E Diel, 1 Nëntor 2026

Impiant për ujërat e zeza në Tiranë, Berisha: Adriatiku i pastër

Kryeministri Berisha, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i KKT-së, u ndal gjerësisht dhe vlerësoi shumë të rëndësishme vendimet për ndërtimin e Impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në komunën Kashar të Tiranës, si dhe të ndërtimit Parkut Industrial i Vlorës, të cilin e vlerësoi si gjenerator të krijimit të mijëra vendeve të punës  për qytetarët.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu vendimet e paraqitura për ndërtimin e HEC-ve në Kukës dhe Martanesh, duke  konkluduar se politika e shndërrimit të Shqipërisë në superfuqi te energjisë së rinovueshme në rajon po lëshon shtat çdo ditë e më shumë. Në fillim të mbledhjes, kryeministri kërkoi që të kalojnë për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit brenda një afati dy javor të gjitha materialet qe kanë mbetur pa shqyrtuar, menjëherë sapo të bëhen amendimet në VKM nga Ministria e Punëve Publike dhe Agjencia përkatëse.

Projekti më i rëndësishëm është ai i ndërtimit të impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura me sipërfaqe 530 798 m2, komuna Kashar, Qarku Tiranë. Ky projekt është investim i qeverisë japoneze me vlerë 90 milion euro. Realizimi i tij do të bëjë të mundur pastrimin në mënyrë përfundimtare të të gjitha prurjeve  e Lumit të Lanës, duke i dhënë një impakt të ri pastrimit të mjedisit në Tiranë.

“Ky është investimi më i madh që bëhet në historinë e vendit për trajtimin e ujërave të zeza, është një investim prej 90 milion euro, ndihmë bujare e qeverisë japoneze. Janë hapur procedurat e tenderit dhe fillon së shpejti. Kjo u bë e mundur pasi qytetaret e Tiranës mençurish ç’bllokuan veten e tyre nga bllokada të panevojshme, të dëmshme për ta. Ndërtimi i këtij impianti kompleton ndërtimin e impianteve të mëdha nga Velipoja në Ksamil”, tha Berisha.

Ai shtoi se më këtë investim, shumë shpejt ujërat e bregdetit shqiptar do të jenë të pastra. “Me 14 impiante dhe ky është i 15 që ndërtohen në të gjithë zonën parabregdetare dhe bregdetare bëhet  e mundur realizmi i treguesve më të pastër të ujërave të brigjeve tona. Ndërkohë, siç dihet Pogradeci është  impianti i dytë i përpunimit të ujerave të zeza që është ndërtuar në vend, po ndërtohet për Shkodrën dhe liqenin dhe shumë shpejt ne vendosim në Shqipëri ndër standardet më të mira të ndotjes së ujërave, standarde këto jetike për parandalimin e një serie të gjerë sëmundjesh”, vijoi. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-07 15:47
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›