Kryesia e re e PS, ja emrat që ikin dhe anëtarët e rinj
Partia Socialiste hyn në etapën e fundit të zgjedhjeve të brendshme, ku pritet propozimi i Ramës për më shumë anëtarë në Kryesi. Ja cilët janë emrat që rrezikojnë të mbeten jashtë kryesisë dhe sekretariatit dhe prurjet e reja
Tiranë Mbyllja e procesit të numërimit të votave për anëtarët e Asamblesë Kombëtare shënon dhe kalimin në etapën e fundit të zgjedhjeve të brendshme në parti, atë të krijimit të Kryesisë dhe sekretariatit të ri të partisë. Do të jetë pikërisht mbledhja e konstituimit të Asamblesë së re, ajo që do të bëjë votimin e anëtarëve të rinj të forumit më të lartë drejtues si dhe sekretarëve, në bazë të listës që pritet të propozojë kryetari i partisë apo edhe emrave të tjerë që mund t’i shtohen asaj me propozim të anëtarëve të Asamblesë. Për të mos krijuar të pakënaqur, pritet që kryetari i PS-së, Edi Rama, përveç listës së emrave t’i paraqesë edhe një propozim Asamblesë për të rritur numrin e anëtarëve të Kryesisë. Kryetari i PS-së, Edi Rama mund të propozojë edhe ristrukturim të sekretariatit ekzekutiv, në përputhje me nevojat dhe prioritetet e zhvillimit brenda PS-së.
Kryesia
Megjithëse përvoja që ka krijuar PS-ja ka treguar se të qenit anëtar kryesie nuk të bën detyrimisht edhe deputet, sërish zgjedhja në të shihet nga shumë figura në selinë rozë si një moment i rëndësishëm. Ndaj, për rrjedhojë ditët e fundit janë shtuar ethet për kompozimin e këtyre dy forumeve drejtuese, ndërsa të gjithë pretenduesit janë në pritje të listës që është duke hartuar dhe do paraqesë për t’u votuar kryesocialisti Edi Rama. Pavarësisht se lista nuk konsiderohet e mbyllur, burime nga PS-ja kanë bërë të ditur disa nga emrat më të mundshëm që mund të përfshihen në të dhe të cilët potencialisht do të jenë anëtarët e rinj të Kryesisë dhe sekretariatit. Së pari, në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Kombëtare që pritet të zhvillohet brenda dhjetë ditëve, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në përputhje edhe me kompetencat që i njeh statuti mund të propozojë shtimin e numrit të anëtarëve të Kryesisë nga 16 anëtarë që ka tani në 18 ose 20. Më pas, Rama në bazë të këtij ndryshimi do të paraqesë dhe listën që do t’i propozojë Asamblesë për anëtarët e rinj të kryesisë. Burime pranë tij kanë bërë të ditur se emrat e propozuar do të jenë më shumë sesa janë vendet në kryesi, ndërsa do të respektohet edhe detyrimi statutor që 30 për qind e anëtarëve të rinj të jenë femra.
Lista
Për shkak të largimeve të ndodhura gjatë viteve të fundit dhe vendeve vakante të mbetura në kryesinë aktuale, kreut socialist i është krijuar një hapësirë më e madhe për të përfshirë në këtë forum më shumë emra të rinj. Hapësirat më të mëdha janë krijuar në 30 përqindëshin që u përket grave, pasi në Kryesinë e re nuk do mund të zgjidhet Ermelinda Meksi, e cila u votua para disa ditëve si anëtare e Këshillit Drejtues të BSH-së, e as Eva Allushi, Saemira Pino e Edlira Haxhiymeri, të cilat nuk u rizgjodhën as në Asamble për shkak se prej kohësh janë shmangur nga aktivitetet partiake. Në kryesi me shumë mundësi nuk do zgjidhet as Mimoza Hafizi. Ndaj, në rastin e 30 përqindëshit që u përket grave, Rama ka mundësi që të fusë një sërë emrash të rinj të grave dhe me shumë gjasa pritet të propozojë përveç emrave që mbeten, edhe ata të Vasilika Hysit, Ardiana Berberit, Adelina Fariçit si dhe atë të Eglantina Gjermenit, e cila shihet si kandidatura më e mirë për të zënë vendin e Edlira Haxhiymerit në postin e Sekretares për Shanset e Barabarta. Gara më e fortë pritet të jetë për anëtarët meshkuj, kjo jo vetëm për shkak të emrave të shumtë që pretendojnë të bëhen pjesë e këtyre dy forumeve, por edhe sepse kërkohet një shpërndarje e tillë ku çdo qark duhet të ketë nga një përfaqësues, i cili në bazë të statutit duhet të jetë dhe përgjegjësi politik më i lartë në të. Kështu, me pikëpyetje është përfshirja në listë e Kastriot Islamit dhe Andis Harasanit, të njohur për qëndrimet e tyre kritike ndaj lidershipit socialist, si dhe kandidatura e Arben Isarajt. Konfirmohen në këtë listë emrat e Arben Malajt, Ben Blushit, Namik Dokles, Erion Braçes, Pandeli Majkos etj. Ndërkohë që në listën e kandidatëve mësohet se do të shtohet emri i Ilir Beqjes, i cili mund të jetë ose në listën e Kryesisë, ose në atë të sekretariatit, dhe që mund të zëvendësojë Andis Harasanin në postin e Sekretarit për Programin. Gjithashtu, në kryesi pritet të përfshihet edhe Sajmir Tahiri dhe Taulant Balla. Ky i fundit mund të ndërrojë vendin me Arta Daden për të marrë postin e sekretarit të Marrëdhënieve me Jashtë, në rast se Dade do të kalojë si anëtare kryesie. Lista pritet të jetë e pasuruar edhe me emra të tjerë si ai i Bashkim Finos, Armando Subashit, Xhovalin Kadelit, Vangjush Dakos, Maqo Lakrorit apo Ditmir Bushatit. Ndërkohë që në listën e sekretariatit, largimet e Islamit, Harasanit e Haxhiymerit mund të zëvendësohen përkatësisht me Damian Gjiknurin si sekretar për Çështjet Elektorale, Ilir Beqjen si sekretar për Programin, dhe Eglantina Gjermenin si sekretare për Shanset e Barabarta. Pritet të konfirmohen në pozicionet që mbajnë aktualisht Blendi Klosi, Fatmir Xhafaj dhe Besnik Bare.
Sekretariati
Sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Arta Dade ose Taulant Balla
Sekretari Organizativ Blendi Klosi
Sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta ikën Edlira Haxhiymeri dhe pritet të propozohet Eglantina Gjermeni
Sekretar i Burimeve Njerëzore Et'hem Ruka
Sekretar për Koordinimin dhe Çështjet Ligjore Fatmir Xhafaj
Sekretar për Çështjet Zgjedhore ikën Kastriot Islami dhe pritet të propozohet Damian Gjiknuri ose Armando Subashi
Sekretar për Çështjet e Mjedisit Besnik Baraj
Lista e re që mund të propozojë Rama
në Asamble për anëtarë kryesie dhe sekretariatin
Gramoz Ruçi
Ben Blushi
Arben Malaj
Erion Braçe
Ledi Shamku ?
Namik Dokle
Pandeli Majko
Valentina Leskaj
Mimi Kodheli
Lindita Nikolla
Saimir Tahiri
Arta Dade ose Taulant Balla
Ilir Beqja
Adelina Fariçi
Vasilika Hysi
Bashkim Fino
Armando Subashi ?
Xhovalin Kadeli
Arben Isaraj ?
Vangjush Dako
Maqo Lakrori ?
Ardiana Berberi
Shkëlqim Cani