E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, ekzekutohet me plumb në gjoks shqiptari

Vrasje në qendër të Firences në Itali. Një shqiptar është vrarë në qendër të qytetit nga dy persona të tjerë, të cilët dyshohen se janë bashkatdhetarë të viktimës. Sipas policisë italiane, shqiptari 29-vjeçar është qëlluar me një plumb në gjoks në orën 03.00 të mëngjesit në sheshin San Pier Maxhore, në zonën San Pierino, dhe ka ndërruar jetë në orën 04.15 minuta po të mëngjesit të djeshëm në spitalin Karexhia, ku ishte transportuar me autoambulancë. Dyshohet se krimi në zonën Arko të San Pierinos, në qendrën historike, të jetë kryer nga dy bashkatdhetarë të viktimës. Mediat italiane që kanë bërë publike ngjarjen nuk knëa dhënë detaje rreth identitetit të 29-vjeçarit shqiptar, por ndërkohë bëhet e ditur se policia ka nisur kërkimet për dy autorët e vrasjes. Në vendngjarje kanë mbërritur ekspertë të institutit shkencor dhe ekspertë kriminalistë, të cilët kanë grumbulluar të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të krimit. Nga hetimet e para të policisë dyshohet se krimi ka ndodhur për larje hesapesh. Nga verifikimet e para nuk rezulton që 29-vjeçari të ketë pasur precedentë të mëparshëm penalë, ishte me dokumente të rregullta në Itali, ndërkohë që është duke u verifikuar rregullsia e dokumentacionit të tij. Sipas ndërtimit paraprak të skenës së krimit, nisur edhe nga dëshmitë dhe provat e mbledhura në vendngjarje, në momentin e ngjarjes, i riu ka qenë në shoqërinë e një miku të tij kur është përplasur me dy shqiptarët që kryen krimin. Vetëm njëri prej të dyve, sipas dëshmisë së shokut të viktimës, ka qëlluar me pistoletë 29-vjeçarin, ndërkohë që është përpjekur të vrasë edhe mikun e viktimës. Sipas burimeve, për fatin e mirë të shokut të viktimës, pistoleta e vrasësit është bllokuar, duke bërë të mundur largimin në kohë të dëshmitarit okular të ngjarjes, ndërsa autorët janë larguar me vrap në këmbë. Dëshmitari i vetëm i kësaj ngjarje ka dhënë dëshminë e tij për gjithçka kishte dijeni rreth ngjarjes, ndërkohë që policia e Firences ka ngritur postblloqe në çdo rrugë, si dhe ka njoftuar edhe kuesturën e Toskanës për ngjarjen. Sipas dëshmitarit, viktima 29-vjeçar ka qenë një djalë i mirë, kishte punuar më parë për UNICEF-in dhe tashmë ishte i papunë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›