E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria “nuk e vë pas hekurave” komandantin

09/02/2012  Apeli rrëzoi akuzën, kërkonte “arrest me burg” për Ndrea Prendin, lë në fuqi “arrest shtëpie”

Ish-shoferi Kume mbetet në “detyrim paraqitje”, debatet në sallën e gjyqit

TIRANË- Prokuroria e Tiranës nuk e mbajti dot në burg ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendin, pasi Gjykata e Apelit e la në “arrest shtëpie”, duke mos ndryshuar masën e sigurisë së dhënë nga Gjykata e Tiranës. Ndërkaq, ish-shoferi i tij Margarit Kume nga “arrest shtëpie” u la me “detyrim paraqitje”. Nga ana e saj Prokuroria parlajmëroi se do bënte rekurs në Gjykatën e Lartë dhe do ta ridërgonte çështjen në gjykatën e Tiranës, pasi kishte prova të reja që sipas saj e implikojnë Prendin në vrasjen e protestuesit Faik Myrto. Një nga provat është dëshmia e shefit të armatimit të Gardës, Mark Ndoj, që sipas akuzës vërteton se më 21 janar Prendi ka qëlluar me armën personale. Nuk dihet pse Prokuroria nuk e paraqiti dje këtë provë. Ndëkaq, vendimi i Apelit u mor pasi trupi gjykues që përbëhej nga gjyqtarët Artan Broci, Edmond Gogo dhe Gjin Gjoni u njohën me pretendimet e palëve në proces. Akuza kërkoi “arrest në burg” për Prendin, sepse kishte qëlluar me armë në drejtim të turmës më 21 janar 2011. Por Prendi, deklaroi se nuk ka qëlluar me pistoletën tip “Beretta” e kalibrit 9 mm dhe me numër P52796Z. Kërkesa e Prokurorisë ka hasur në kundërshtimin e palës mbrojtëse, e cila kërkoi mospranimin e saj. Avokati Genc Gjokutaj kërkoi një masë më të butë për klientin e tij, atë me detyrim paraqitje në organet e rendit, kërkesë që u rrëzua. Mbrojtësit kundërshtuan Prokuorinë, duke deklaruar se akuza anashkaloi ligjin e Gardës së Republikës, që prashikon se është detyrë e saj në rast sulmi. “Zgjeroje termin”,-tha gjykatësi “u sulmua me grushta Kryeministria”. Ndëkaq, Apeli ndryshoi masën e arrestit për Margarit Kume, ish-shoferin e ish-kryekomandantit të Gardës, Ndrea Prendi, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”. Avokati mbrojtës i Kumes tha se “ai nuk ka kryer vepër penale, do hetohet, po nuk ka kryer ndonjë krim. Gjykata vendosi të ndryshojë vendimin e gjykatës së rrethit me detyrim paraqitjeje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›