Import-eksportet, në janar u futën 2 miliardë lekë më pak mallra se 1 vit më parë
Ulen me 10 për qind importet dhe 8.5 për qind eksportet Importet dhe eksportet, për gjatë muajit janar të këtij viti kanë pësuar ulje në krahasim me vitet e tjera. Janari i vitit 2010 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, tregon se importet kanë rënë me 10 për qind, ndërsa eksportet me 8.5 për qind. Për periudhën janar të këtij viti, Shqipëria ka importuar 2 miliardë lekë mallra më pak se një vit më parë,
me një rënie totale prej 10 për qind në krahasim me periudhën janar 2009. Kurse eksportet shënuan një rënie prej 8.5 për qind gjatë muajit janar. Të dhënat nga dogana e Përgjithshme tregojnë se rënia e importeve dhe eksporteve, ka ardhur si pasojë e krizës financiare që përfshiu globin, ku mesa duket efektet e saj do të kenë ndikim edhe këtë vit. Rënia e importeve dhe eksporteve u duk edhe në 6 mujorin e dytë të vitit të shkuar, ku tendencat për uljen e këtyre dy faktorëve ishin të mëdha. Kjo dhe për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave të konsumit nga vendet ku Shqipëria furnizohej. Sipas ekspertëve të doganave edhe pse kë6ë vit taksat doganore janë më të ulëta në krahasim me vitet e shkuar,lëvizja e mallrave që hyjnë dhe dalin nga vendi jonë janë ende të ulëta. Ekspertët bëjnë të ditur se taksat doganore nga viti ë vit kanë tendenca të ulen, dhe se shumë shpejt ato do të bëhen zero, ku sipas tyre kjo është dhe rruga që e integron Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. Rënia e eksporteve është pasqyruar vitit që sapo mbyllëm në shkurtime të rëndësishme të vendeve të punës në sektorin e përpunimit aktiv, kryesisht veshje dhe këpucë. Disa fabrika u mbyllën totalisht si pasojë e rënies së kërkesës nga vendet fqinje, ndërsa shumë të tjera kanë raportuar shkurtimin e forcës punëtore. Rënia e importeve shënon rënie të kërkesës së brendshme të ekonomisë shqiptare, gjë që i dedikohet tërësisht krizës ekonomike.Bien eksportet me Italinë dhe GreqinëPor efektet e krizës botërore, kanë detyruar vendin tonë që të braktisë partnerët e përhershëm të eksporteve dhe të kërkojë tregje të reja. Sipas të dhënave më të fundit të tregtisë nga Instituti i Statistikës eksportet shqiptare me vendet tradicionale si Greqia dhe Italia ranë përkatësisht me 24 për qind dhe 9 për qind. E dukshme është rënia e eksporteve drejt këtyre vendeve e veçanërisht në prodhimet me material gjysmë të gatshme për këpucë dhe tekstile. Rënie të fluksit të mallrave pati edhe drejt Kosovës dhe Maqedonisë, qe edhe pse ishin të leverdishme nga pikëpamja e kostos së transportit këto dy vende nuk treguan afeksion për produktet shqiptare. Të dhënat zyrtare tregojnë se si rrallëherë deri në fund të muajit nëntor të vitit 2009, eksportet shqiptare, pasi braktisen tregjet fqinje europiane i drejtuan drejt Kinës. Shitjet në këtë vend u rriten gati 40 për qind ku pjesën më të madhe e zinin produktet minerale. Një partner i shumëkërkuar por i gjetur rishtaz në Europë për prodhimet shqiptare në kulmin e krizës ekonomike u shfaq Gjermania. Sipas të dhënave eksportet si 9 mujor me këtë vend u rritën me 15.5 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Por surprizë mbetet kërkesa e Zvicrës. Eksportet shqiptare me këtë vend u rritën në shifrën rekord prej190 përqind. Por për shkak të sasive të pakta, tregtia me këtë vend mbetet e ulët. Rezultatet e fundit për hartën e eksporteve shqiptare, sipas ekspertëve, tregon se kriza ndihmoi biznesin vendas që të kërkojë tregje të reja përtej atyre tradicionale dhe të rrisë shanset që në periudhë më të qetë ekonomike të ketë rritje cilësore të eksporteve ndërkohë që kriza demonstroi se cilat janë produktet shqiptare të cilat biznesi shqiptar mund të ketë një avantazh konkurrues në tregjet ndërkombëtare.Taulant Halili
Last Updated on E Merkure, 03 Shkurt 2010 21:56