Kurbani, Edi Rama: E vërteta e “faljes së Saliut” për Gërdecin dhe lidhjet me Delijorgjin
Lideri i opozitës, Edi Rama, u jep përgjigje në librin “Kurbani” akuzave për një pazar Rama-Berisha për ndryshimet kushtetuese dhe për faljen e tragjedisë së Gërdecit. “Po t’i dija atë çast të gjitha ato që më vonë dolën, shpatullat nuk do t’ia rrihja Kryeministrit që bënte të bukurin shejtan, po as takimin nuk do ta shmangia e as mesazhin e solidaritetit kombëtar”
A kishte një pazar Rama-Berisha për ndryshimet kushtetuese, NATO-n e deri te çështja e diskutuar shumë gjatë këtyre viteve si “falja” e Gërdecit? Lideri i opozitës, Edi Rama jep versionin e tij për këto pandehma, por edhe për komentet mbi lidhjet e tij me Mihal Delijorgjin. Në librin “Kurbani” Rama rrëfen se, nëse do të dinte ditën e tragjedisë të vërtetën e Fabrikës së Vdekjes, nuk do t’ia rrihte shpatullat Berishës në Spitalin Ushtarak, por edhe nuk do të ndryshonte asnjë presje nga mesazhi i solidaritetit në ditë tragjedie. Rama shpjegon marrëdhënien e tij me Mihal Delijorgjin dhe marrjen prej tij të tri lejeve të ndërtimit.
Edi Rama
…S’ka ekzistuar kurrë ndonjëherë një pazar Rama-Berisha dhe nëse për pjesën e kritikueshme të ndryshimeve kushtetuese unë sot bashkohem me argumentet që asokohe s’arrita t’i shoh objektivisht, i thithur siç isha prej qëllimit të mirë të përmirësimit të sistemit politik e, pse jo, fatkeqësisht edhe më besimplotë se ç’duhej te bindja ime se fitorja e zgjedhjeve të një viti më vonë s’do mund të na grabitej kurrsesi e kësisoj shumica jonë do ta emanciponte politikën duke mos i përdorur 71 kartonët e nevojshëm për të zgjedhur një president të rreshtuar politikisht me ne, po për t’i dhënë vendit shembullin e një politike të re edhe në këtë drejtim duke zgjedhur një kryetar shteti me rezonancë morale përtej së majtës e së djathtës, për gjithçka u tha e thuhet lidhur me tragjedinë e Gërdecit ndihem i lënduar padrejtësisht. Edhe më shumë, nëse s’do të bëja të njëjtën gjë e as do të zgjidhja më të njëjtën mënyrë për të ndërhyrë në Kushtetutën e vendit, do të bëja pikërisht atë që bëra dhe asgjë tjetër, qoftë në korridorin e Spitalit Ushtarak të Tiranës, ditën e tragjedisë së tmerrshme e qoftë në ditët më pas, kur Shqipëria priste ftesën në NATO dhe Shtetet e Bashkuara, në radhë të parë, si avokati kryesor i futjes së vendit në aleancën euroatlantike, po edhe partnerët e tjerë që mbanin fort krahun e vendit tonë, me plot të drejtë kërkonin prej klasës politike shqiptare një provë maturie e nuk prisnin në asnjë mënyrë që shpërthimi i një konflikti politik, mu në vigjiljen e mbledhjes së shumëpritur për ne e të përgatitur me shumë mundim prej tyre t’u jepte skeptikëve në tavolinën e NATO-s një gur për të rrëzuar kandidaturën e Shqipërisë….
“Rrahja e shpatullave” tek Ushtaraku
Kush e ktheu në refrenin denigrues ndaj meje rrahjen e shpatullave të Saliut në korridorin e Spitalit Ushtarak kishte arsyet e veta hipokrizisht politike, po kush e mban ende mend atë skenë dhe thotë sot e gjithë ditën, janë shumë që e kanë në majë të gjuhës fatkeqësisht, që unë e “fala Saliun për Gërdecin”, gabon dy herë. Gabon njëherë, sepse e sheh skenën e shpatullrrahjes me sytë e asaj çka ka parë e mësuar më pas për lidhjet e drejtpërdrejta të Saliut me Fabrikën e Vdekjes, për përfshirjen skandaloze të hierarkisë së lartë të Ushtrisë Shqiptare në projektin ngushtësisht familjar e klientelist të ndërtimit të asaj fabrike, për paralizimin e qëllimshëm në raport me atë biznes të një duzine agjencish shtetërore të supozuara të kontrollojnë çdo sipërmarrje në Shqipëri, për paranë e zezë që ka qarkulluar bashkë me municionet e çmontuara në llagëmet e kontrabandës së mbrojtur me gjoks nga Kryeministri i vendit, për shfrytëzimin kriminal të të miturve e të grave në barkun zgafellë të Fabrikës së Vdekjes, të gjitha fakte revoltuese që ditën e tmerrit kaplues askush nuk i dinte në zallahinë e Spitalit Ushtarak përveç vetë Saliut… Sidoqoftë, unë bëra ashtu siç kam dashur gjithnjë të jetë në Shqipëri kur pllakos një fatkeqësi e madhe, që merr a kërcënon jetë njerëzish, njësoj si në vendet e qytetëruara, ku liderët e opozitës as fërkojnë duart e as nxjerrin shpatën e akuzave, po i bëhen krah liderit të shumicës dhe palët e ndara si shprehje natyrale e demokracisë bëhen njësh për t’i dhënë vendit të tronditur mesazhin lehtësues të solidaritetit kombëtar, bashkëpunojnë deri në kapërcimin e rrezikut kanosës, pa e përzierë politikën e ditës në vazhdën dramatike të një kohe që duhet të ketë emëruesin e përbashkët të mirëkuptimit e të përpjekjes së përbashkët njerëzore, shpëtimit të kujtdo e gjithçkaje që mund të shpëtohet ende, ndihmës së parë për të dëmtuarit, nderimit për të vdekurit dhe respektit për dhimbjen e familjarëve… Po t’i dija atë çast të gjitha ato që më vonë dolën si copat e një anijeje të mbytur nga llumi i përgjakur që la pas shpërthimit Fabrika e Vdekjes, shpatullat nuk do t’ia rrihja Kryeministrit, që bënte të bukurin shejtan, duke na i shitur të tërëve dhimbjet e zgavrës së barkut ku mbante fshehur të vërtetën e implikimit të tij të plotë në ngritjen e fabrikës, si të ishin dhimbje përdëllimtare të shpirtit për fatkeqët e për familjarët e tyre, po as takimin nuk do ta shmangia e as mesazhin e solidaritetit kombëtar të të gjithë politikës për të kapërcyer momentin tragjik nuk do ta ndryshoja. Nuk do të dilja as më pas të bëja tjetërsend përpos marshimit të heshtur, ku jam ndjerë krenar për gjithë ata qytetarë e atë qytetari që u manifestua me dinjitet imponues në bulevardin e kryeqytetit…
Akuzat për Delijorgjin
Aspekti grotesk i gjithë asaj historie ishte se, kur zgjedhjet e një viti më vonë afruan, kori i të vetëposhtëruarve të Saliut nisi të këndonte tribunë më tribunë dhe ekran më ekran refrenin e “lidhjeve të mia me Gërdecin”, fajtorët publikë rinisën punën e gjykatësve politikë, duke keqpërdorur si argument një studim urbanistik të Bashkisë së Tiranës, mbi të cilin Mihal Delijorgji, biznesmeni i arrestuar e asokohe në qeli, kishte marrë disa leje ndërtimi, saktësisht tre, pikërisht në kohën kur KRRT-ja e kontrolluar në shumicë nga Saliu s’kalonte gjallë aplikime subjektesh ndërtuese pa lidhje me qeverinë dhe unë vetë e kisha braktisur që në krye të herës shfaqjen e padurueshme të KRRT-së, duke refuzuar të rrija e të dëgjoja profkat e të vetëposhtëruarve të Saliut. Ato tri leje ishin dhënë me votat e asaj shumice dhe ky fakt flet vetë sa e varur dhe klienteliste apo e varur prej interesave të mia ishte vendimmarrja për to, por përtej këtij fakti, e vërteta është se Bashkia e Tiranës s’kishte asnjë detyrim e të drejtë ligjore të shkonte përtej kontrollit të dosjeve të aplikimit në gjykimin e subjekteve që kërkonin leje ndërtimi dhe në kohën e dhënies së lejeve në fjalë, Mihal Delijorgji nuk ishte as në kërkim, as në hetim, as në gjykim për çfarëdoqoftë, po një biznesmen shqiptar si gjithë të tjerët. E njihja, po, kishte ardhur në zyrën time për t’u ofruar si donator i “Tironës”, kur skuadra ishte marrë peng nga, ndjesë pastë, sepse nuk jeton më, një biznesmen egjiptian…S’kisha pasur asnjëherë në vitet e njohjes me Delijorgjin arsyen më të vogël për të menduar keq, ashtu siç ai nuk kishte pasur asnjë lidhje pune me Bashkinë e Tiranës, deri ditën kur, vite më vonë, pas orvatjes për “Tironën” paraqiti kërkesën për leje ndërtimi, pasi kishte blerë një copë tokë a lidhur kontratat në atë tokë brenda zonës së studimit të kotpërfolur urbanistik. E si gjithë të tjerët, mori atë çka i takonte me ligj, pavarësisht se nëpërmjet Saliut.
Reagimi
Erla Mëhilli: Përmendja ime
nga kushëriri Rama,
gënjeshtër e pacipë
Zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli, e përmendur në librin e Edi Ramës për një bisedë me Endri Fugën ka reaguar dje, duke hedhur poshtë përmbajtjen si “gënjeshtër të pacipë”. Mëhilli e cilëson atë pasazh të “Kurbanit” si thashethem, pa asnjë lidhje me të vërtetën. “Në fillim u çudita, kur më treguan për këtë gënjeshtër të pacipë dhe shumë banale të kushëririt tim (edhe pse të largët) Edi Rama. Por pastaj kam qeshur gjithë ditën, siç bëj shpeshherë kur dëgjoj thashetheme për veten. Humorin ma shtoi më shumë motra, kur më tha në telefon “T’u bëftë kurban ai”! Megjithatë, është fat i madh që nuk i ka rënë ndërmend t’i shoqërojë personazhet e librit të tij me vizatime, se, me ç’kam parë dhe dëgjuar nga piktorët e vërtetë, do të më kishte nxjerrë edhe të shëmtuar”, - përfundon Mëhilli.