E Diel, 1 Nëntor 2026

Importi i arit të përpunuar, taksat sipas vlerës për çdo bizhu

Importuesit përjashtohen nga taksimi i dyfishtë me TVSH. Cilësia standarde e vlerësimit të pastërtisë është karati

Ervin Koçi

Një pjesë e artikujve të importit, atyre të prodhimit vendas, lëndëve të para apo dhe të disa shërbimeve, përjashtohen nga taksimi me TVSH. Këto përjashtime kapin edhe një pjesë të metaleve të çmuara, sidomos gjatë përpunimit të tyre. Në vlerën e tatueshme të arit të përpunuar, të importuar dhe të furnizuar nga brenda vendit, nuk përfshihet vlera e arit të përdorur si lëndë e parë, duke u përjashtuar nga taksimi. Por, në vlerën e tatueshme të një importi apo furnizimit brenda vendit përfshihen përbërës materialë të tillë si, argjendi, gurët e çmuar, lëndët plastike, vlera e punës së gjallë, firot gjatë përpunimit etj. Nga TVSH-ja përjashtohen edhe produkte të tjera, të cilat kapin një mori fushash dhe sektorësh të ekonomisë, kjo për faktin se ndaj tyre nuk mund të bëhet taksim i dyfishtë me TVSH, pra edhe kur janë lëndë të para, edhe kur përpunohen. Po kështu, nga taksimi i dyfishtë me TVSH përjashtohen edhe importuesit e arit që e sjellin atë në formë bizhush, por duke paraqitur faturën e blerjes nga shitësi në vendin e huaj (të origjinës). Gjatë deklarimit në doganë ari i pastër në fatura paraqitet veçmas dhe konvertohet në valutë. Kjo vlerë nuk përfshihet në vlerën e tatueshme të importit dhe zbritet nga vlera gjithsej e arit të importuar. Mbi vlerën e mbetur bëhet taksimi në doganë për efekt të TVSH-së sipas procedurave të zakonshme të zhdoganimit.

Vlera e tatueshme

Vlera e tatueshme për arin e përpunuar, të importuar, përcaktohet në përputhje me legjislacionin doganor dhe atë tatimor të vendit. Vlerës së tatueshme të llogaritur sipas pikave 3 dhe 4 të nenit 26 të Ligjit nr. 7928, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar, i zbritet vetëm vlera e arit të përdorur si lëndë e parë, mbështetur në pikën 5 të këtij neni. Dokumenti bazë justifikues është fatura e shitësit të huaj, lëshuar në adresë të blerësit vendas (shqiptar). Nga vlera gjithsej e mallit të importuar, në faturë detyrimisht duhet të paraqitet veçmas vlera e arit të konvertuar në ar të pastër, si dhe ajo në valutë. Mungesa e një ndarje të tillë të vlerës së një furnizimi, nuk i jep të drejtë importuesit për të mos përfshirë në vlerën e tatueshme të importit vlerën e arit të përdorur si lëndë të parë. Nga vlera gjithsej që paraqitet në faturë, zbritet vlera e arit të përdorur si lëndë e parë dhe shuma që del nga kjo është e barabartë me vlerën e tatueshme që merret për bazë edhe për llogaritjen e TVSH-së. Për këtë vlerësim organet doganore shqiptare, kryesisht për llogaritjen e bazës së tatueshme për arin e përpunuar të importuar, përdorin kursin e këmbimit të arit të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila i referohet Agjencisë REUTERS.

Vlerësimi i arit

Lënda e parë ar e përdorur për prodhimin e bizhuve më të mira dhe më të shtrenjta, matet dhe konvertohet në ar me përmbajtjen e arit më të pastër në të, ose në vlerën 999.9 për qind, ose ar 24 karat. Një lëndë e tillë me përbërjen e arit kimikisht më të pastër është e kuotuar në bursë, nga ku dhe përcaktohet çmimi i tij. Ndërsa për kushtet e përpunimit, lidhja që bëhet midis arit të përdorur si lëndë e parë dhe metaleve të tjerë të çmuar, krijon kategori të ndryshme ari, që dallohen nga njëra-tjetra nga përqindja e pastërtisë. Në këtë mënyrë hyn në përdorim cilësia standarde e vlerësimit të pastërtisë së arit që është “karati” që nis nga ari më i papastër 8 karatësh ose i vlerësuar me 333.0 përqindje pastërtie, deri tek ari maksimalisht i pastër 24 karatësh, ose 999.9 për qind pastërti. Në çdo bizhuteri është e stampuar edhe shifra “për mijë” e arit të pastër në të. Kjo shifër detyrimisht paraqitet në faturën e importit dhe faturën tatimore për furnizimet brenda vendit. Nëse numri i stampuar është 750, atëherë lidhja është klasifikuar 18 karat dhe përmban 7.50 gramë ar të pastër në 10 gramë të lidhjes gjithsej.

Karati, cilësia standarde më e përdorshme e arit

Karati Pastërtia në %

8 karat - 333/000
9 karat - 375/000
14 karat - 585/000
18 karat - 750/000
21 karat - 875/000
24 karat - 999.9/000

31 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›