E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk është thjesht një emër, por historia jonë

Me propozimin për t’i ndryshuar emrin universitetit, senati i universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës dhe rektori i tij kanë marrë përsipër përgjegjësi më të mëdha seç u mbajnë shpatullat.

Universiteti “Ismail Qemali” është një universitet shtetëror, publik dhe jo privat që mund t'ia ndryshosh emrin thjesht për çështje menaxhimi, si u shpreh në media rektori i universitetit.

Mirëmenaxhimi i tij nuk varet tërësisht nga rektori, por nga shteti, kështu që rektori duhet të mbajë përsipër menaxhimin e anës mësimore brenda kornizës që i ka lënë shteti. Nuk është se në Vlorë do të vijnë të studiojnë studentë italianë apo gjermanë dhe për këtë rektori do që ta njehsojë emrin me vendndodhjen e universitetit.

Ky nivel i universitetit që pretendon rektori është një nivel që nuk marrim guximin ta mendojmë e jo më ta aplikojmë.

Detyra e rektorit është ta bëjë të famshëm në Shqipëri njëherë, e pastaj në botë.

Ndërrimi i emrit nuk mund të shkojë përtej limitit universiteti “Ismail Bej VLORA”.

Ismail Qemali nuk është thjesht një emër që duhet të lidhet me fushën e arsimit, por është një emër që lidhet me historinë e kombit.

Ne kemi shumë emra rrugësh apo shkollash publike që nuk kanë asnjë lidhje me kontributet që kanë dhënë për Shqipërinë dhe nuk i bie në mendje njeriut t’i ndërrojë e jo në një rast të tillë që është simbol i pavarësisë së kombit tonë.

Shqipëria ka parë lajthitje kombëtare si në vitin ‘97 dhe nuk i bën përshtypje lajthitja e këtij rasti, mirëpo rrethanat, në të cilat ndodhi, duhen parë me kujdes nga shteti, sepse këtu liria i kalon kufijtë e saj.

Ministria e Arsimit duhet të reagojë me shpejtësi.

Rektori kështu ka shkuar poshtë nivelit të individualitetit kombëtar të çdo qytetari vlonjat.

Çdo intelektual me rritjen e nivelit të tij kulturor kërkon të pasurojë individualitetin kombëtar dhe jo ta poshtërojë atë.

*Kryetar i Partisë Balli Kombëtar Demokrat

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›