Përsiatje filozofike mbi shoqërinë e kontrollit
Kam vetëm liri metafizike. Edhe nëse të shkruarit mos qoftë krejtësisht metafizik, më duhet të pranoj përmasën e tij ezoterike, ekzistencën e frymës së mistershme që thyen barrierën thuaj të pakapërcyeshme të mbajtjes Filozofi francez Mishel Fuko e ka vendosur lindjen dhe zhvillimin e shoqërive disiplinore në Perëndim në shekujt XVI-të dhe XIX-të; ato arrijnë kulmin e tyre në fillim të shekullit XX-të duke patur si veçori të funksionimit organizimin e mjediseve të mëdha të mbylljes. Individi nuk rresht së kaluari nga një mjedis i mbyllur në tjetrin dhe secili prej tyre rregullohet nga ligjet e veta: në fillim familja, pastaj shkolla (“nuk je më në shtëpi këtu”), pastaj ushtria (“nuk je më në shkollë këtu”), herë-herë spitali, pastaj ndoshta dhe burgu që është mjedisi i mbylljes par-excellence. Burgu shërben edhe si model analogjik: kështu, heroina e Europa 51,1 duke parë punëtorët mund të rënkojë “m’u duk sikur shihja të dënuar…”. Filozofi Fuko e ka zbërthyer më së miri projektin ideal të mjediseve të mbylljes, veçanërisht i dukshëm në rastin e uzinës a fabrikës: përqendrim; shpërndarje në hapësirë; renditje në kohë; ndërthurje në hapësirë-kohë e një force prodhimi efekti i së cilës duhet të jetë më i lartë se shuma e forcave fillestare. Por Mishel Fuko dinte mirë edhe diçka tjetër, përkohësinë e këtij modeli: ai pasonte shoqëritë e sovranitetit, qëllimi dhe funksioni i të cilave ishin krejt të tjera (të vjelë më shumë sesa të organizojë prodhimin, të vendosë për vdekjen më shumë sesa të kujdeset për jetën); kalimi ishte jo i menjëhershëm dhe Napoleoni duket se siguroi boshtin e konvertimit të madh nga një shoqëri te tjetra. Mirëpo disiplinat do të binin po ashtu në krizë, si pasojë e ndikimit të forcave të reja që po zinin vend dhe bëhen të prekshme sidomos pas Luftës së Dytë Botërore: shoqëritë disiplinore kishin pushuar tashmë së qeni bota jonë, ishin tashmë e kaluara jonë.
Jetojmë në kohën e një krize të përgjithësuar të të gjitha mjediseve të mbylljes, burgje, spitale, fabrika, shkolla, familje. Familja është një “mjedis i brendshëm”, në krizë si të gjitha mjediset e tjera të brendshme, shkollore, profesionale, etj. Ministrat përkatës na lajmërojnë papushim reforma demek të domosdoshme. Të reformojmë shkollën, të reformojmë industrinë, spitalin, ushtrinë, burgjet; por të gjithë e dinë se këto institucione kanë marrë fund, herët a vonë. Bëhet fjalë vetëm t’u zgjatet agonia, të merren njerëzit me diçka sa të zënë vend forcat e reja që po trokasin në derë. Shoqëritë disiplinore janë duke ua lënë vendin shoqërive të kontrollit. “Kontrolli” është emri që propozon Burroug për të cilësuar përbindëshin e ri dhe Fuko e pranon si të afërmen tonë të afërt. Nga ana tjetër sociologu dhe filozofi Pol Virilio nuk rresht së analizuari format ultra të shpejta të kontrollit në terren të hapur që zënë vendin e disiplinave të vjetra të ushtruara në kohëzgjatjen e një sistemi të mbyllur. Nuk është vendi të përmenden prodhime farmaceutike të papara, formime bërthamore, manipulime gjenetike edhe pse të gjitha këto tentojnë të bëhen pjesë e procesit të ri. Nuk është vendi të pyesim se cili është regjimi më i egër ose më i pranueshëm, sepse në secilin prej tyre përballen liritë dhe nënshtrimet përkatëse. Për shembull, me krizën e spitaleve, si mjedise mbylljeje, sektorizimi, spitalet e ditës, mjekimet në shtëpi mund të kenë shënuar në fillim liri të reja, por edhe të bëheshin më pas pjesë të disa mekanizmave kontrolli që maten me mjediset më të ngurta të mbylljes. Nuk është vendi të frikësohemi apo të shpresojmë, por të kërkojmë armë të reja.
Logjika/Interneti dhe mjediset e tjera të mbylljes nëpër të cilat kalon individi janë ndryshore të pavarura: duhet nisur çdo herë nga e para dhe nëse gjuha e përbashkët e mjediseve të tilla ekziston, ajo është analogjike. Ndërkohë që kontrollet e ndryshme përbëjnë ndryshueshmëri të pandara dhe formojnë një sistem me gjeometri të ndryshueshme, gjuha e të cilit është numerike (gjë që s’do të thotë me doemos binare). Mbylljet janë si kallëpe (moules), me derdhje (moulages) të veçanta, kurse kontrollet paraqiten si një modulim, si një derdhje vet-shformuese që do të ndryshonte pareshtur, nga çasti në çast, ose si një sitë nyjet e së cilës do të ndryshonin nga një pikë tek tjetra. Mund ta shohim fare mirë me çështjen e rrogave: uzina ishte një trup që i çonte forcat e brendshme në një pikë ekuilibri, sa më të lartë të mundshme për prodhimin dhe sa më të ulët të mundshme për pagat; por, në shoqëritë e kontrollit, sipërmarrja zëvendëson uzinën, dhe sipërmarrja nuk është trup por shpirt, një gaz. Sigurisht, edhe uzina e përdorte tashmë sistemin e shpërblimeve individuale, por sipërmarrja përpiqet më në thellësi të zhvillojë një modulim të çdo rroge, në gjendje meta-stabiliteti të përhershme që kalon nëpër sfida, konkurse, stazhe e trajnime tejet komike. Suksesi i madh i lojërave televizive më idiote sot, shpjegohet pikërisht më faktin se ato pasqyrojnë dhe përputhen më situatën aktuale të sipërmarrjes dhe tregut të punës. Fabrika i ndërtonte individët si trupa, në të mirë të dyfishtë edhe të pronarëve, që mbikëqyrin secilin element të masës, edhe të sindikatave që mobilizonin kësisoj një masë rezistence; kurse sipërmarrja nuk rresht së nxituri një konkurrencë të pamëshirshme nën emrin e emulacionit të shëndoshë, shtysë e shkëlqyer që i kundërvë individët mes tyre dhe që e përçan secilin ne vetvete, duke e dyzuar. Parimi modulator i “pagës sipas meritës” po grish edhe shkollën dhe sistemin e arsimit : dhe në fakt, ashtu si sipërmarrja zëvendëson fabrikën, ashtu edhe formimi i zgjatur po zëvendëson shkollën, dhe kontrolli i vazhdueshëm provimin. Gjë që është mënyra më ë mirë për ta vënë shkollën në duart e sipërmarrjes.
Në shoqëritë disiplinore, rifillimet pasojnë njëri-tjetrin (nga shkolla në kazermë, nga kazerma në fabrikë), kurse në shoqëritë e kontrollit asgjë nuk përfundon asnjëherë dhe sipërmarrja, formimi, shërbimi janë gjendjet metastabël dhe bashkekzistuese të të njëjtit modulim, si të një deformatori të përgjithshëm. Kafka, që gjendej në kufirin mes dy shoqërive, ka përshkruar tek “Procesi” format më të frikshme gjyqësore: lirimi në dukje i shoqërive disiplinare (mes dy mbylljesh), zvarritja e pafundme e shoqërive të kontrollit (në ndryshueshmëri të vazhdueshme) janë dy mënyra jetese juridike shumë të ndryshme dhe, nëse drejtësia jonë është e ndrojtur, e përfshirë nga kriza, kjo ndodh sepse jemi duke dalë nga njëra për të hyrë tek tjetra. Shoqëritë disiplinore kanë dy pole: nënshkrimin që tregon individin dhe numrin ose numrin rendor që tregon vendin e tij brenda masës. Në fakt disiplinat nuk i kanë parë kurrë këto dy tipare si të papërputhshme dhe pushteti ushtrohet njëkohësisht si masifikues dhe individualizues, domethënë ndërton si trup ata mbi të cilët ushtrohet dhe derdh në kallëp individualitetin e çdo anëtari (membre) të trupit masiv (Fuko e gjente origjinën e këtij shqetësimi të dyfishtë tek pushteti pastoral i priftit – që kujdeset për kopenë dhe secilën nga delet – por pushteti civil shndërrohet në “bari” laik edhe me mjete të tjera). Në shoqëritë e kontrollit, përkundrazi, thelbësor nuk është nënshkrimi apo numri rendor, por shifra si kod : shifra është fjalëkalim (mot de passe) ndërsa shoqëritë disiplinore punojnë me fjalë-direktiva apo urdhëresa (mots d’ordre), si nga pikëpamja e integrimit edhe nga ajo e rezistencës. Gjuha numerike e kontrollit përbëhet nga shifra që përcaktojnë marrjen e një informacioni të caktuar apo refuzimin e tij. Nuk jemi më përballë çiftit masë-individ. Individët janë shndërruar në “individualë” kurse masat në kampione, të dhëna, tregje ose “banka të dhënash”. Paraja ndoshta shpreh më mirë dallimin mes dy shoqërive, sepse disiplina gjithmonë u është referuar monedhave të shtypura kallëp që përmbanin ar si numër etalon, ndërkohë që kontrolli punon me këmbime të rrjedhshme, modulime që përdorin si shifër një përqindje monedhash të ndryshme të marra si kampione. Urithi i vjetër monetar është kafsha tipike e mjediseve të mbylljes, por ajo e shoqërive të kontrollit është gjarpri. Kemi kaluar nga një kafshë tek tjetra, nga urithi tek gjarpri, me regjimin ku jetojmë, por gjithashtu edhe në mënyrën tonë të jetesës dhe në raportet me të tjerët. Njeriu i disiplinave ishte prodhues i segmentarizuar energjie, por njeriu i kontrollit është më shumë valor, i kurbëzuar, i hedhur në orbitë, me prurje të vazhdueshme. Gjithandej surf-i ka zëvendësuar sportet e vjetra.
është e lehtë ta përngjasësh çdo shoqëri me lloje të caktuara makinash, jo sepse makinat janë përcaktuese, por sepse ato shprehin më së miri format shoqërore të afta par t’i nxjerrë në dritë dhe për t’i përdorur. Shoqëritë e vjetra të sovranitetit përdornin makina të thjeshta dhe të rënda, leva, kuzhuineta, sahate ; ndërkohë që shoqëritë e vona disiplinore kishin si pajisje makina energjetike, me rrezikun pasiv të entropisë dhe atë aktiv të sabotimit; shoqëritë e kontrollit veprojnë me makina të llojit të tretë, makina informatike dhe kompjuterë për të cilat rreziku pasiv është zhurmimi dhe ai aktiv piratimi dhe futja e viruseve. Nuk është thjesht evolucion teknologjik, por më në thellësi edhe një mutacion i kapitalizmit. Ky mutacion është i njohur dhe mund të përmblidhet kështu : kapitalizmi i shekullit XIX ecën më përqendrim, me synim prodhimin dhe me pronësi. Ai ngre kështu uzinën si mjedis mbylljeje dhe kapitalisti është pronar i mjeteve të prodhimit, por eventualisht edhe pronar i mjediseve të tjera të organizuara në analogji (shtëpia familjare e punëtorit, shkolla). Sa për tregun, sundimi në të sigurohet herë nëpërmjet specializimit, herë kolonizimit, herë me uljen e kostos së prodhimit. Mirëpo, në gjendjen aktuale, kapitalizmi nuk synon më prodhimin, që e degdis shpesh në periferitë e botës së tretë, madje edhe strukturat komplekse të industrisë tekstile, metalurgjisë dhe naftës. Kemi një kapitalizëm mbiprodhimi, që nuk blen më lëndët e para dhe nuk shet më prodhime të gatshme : blen prodhime të gatshme ose monton pjesët e këmbimit. Ato që tanimë do të shesë janë shërbimet, dhe ato që do të blejë, aksionet. S’është më një kapitalizëm për prodhimin por për produktet, d.m.th për shitjen ose për tregun. Kështu edhe në thelb është bërë shpërndarës dhe uzina ia ka lënë vendin sipërmarrjes. Familja, shkolla, ushtria, uzina nuk janë më mjedise analogjike të dallueshme që përmblidhen drejt një pronari, shtet apo fuqi private, por figurat e koduara, të palosshme dhe të shformueshme, të së njëjtës sipërmarrje që s’ka më veçse administratorë. Madje edhe arti i ka braktisur mjediset e mbyllura për të hyrë në qarqet e hapura të bankës. Sundimet e tregut bëhen me marrje kontrolli dhe jo më me formime disiplinash, me caktimin e kurseve më shume sesa me uljen e kostos, duke transformuar produktet më shumë se duke specializuar prodhimin. Korrupsioni fiton tani një përmasë të re. Shërbimi i shitjes është bërë qendra ose “shpirti” i sipërmarrjes. Na thonë sot se dhe sipërmarrjet kanë një shpirt, gjë që është me të vërtetë lajmi më i frikshëm në botë. Marketingu është bërë mjeti i kontrollit shoqëror dhe po na formon racën e paturpshme të liderëve të rinj. Kontrolli është afatshkurtër dhe me rrotullim të shpejtë, por njëkohësisht i vijueshëm dhe i pakufizuar, kurse disiplina ishte afatgjatë, e pafundme dhe e copëzuar. Njeriu sot nuk është më njeriu i mbyllur, por njeriu kreditor. Ndërkaq, është po aq e vërtetë se kapitalizmi ka patur si vijë të qëndrueshme mjerimin e skajshëm të tri të katërtave të njerëzimit, tepër të varfër për t’u dhënë kredi, tepër të shumtë për t’u mbyllur : kontrollit do t’i duhet jo vetëm të përballojë fashitjet e kufijve, por edhe shpërthimin e periferive dhe getove.