INSTAT: “Eksportet u rritën me 11.5 për qind gjatë muajit prill”
Në muajin prill të vitit 2008, u eksportuan 10.238 milionë lekë mallra, me një rritje prej rreth 11.5 për qind në krahasim me muajin mars të po këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, gjatë muajit prill u importuan 34.892 milionë lekë mallra, me një rritje prej 14.5 për qind në krahasim me muajin prill të vitit 2007 dhe 5.1 për qind në krahasim me muajin mars. Sipas të dhënave, deficiti tregtar në prill ishte 24.654 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 2.7 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 9.3 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007.
Tregtia me vendet e BE-së zuri 66.6 për qind, ku partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të mbeten Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 58.8 për qind dhe importi 27.5 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 13 për qind dhe importi 15.5 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: Austria, Greqia, Kina, Maqedonia, Spanja dhe Zvicra. Krahasuar me muajin paraardhës, për disa nga grup mallrat, të dhënat tregojnë se eksporti i grupit "minerale, lëndë djegëse, energji elektrike", u rrit 2 herë, "materiale ndërtimi dhe metale", u rrit 17.8 për qind, "makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, u rrit 3.4 për qind. Ndërsa, eksporti i grupit "produkte plastike" u ul 14.6 për qind. Importi i grupit "minerale, lëndë djegëse, energji elektrike" u rrit 62.3 për qind, "lëkurë dhe artikuj prej tyre" u rrit 24.2 për qind, "makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi" u rrit 2.9 për qind, etj. Ndërsa importi i grupit "tekstile dhe këpucë" u ul 5.4 për qind. Sipas INSTAT-it, në muajin prill, importi i mallrave me akcizë arriti në 3.580 milionë lekë, duke zënë 10.3 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me muajin mars të këtij viti, importet e mallrave me akcizë patën rritje prej 21.3 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës me rreth 40 për qind.
31 Maj 2008