Implementimi i IBM-it, nga 10 dhjetori

Qeveria, në mbledhjen e së premtes, ka marrë vendim që ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, ish-presidentëve dhe ish-kryeministrave të Kosovës, t’u mundësohet pajisja me pasaportat diplomatike.
Po ashtu ka kaluar projektrregullorja për kushtet e kufizimit të së drejtës për grevë në shërbime të veçanta të shërbimin civil (telekomunikim, informatikë dhe disa shërbime të tjera).
Sa i përket marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e integruar të kufirit u tha se implementimi i saj pritet të fillojë më 10 dhjetor të këtij viti.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se nuk ka kaluar projekt ligji për ndryshimin e festave zyrtare, ngase, sipas tij, kur ka të bëjë me festat zyrtare të vendit ka nevojë për një konsensus, në radhë të parë politikë, nacional por edhe etnik.
Kuçi kur ka folur për kufizimin e të drejtës për grevë, ka pohuar se disa kategorive askund në botë nuk u lejohet ta qojnë në kolaps shtetin.
“Mendojë se duhet të lexohet mirë dhe besojë që merrni konventat evropiane, merrni ato që kanë të bëjnë me direktivat e BE-së dhe e shihni se kategoritë e caktuara nuk guxojnë me kollapsu shtetin dhe kjo është me ligje”, ka thënë ai.
I pyetur se a nuk duhet të gëzojnë të drejtë greve fusha e telekomunikimit dhe informatikës të cilat bëjnë pjesë tek shërbime e veçanta, ai është përgjigjur me shaka duke iu referuar edhe pjesës së përgjimeve.
“Nëse dojnë me përgju dikë, mos me pushu”, ka thënë ai.
Kur ka folur për takimet dhe Serbinë, Kuçi ka thënë se pritet që me 10 dhjetor të fillojë zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.
“Përveç takimeve zyrtare të nivelit të lartë politikë në mes të dy kryeministrave me ndërmjetësim, ka takime të përditshme, përfshirë edhe sot, të përfaqësuesve të Kosovës, ekspertëve edhe të EULEX-it edhe të Serbisë, dhe këtu detajizohen obligimet e secilit, veç e veç, nuk ka ndonjë paqartësi. Çdo gjë po bëhet që teknikisht të përgatitemi dhe më 10 dhjetor të fillojë implementimi”, ka thënë ai.
Kuçi ka thënë se sa i përket marrëveshjes për IBM ka gjëra të shkruara mes dy vendeve, por që, sipas tij, nuk janë në formë të marrëveshjes.