E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen dy grabitës, u gjenden me armë me silenciatorë e minë me celular

Policia e Durrësit: Bardhi e Ndregjoni, dy autorët e grabitjes së një dyqani

Dy persona të dyshuar si grabitës janë prangosur nga policia e Durrësit, ndërkohë që në momentin e arrestimit u janë konfiskuar edhe armë dhe një minë me celular. Dy të rinjtë janë arrestuar nga policia e qytetit bregdetar në kuadër të operacionit të koduar “Kasaforta". Sipas burimeve zyrtare policore, në pranga janë vënë shtetasit Arbër Bardhi 21 vjeç dhe Sali Ndregjoni 19 vjeç, pasi u siguruan prova të forta që vërtetojnë se ata janë autorë të grabitjes së djeshme që iu bë një dyqani në qytetin bregdetar. Sipas burimeve, të dy këta shtetas në bashkëpunim me 22-vjeçarin Alfred Skonja, i cili është shpallur në kërkim, kanë grabitur dje në orët e para të mëngjesit karta rimbushëse të kompanive Vodafone, AMC dhe Eagle, karta dixhitale dhe telefona celularë, me një vlerë 12 milionë lekë dhe kasafortën e lokalit me administrator Agron V., në të cilën ndodheshin 500 mijë lekë të prerjeve të ndryshme. Për të realizuar grabitjen, autorët shembën një pjesë të mirë të murit të dyqanit. Por, shenjat e gishtërinjve lënë në vendin e krimit çuan policinë në arrestimin e tyre dhe më pas në kontrollin e banesave të secilit. Forcat e policisë kanë punuar intensivisht gjatë gjithë dy ditëve më parë dhe në banesën e Sali Ndregjonit kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, përveç mallrave të grabitura me vlerë 6 milionë lekë, edhe një pistoletë “Zastava” me silenciator dhe një autoveturë “Alfa Romeo” me targë BJ223JF të falsifikuar dhe pa dokumentacion, të cilën autorët e kanë përdorur gjatë grabitjes. Përmes një konference për shtyp, policia e Durrësit bëri të ditur se në banesën e 22-vjeçarit Alfred Skonja, i cili është shpallur në kërkim, janë gjetur materiale të vjedhura me vlerë 5 milionë lekë, si dhe 300 mijë lekë kartëmonedha. Gjatë kontrollit në garazhin e shtetasit Arbër Bardhi është gjetur një bombë me telekomandë e tipit celular, e cila është çaktivizuar nga specialistët e Ministrisë së Brendshme. Burimet thanë se specialistët e hetimit të krimeve po punojnë për dokumentimin me prova ligjore dhe të disa veprave të tjera penale që ky grup ka kryer kohët e fundit në qytetin e Durrësit. Ndërkohë që burimet theksuan se në garazhin e Arbër Bardhit u gjet një minë që aktivizohej me celular. Sipas burimeve policore, është bërë shpallja në kërkim policor e shtetasve Ismail Deshuka e Alfred Skonja dhe po vazhdon puna për kapjen e tyre. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale të “Vjedhjes ” së kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 134/3 -25 dhe 278/2 të Kodit Penal.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›