E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrjeti i ri i rrugëve kombëtare

11/05/2011  Deri në 2013 përfundon autostrada Tiranë-Elbasan si dhe pjesë të Rrugës së Arbrit

Synohet dyfishimi i lidhjes tokësore me Kosovën, Greqinë, Maqedoni dhe Mali i Zi

Rrugë të reja dhe vijim i projekteve të nisura më parë në akset kombëtare. Ky është synimi i projekteve në rrugët kombëtare deri më 2013, sipas planit buxhetor afatmesëm 2010-2013. Janë rreth 336 kilometra më shumë të planifikuara dhe disa akse të rëndësishme që pritet të ndërtohen, por një vëmendje e madhe do t’i kushtohet edhe mirëmbajtjes së rrugëve të ndërtuara, apo edhe përmirësimi i pikave të zeza të aksidenteve në masën 70% deri në vitin 2014.

Synimet

Projektet e rrugëve kombëtare kanë në themel vendosjen e një shpejtësie mesatare të lëvizjes në rrjetin rrugor rreth 90 km/orë, qëndrueshmëri në rrugë të shtruara e të strukturuara sipas peshës maksimale të lejuara në BE për kamionë deri vitin 2015. Gjithashtu synohet dyfishimi i lidhjes ndërkombëtare tokësore me Kosovën, Greqinë, Maqedoni dhe Malin e Zi, si dhe realizimi i Korridorit të transportit rrugor deri në vitin 2015; Korridori 8, që përfshin aksin ndërkombëtar juglindor; Korridori Durrës-Morinë, që mundëson lidhjen me Korridorin 10, aksin Veri-Jug, Rruga e Arbrit si degë e Korridorit 8, aksin Qendror-Jugor. Deri në vitin 2015 synohet realizimi i kushteve të mira ose të pranueshme në rrugë për 75% të rrjetit, si dhe përgjysmimi i distancës kohore me Tiranën, apo reduktimi i kohës mesatare të udhëtimit ndërmjet qyteteve kryesore me 10-20% deri në vitin 2016.

Rrugët që do të ndërtohen

Gjatë tre viteve të ardhshme janë programuar të ndërtohen disa akse të rëndësishme, si rruga Kardhiq-Delvinë, e cila do të jetë me 2 kalime; dublimi i superstradës Fushë-Krujë – Milot, që do të ketë standarde ndërkombëtare me 2 kalime dhe 12 lote; ndërtimi i rrugës Kanali i Cukës-Butrint, loti 1,2, e cila përfshi ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugës lidhëse me zonën arkeologjike me 2 kalime; ndërtimi i rrugës së Valbonës, segmenti Bajram Curri-Margegaj-Dragobi-Valbonë, e cila parashikon shtesë punimesh, ndërtim dhe rehabilitim të rrugës turistike me 2 kalime. Po kështu, do të vijojë ndërtimi i segmentit rrugor Fier-Levan + By PASS Fier, më konkretisht 2.47 km në 2011, 6.17 km në 2012 dhe 6.21 km në 2013, ndërsa segmenti i rrugës Levan-Vlorë parashikohet të përfundojë i gjithi këtë vit me 9.43 km dhe një shumë prej 2,5 miliardë lekësh, ndërtim i segmentit rrugor Shkodër-Hani i Hotit, Rruga e Arbërit, sistemim asfaltim Ura Cerenecit-Peshkopi, me 2 kalime, ndërtimi i segmentit Tiranë-Bulqizë, ndërtim rruge e re me dy kalime vazhdim i rrugës së Arbërit, ndërtim i Unazës së Korçës, (unaza veriore), me 4 kalime, kryesisht ndërhyrje në shtresat rrugore pa ndërhyrje në trupin e rrugës, ndërtimi i rrugës së Porto Romanos, Durrës, (loti 1,2,3), që parashikon ndërtim dhe rehabilitim rruge, parku industrial me 4 kalime; ndërtimi i By Pass Plepa- Kavajë-Rrogozhinë, me 12 lote, ndërtim kryesisht rrugë e re plotësimi me 4 kalime; ndërtimi rruga Qukës-Qafë Plloçë (loti 1 dhe tjera), ndërtim rruge kryesisht e re me dy kalime, gjurma e rrugës “Egnatia”; sistemim asfaltim rrugët lidhëse me Bregdetin (Llogora-Sarandë), loti1,2, që përfshin sistemim asfaltim rruge me dy kalime sekondare.

Rruga Tiranë-Elbasan

Autostrada më e re Tiranë-Elbasan do të jetë me 4 kalime. Nisja e punimeve është bërë në fillim të majit dhe për këtë vit pritet që të ndërtohen 1.13 kilometrat e para, që pritet të kushtojnë rreth 1,3 miliardë lekë. Në vitin 2012 synohet që të ndërtohen 5 kilometra, të cilat do të financohen me një vlerë prej 5,7 miliardë lekë dhe në vitin 2013 synohet të ndërtohen 11.1 kilometrat e tjetra që do të financohen me mbi 12,8 miliardë lekë.

Mirëmbajtja e rrugëve nacionale

Sa u përket shërbimeve të mirëmbajtjes me firmat private, gjatë 2011-s synohet mirëmbajtja e 50% të rrjetit të rrugëve ose 1,850 km me kontrata performancë, që përbëjnë 95% të rrugëve që duhen mirëmbajtur. Një vit më vonë, në 2012, kompanitë private duhet të mirëmbajnë 80% të rrjetit të rrugëve ose 2,900 km me kontrata performancë, që janë 95% e rrugëve që duhen mirëmbajtur në kushte të mira. Ndërsa në vitin 2013 kompanitë e sektorit privat duhet të mirëmbajnë 100% të rrjetit të rrugëve ose 3,656 km me kontrata performance. Kostoja e këtyre shërbimeve është 669 milionë lekë në 2011 për 2 821 km, 1 miliard lekë në 2012 për 3 141 km dhe 584 milionë lekë për mirëmbajtjen e 3 210 km rrugë kombëtare në 2013-n.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›