E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksion për regjisorin serb, kur jemi të mirë mes nesh

Po të duam, jemi të mirë!

Të gjitha palët që ishin pjesë e lojës në filmin “Muajt e mjaltit” të Goran Paskajoviç, pra aktorët, skenaristi, regjisori si dhe producenti kanë përjetuar një bashkëpunim të shkëlqyer deri në melodramë, pra kanë derdhur lot për njëri-tjetrin. Ata dolën tepër të kënaqur nga ky produksion serbo-shqiptar, një marrëdhënie e thjeshtë pune për një karrierë ambicioze artistike. Regjisori Paskajoviç para pak kohësh ishte në Festivalin e Venecias për të treguar shqetësimet e tij si autor, për të treguar të vërtetën në një areal ballkanik përmes filmit, sepse targeti evropian i festivalit ishte indipendenca.

Shtoji kësaj atmosfere dhe suksesin që pati filmi në Greqi, si vlerësim nga publiku, duket se mbi kryet e vendeve tona, pra serbëve e shqiptarëve, ekzistojnë paranoja të kota. Aktorët serbë thanë se na kishin paragjykuar ne shqiptarët dhe patën frikë të vinin në Shqipëri - aludimi ndonjë hakmarrje prej Kosovës. Ndërsa shqiptarët e sotëm të Shqipërisë kurrë nuk e njohin këtë frikë të brendshme që i shoqëron serbët sa herë vijnë për plane artistike këtej dhe në të kundërt e shqiptarëve të Kosovës, ne këtu në Shqipëri nuk i shohim realisht me urrejtje këta serbë të rinj. Arsyeja vetiu të çon tek pyetja: Pse kjo frikë e serbëve dhe për pasojë paragjykim i tyre për të ardhur në Shqipëri, kur papritur ndodh zhgënjimi - se priten mirë e bashkëpunojnë për mrekulli?!

Filmi “Muajt e mjaltit” që pati dy skena paralele të jetëve në Serbi dhe në Shqipëri, ku dy çifte pothuaj përshkojnë të njëjtën kohë për të mbërritur tek e vetmja pikë e përbashkët; dëshira për të shkuar në Evropë - nuk besojmë se dha një leksion për të treguar realitetin apo pretendimin për të thënë të vërtetën. Kjo e fundit është e vështirë të gjendet në realitetet tona, kur kemi aq shumë probleme “psikologjike”, qoftë me paranojën, frikën, sindromën e hakmarrjes, shpërfilljen e njëri-tjetrit.

Ky film më thellë në subkoshiencë na zbulon në fund të saj dhe nga konferenca e djeshme për shtyp një çështje shumë të madhe mes nesh: se kur duam të bashkëpunojmë, shkojmë mirë, shkëlqyer me njëri-tjetrin, se kur kemi interes për njëri-tjetrin, pra për të qenë bashkë, shkojmë prapë shkëlqyer. Sikur ky mirazh të funksiononte në një realitet aktual politik, pa dyshim që, si serbët dhe shqiptarët, do t’i kishin larë hesapet me politikën dhe regjisori Paskajoviç nuk do ta mbyllte filmin e tij në zonën neutrale me Evropën. Paskajoviç na e jep realitetin e të dy vendeve, në Shqipëri dhe Serbi, me ironi të thershme, pse ne kemi mbërritur në këtë pikë, si njerëz që nuk kemi vetëdije për shtëpinë tonë. Askush nuk do të guxonte të hapte derën e shtëpisë së tij, nëse nuk ka siguri tek ti. Aktorët serbë pas premierës së djeshme e vërtetuan këtë duke u shprehur se patën frikë të vinin në Shqipëri se mos hakmerreshin shqiptarët. Relacioni ynë i brendshëm është kushti sot për Evropën.

Pas këtij diskursi regjisori serb Goran Paskajoviç u shpreh se shqetësimi i tij nuk është politik, por artistik dhe se të gjithë së bashku do të donte të ishim në Evropë. “Si Kosova, Shqipëria dhe Serbia të gjithë së bashku në Evropë, do të thotë se kemi pranuar rregullat”. Pa dyshim se Paskajoviç nuk është “antishqiptari” i Kosovës, aktori Çun Lajçi ka pohuar se korifenjtë e kinemasë kosovare kanë bashkëpunuar me këtë regjisor dhe ndodhen në këtë zonë neutrale të Evropës, pra në kufij me plot paragjykime e frikëra vetëm prej propagandës negative.

Se sa i çliruar nga ky film ka qenë në fund të realizimit dhe pas suksesit, regjisori serb e ka shprehur përfundimisht dje në premierën shqiptare: “Kur vij këtu, ndihem si në shtëpinë time, këtu ka aktorë të mrekullueshëm. Tashmë atmosfera është krijuar. Nuk kam ndonjë plan, por pse jo. Tashmë testin e bashkëpunimit e kaluam. Kishim një lloj përzierjeje të aktorëve serbë me ata shqiptarë dhe kur unë ua propozova në fillim aktorët tanë u frikësuan paksa për faktin e një propagande jo të mirë që u është bërë shqiptarëve”.

Paskajoviç “shpëton” nga ky kurth etnik duke e mbështetur filmin e tij në rrëfime krejtësisht të sinqerta nga “fronti” mental serb, se çfarë ziejnë në kokat e tyre si qenie, njerëz dhe aspak në ndonjë këndvështrim etnik tendencioz. Përveç ndonjë rasti tepër të hollë që atmosfera serbe, qoftë pasazhi i dasmës apo i fshatit ku ishin bërë xhirimet, na tregonin një Serbi me traditë - lokali apo shtëpitë të veshura me qilima të qëndisur, punët karakteristike të shtëpive apo banda muzikore tradicionale. Në të kundërt ishte sfondi etnografik shqiptar ku fshati i zgjedhur, si gjoja në Kukës, nuk ofronte asnjë pamje tradicionale të vendit përpos vendosjes së kamerës vetëm brenda një shtëpie gati të rrënuar, tepër të zymtë kur dihet se në këto zona kullat janë ndërtimet karakteristike, po aq sa odat e hershme tradicionale me sofër e oxhak që ende ekzistojnë në fshatrat më të thella. A thua kjo t’i ketë shpëtuar regjisorit Paskajoviç apo bashkëpunëtorët tanë shqiptarë janë treguar më cinikë se ç’duhet me vendin e tyre?!

Prandaj, nuk e shpjegojmë dot çfarë shprehën aktorët serbë kur thanë se i ka tërhequr “ekzotika” në Shqipëri si dhe tek interpretimi i aktorëve. E vetmja pyetje për shqiptarët që janë në dilemë është: Pse vazhdojmë të quhemi në sytë e të tjerëve si vend ekzotik, si njerëz ekzotikë, kur jetojmë në të njëjtën hapësirë gjeografike apo qoftë dhe të ndryshme? Mos vallë varfëria jonë jetike apo varfëria jonë identitare, e tradicionit, e historisë e bën të dukemi aq të largët nga kjo pjesë jugore e Evropës!? Apo kemi vetë dëshirë të ekspozojmë shpërfilljen tonë ndaj vlerave që kemi, të paktën ato që kemi trashëguar e që dihen historikisht? ǒështë ky injorim që vjen nga pala shqiptare e vetvetes!? Nëse na shqetëson më shumë kufiri i Evropës se kokat tona, sigurisht që do të jetë e vështirë ta perceptojmë vendin tonë pa viza. Kjo logjikë këtij filmi nuk i shkon dhe pse është një film realist, pa paragjykime dhe pa sindroma. Po të vërtetën e ka brenda për të dy etnitë, serbë e shqiptarë, si popuj kompleksivë të Ballkanit.

Nuk është problemi i frikës vetëm për shkak të luftës që ka ndodhur në Kosovë, kur bëhet fjalë për shqiptarë e serbë, por përtej kësaj nga ky film historia nuk njeh të kaluar. Ajo është e thjeshtë, e ndaluar në kohën sot, e treguar me gjithë këto paranoja që na dëshmojnë se jemi ende të sëmurë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›