Implementimi i marrëveshjeve në veri, në duar të Serbisë

Beogradi zyrtar ka marrë obligimin për të bindur autoritetet e veriut të Kosovës të banuar me serbë që të zbatojnë çfarëdo marrëveshjeje të arritur në dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Madje është caktuar edhe njeriu që do të merret me politikanët lokalë serbë.
Burime të gazetës të përfshira në procesin dialogues kanë thënë se Aleksandër Vuçiq është ngarkuar me detyrën për t’i bindur liderët lokalë që të zbatojnë marrëveshjet eventuale. Vuçiq është zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e Serbisë dhe ministër i Mbrojtjes i po kësaj Qeverie. Po kështu, para gjysmë viti ai është vënë në krye të Partisë Përparimtare Serbe, pasi pozita numër një e këtij subjekti pati mbetur bosh majin e vjetëm kur partia fitoi zgjedhjet presidenciale dhe në majë të pushtetit në Serbi u vu lideri i deriatëhershëm i saj, Tomislav Nikoliq.
“Ka qenë pjesë e diskutimeve të mëhershme në Bruksel edhe çështja e implementimit të marrëveshjeve në veri. Vuçiq është identifikuar si personaliteti që ka ndikimin më të madh dhe ka mbetur që ai të mbajë kontakte të vazhdueshme me politikanët me ndikim në këtë pjesë”, ka thënë burimi i gazetës "Koha Ditore". “Prishtina nuk mund të merrte këtë barrë. Sikur të mund t’i bindte, fare nuk do të kishte nevojë për dialog me Serbinë”./Indeksonline/