Imunitetet, Pollo: Të angazhuar edhe për ndryshim në Kushtetutë
TIRANË Në takimin e gjashtë të grupit drejtues të projektit kundër korrupsionit, ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e Komunikimit, Genc Pollo, ka deklaruar se për kufizimin e imuniteteve ekzistojnë disa rrugë; përmes ndryshimeve kushtetuese ose miratimit të një ligji me 3/5-at. “Në lidhje me çështjen e shumëpërfolur të imuniteteve, aktivitetet e projektit PACA, tryezat e rrumbullakëta të muajve prill dhe tetor 2011 kanë qenë një hap i suksesshëm, të paktën përsa i përket mbledhjes së të gjithë aktorëve të interesuar, për të debatuar haptazi dhe për të shprehur qëndrimet e tyre mbi këtë çështje tepër delikate. Përfaqësues të të tre pushteteve (legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori), përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës u shprehën se imunitetet, si të zyrtarëve të lartë dhe të gjyqtarëve, duhen limituar. Mjetet apo rrugët ligjore për arritjen e këtij rezultati mund të jenë të ndryshme: ndryshime kushtetuese apo miratim ligji me 3/5-at e votave. Nga ana ime gjej rastin të theksoj angazhimin e Qeverisë shqiptare se jemi të gatshëm për të gjetur një zgjidhje optimale dhe përfundimtare për çështjen e imuniteteve, përfshi edhe ndryshimet kushtetuese, nëse opozita nuk lidh mbështetjen për to me kushtëzime ekstra”,- tha Pollo. Projekti kundër korrupsionit në Shqipëri është një projekt i përbashkët asistence teknike i Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, i nisur që nga 1 shtatori 2009 për një periudhë 30-mujore.