Topi: Nuk do të kandidoj për president, kthehem në politikë
“Në ritualin e këtyre takimeve, ky i sivjetshmi padyshim që është i fundit në cilësinë time si president, pasi sot një vit, dikush tjetër do të jetë në këtë pozicion institucional”
Me rastin e festave të fundvitit, presidenti Topi zhvilloi ditën e djeshme pritjen tradicionale në ambientet e Presidencës, ku ishin të ftuar drejtues, gazetarë, analistë, studiues, administratorë dhe përfaqësues të tjerë të medias së shkruar dhe elektronike shqiptare. Në këtë takim, Topi la të kuptohej qartë se ai nuk do të garojë më për postin e Presidentit, duke theksuar se vitin e ardhshëm do të jetë dikush tjetër që do të zhvillojë këtë pritje. Me këtë deklaratë, ai konfirmon edhe njëherë rikthimin e tij në jetën politike të vendit. “Besoj që në ritualin e këtyre takimeve, ky i sivjetshmi padyshim që është i fundit në cilësinë time si president, pasi sot një vit dikush tjetër do të jetë në këtë pozicion institucional. Kam qenë gjithmonë inkurajues i këtyre rotacioneve të natyrshme, sidomos i një shoqërie si e jona që për shkak të specifikave, vende që dalin nga izolime të thella në një tranzicion ndoshta të vështirë”, - u shpreh Topi. Nga ana tjetër, kreu i shtetit theksoi se jeta politike në vend, jeta institucionale dhe ajo e medias gjithashtu, gjatë vitit 2011 është shoqëruar nga zhvillime dinamike.
Roli i medias
Topi ngriti lart rolin e medias në kuadër të komunikimit me qytetarët. Ai theksoi se pavarësisht konkurrencës dhe relativitetit që mbart në vetvete kjo fushë, me rëndësi është që të gjithë së bashku të jenë në sinkron me problemet që hasen hap pas hapi. “Ju falenderoj për këtë mision të vyer, vlerësoj zhvillimin e medias në këto vite, jo thjesht në fushën e teknologjisë. Kjo ditë është veçanërisht për t’u përshëndetur me njëri-tjetrin. Në fushën tuaj ka edhe relativitet, ka konkurrencë, dikush është para, dikush mbrapa, por rëndësia ka që të gjithë bashkë të shkojmë në sintoni me problemet”, - theksoi kreu i shtetit.
Presidenti një pjesë të veçantë në fjalën e tij ia ka kushtuar pavarësisë së medias. Lidhur me këtë çështje, kreu i shtetit apeloi se mediat në Shqipëri duhet të krijojnë pavarësinë e tyre nga politika, duke shmangur njëanshmëritë në informimin e qytetarëve. Gjatë apelit të tij, Topi i është drejtuar konkretisht TVSH-së, duke theksuar se pavarësia duhet të mbizotërojë në këtë institucion, pasi e ka dhe detyrim kushtetues pavarësinë e saj. “Mesazhi më i rëndësishëm që do të jepja sot është që media, pavarësisht se është bashkudhëtuese e të gjitha ngjarjeve, duhet të jetë vetvetja, duhet të ketë më shumë pavarësi, më shumë profesionalizëm. Njerëzit sot kërkojnë një media të lirë, të pavarur, duke filluar së pari nga institucioni që e ka detyrim kushtetues: Radio Televizioni Publik Shqiptar. E kanë detyrim kushtetues, por nga ana tjetër duhet ta demonstrojnë që është një televizion i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga orientimi, pavarësisht nga pakënaqësitë që kanë për dikë, pra, të jetë një radiotelevizion që duhet të jetë në një farë mënyre edhe pikë referimi për të tjerët”, - theksoi Topi. Presidenti vlerësoi rolin e gazetarëve në ngjarjet e 21 janarit.
”Dëshiroj të përshëndes të gjithë ata gazetarë, të cilët kanë ndjekur sidomos gjatë vitit 2011 ngjarje që kanë qenë shumë intensive në Shqipëri. I kanë ndjekur me shumë guxim, me shumë trimëri. Them fjalën trimëri, se janë futur në ato mjedise ku dikush ka ngrënë dhe plumba”.