E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çmimi i naftës në rënie pikiatë, në Shqipëri nuk ndryshon

SHKRUAN: Sabina Veizaj 11-05-2011 11:04

Këtë javë çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ka rënë mbi 10 për qind, mirëpo tregu vendës nuk ka reaguar. Në Maqedoni, Komisioni Rregullator për Energjetikën mbrëmë vendosi uljen e çmimeve me pakicë të karburanteve.

Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka rënë këto ditë në kuotën e 100 dollarëve, duke pësuar një rënie më shumë se 10 për qind. Mirëpo tregu vendës deri më tash nuk ka dhënë asnjë sinjal reagimi në këtë drejtim, por duke shtuar edhe rrëmujën zgjedhore konsumatorët shqiptarë do të vijojnë të blejnë naftën më të njëtin çmim. Ndikim në rënien e çmimit të naftës dha edhe forcimi i dollarit amerikan në tregjet monetare, si pasojë e problemeve europiane të borxhit sovran. Në sesionin e sotëm euro ra në pikën më të ulët 6-javore kundrejt dollarit, për t’u kuotuar në 1.4280 dollarë. Nga ana tjetër rënia e çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar po përcillet në rajon. Në Maqedoni Komisioni Rregullator për Energjetikë vendosi që çmimi me pakicë i Eurosuperit do të arrijë 76,50 dinarë, ndërsa i Eurosuperit BS-98 do të jetë 78 dinarë për litër, me një ulje 1.5 dinarë. Mirëpo në Shqipëri çmimi i karburanteve mbetët në dorë të grosistëve, pasi nuk ka një ent rregullator që i mbikëqyr çmimet si në vendet e tjera. Investitorët, javën e kaluar, u larguan nga produktet që kuotohen në dollarë, pasi në SHBA u publikuan të dhëna më të dobëta sesa priteshin lidhur me punësimin Tregtuesit që kishin blerë naftë, në mënyrë që të përfitonin nga një rënie e dollarit, dolën zbuluar, duke ndihmuar që nafta bruto të binte me më shumë se 12 dollarë për fuçi, rënia më e madhe në terma absolutë. Rënia ishte zinxhir, në të gjitha produktet, që nga kakao dhe bakri, tek argjendi dhe ari. Duket se ka të ngjarë që vrapi i rritjes së çmimeve, që i çoi ato në nivele të larta rekord për shumë produkte, të ndalet. Disa analistë thonë se tregjet mund të ringjallen me shpejtësi, siç kanë bërë pas korrektimesh të ngjashme vitin e kaluar. Ndërsa çmimet e larta po dëmtojnë kërkesën, minierat, grupet e naftës dhe fermerët janë përpjekur të nxisin ofertën për të plotësuar kufizimet në treg.

Euro ra ndaj dollarit, duke zbritur në 1.45 dollarë për një euro. Ideja se kërkesa e fortë globale po rriste çmimet e naftës u vu në pikëpyetje javën e kaluar, kur në një moment nafta ra me 12 dollarë për fuçi. Lëvizja ishte goditëse në ashpërsinë e saj dhe risolli në vëmendje ditët e errëta pas kolapsit të “Lehman Brothers”, kur shitjet masive ditore ishin një ndodhi e zakonshme. Rënia e thellë ka nxitur një raund të ri debatesh në tregun e naftës. A reflekton rënia e papritur e çmimit të naftës ngadalësimin në kërkesë? Apo është nafta një tjetër aktiv spekulativ me rrezik që po pëson një korrektim aq shumë të nevojshëm? Dhe, në rast se korrektimi vazhdon, a do të jetë kjo një gjë e mirë për ekonominë e gjerë? “Kjo është lëvizja më e madhe që nga ditët e vitit 2008”, thotë Chris Thorpe, partner menaxhues në “HCEnergy”, një tregtar në Nju-Jork. “Tregjet janë kapur të pavëmendshme pas një periudhe të gjatë luhatshmërish të ulëta dhe një treg që me ngadalë po ngjitej për më lart”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›