër nuk do të ketë dështim elektoral

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka humbur qetësinë, teksa pas grevës dhe protestave, ka vijuar një tur takimesh në disa prej qyteteve kryesore të vendit, por këtë herë jo për thithjen e mbështetësve, por për qetësimin e bazës socialiste, pas konfrontimeve disa ditore, si pasojë e aksioneve të dështuara dhe mos nxjerrja e përgjegjësve. Në këtë atmosferë aspak premtuese dhe që rrezikon seriozisht mbijetesën e tij politike, Edi Ramës i duhet një punë e fortë bindëse, për të shmangur reprezaljet, por edhe aktet e sabotazhit nga ana e anëtarësisë socialiste. Asnjë prej degëve lokale të Partisë Socialiste, nuk ka në plan të njohë dështimin e ylberistit, pasi më parë ata duan ndëshkimin e tij, duke e konsideruar gjithçka të improvizuar deri tani, si një tekë që s’ka pasur as vizion dhe as baza të mirëfillta, për jetë gjatësinë e saj dhe finalizimin me sukses.
Kësisoj, kjo linjë e dyshimtë e ndikuar nga një farë “qetësie vrasëse” dhe me mungesë të qartë emocioni, ka krijuar një ngërç të brendshëm në PS, sa nuk dihet se cili do jetë fati politik i kryetarit, i cili qëndron në krye, duke shkelur statutin dhe dhunuar mendimin kritik.
Në këto kushte kompleksesh, Edvini është zënë ngushtë dhe po vijon uljet gjunjë më gjunjë me bazën e acaruar, për t’i bindur ata se “beteja”, nuk ka përfunduar dhe se e drejta e tyre është tek ato kuti të mbyllura.
Ky ka qenë edhe epilogu i radhës i ylberistit, madje duke akuzuar edhe Ben Blushin se i ka krijuar pështjellim në radhët e bazës socialiste në qarkun e Korçës. Trazimi i ujërave të politikës së re të Edvin Ramës, tashmë është pranuar zyrtarisht, duke u përshkallëzuar në kërcitje të brendshme, e cila sipas logjikës më normale, mbërrin deri te rrëzimi i kultit të pasanikëve, por pa ide dhe ideologji në drejtimin e opozitës. Pas vizitës në Berat të një dite më parë, Edvini u ndal me urgjencë të qytetin e Korçës, ku ftoi qytetarët që të lenë mënjanë partinë dhe angazhimet për zgjedhjet e ardhshme vendore, pasi ende s’ka përfunduar aksioni i kutive.
Lakuriqi i socialistëve duket se nuk ka ndërmend të ndalë grahmat e lodhura të politikës boshe, për hapjen e kutive të votimit dhe çuarjen e vendit drejt një destabilizimi politik, tipike me lëvizjet maoiste, për rrëmbimin e pushtetit me dhunë dhe revolucion popullor. Por, fillimisht ai duhet t’i kërkojë falje bazës socialiste, për tubimet e dështuara, protestat e mashtruara dhe greva jo transparente.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›