E Shtunë, 31 Tetor 2026

Impresioni për premierën në Shqipëri

Goran Paskajoviç: Tani jam në shtëpi!

“Shumë nga shikuesit që e kanë parë këtë film, kanë thënë se do të dëshiroja që filmi të vazhdonte akoma. Dhe këto dy çifte të kishin një pikë takimi në Evropë. Historia ndërpritet atje ku audienca mendon se do të fillojë diçka e re. Në qoftë se e keni vënë re në përfundim të filmit, ne shikojmë një tren që lëviz që do të thotë se jeta vazhdon, duke marrë parasysh se edhe protagonistja në film ishte edhe shtatzënë, po ashtu një detaj tjetër është kur kamera në burgun e Nikut depërton jashtë nga hekurat e burgut, pra është në ecje dhe ky ishte mesazhi që do të doja t’i jepja Evropës, që ata të ndienin shijen e fajit sepse politikisht ajo që ndiej është fakti se ne jemi në Evropë, por e vërteta është se duam të jemi pjesë e Evropës së bashkuar. Kjo është një gjuhë elegante e kinematografisë. Doja që audiencës t’i jepja shijen e fajit për këtë pjesë të Evropës, sepse politikisht Serbia dhe Shqipëria kanë të përbashkët që të dyja shtetet janë pjesë e Evropës dhe të dyja duan të jenë e Evropës së bashkuar. Evropa do të na pranojë në gjirin e saj. Ajo që doja të theksoja në këtë film, është fakti se unë kam qenë disa herë në Itali dhe e di si priten emigrantët atje. Mendoj se Evropa ka një paragjykim për vendet tona dhe ne kërkojmë të japim mesazhin se në këto vende ka njerëz të mirë që po bëjnë një jetë dinjitoze, më të mirë të mundshme. Vende të tilla nuk mund të njihen vetëm nga droga, krimet etj.

Pas disa javësh ky film do të shfaqet në kinematë e Parisit dhe më pas në Spanjë, po kështu Amerika Latine do ta blejë këtë film. Por ne mendojmë se filmi duhet të ketë distribucionin që të shkojë në kinema në sa më shumë vende që të jetë e mundur.

Jam i kënaqur që nuk kam pasur goditje nga ekstremistë, ai është një film human dhe s’ka pse të ndodhë kështu. Mediat kanë qenë tepër pozitive për filmin, me përjashtim të disa mediave jo shumë të dëgjuara, të cilat kanë dhënë opinionin e tyre për këtë film”.

Yllka Mujo: Për filmin s’duhet të ketë paragjykime

“Ka qenë një fat i madh që kam bashkëpunuar me një regjisor me emër, ka qenë një shkollë për ne. Regjisori ka qenë shumë i kthjellët për ato që donte të arrinte.

Nuk ka përse të ketë paragjykime për këtë film dhe unë nuk është se kam pasur ndonjë të tillë. Përkundrazi, ka qenë një kënaqësi për mua që mora pjesë në këtë film. Kemi gjetur raporte të përbashkëta, është hapur një dritare e re për aktorët shqiptarë”.

Jozef Shiroka: Filmi është një akt human

“Nuk mendoj se kishte paragjykime. Unë e dija kush ishte Paskajoviç dhe nuk kishte pse të krijoheshin paragjykime politike, sepse filmi është një akt human. Nga ky bashkëpunim zbulova njerëz shumë të mirë, kjo gjë më ka goditur shumë personalisht.

Nuk besoj se gjuha e filmit duhet të jetë e ndare në targete. Ne në film mendojmë që të sjellim realitetin. Edhe nëse shohim një film në Evropë, nuk është e ndarë në aksentë.

Kjo gjë nuk është bërë vetëm për Shqipërinë, por edhe në vendet e tjera të xhirimit, siç është Vojvodina, nuk janë ruajtur karakteristika të vendit. Tek filmi nuk kishte rëndësi gjuha që duhej përdorur, kjo gjë u është lënë në dorë vetë aktorëve”

Aktori serb Nebojsa Milanoviç: Në Shqipëri, klima e butë e njerëzve

“Aktorët ishin të shkëlqyeshëm e të rrallë në punën tonë, ishin jashtëzakonisht njerëzorë gjatë ditëve që kemi bashkëpunuar, madje mund ta quaj si mit atë tregim brenda filmit. Është puna e tyre krijuese që ka ndikuar në ecurinë e filmit. Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe ajo çka më mban 24 orë këtu është klima dhe ngrohtësia e njerëzve.

Për sa i përket gjuhës së filmit, ajo ishte shumë e fortë, por ajo që më ra mua në sy, nuk ishte klima jugore, por klima e butë e njerëzve”.

Aktorja serbe, Jelena Trkulja: Shqiptarët më janë dukur ekzotikë

“Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje, është se aktorët shqiptarë janë vërtet shumë ekzotikë. Nuk kishim menduar të bënim një film me histori tonën apo tuajën, sepse arti na ka bashkuar në një të tërë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›