Pogradec, Topi shfaqet optimist: Jemi afër zgjidhjes së krizës
Presidenti i Republikës inkurajoi palët që të nisin dialogun me qëllim miratimin e ligjeve me 3/5-at, ngritjen e Gjykatës Administrative dhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
TIRANË Nga qyteti i Pogradecit, ku ishte i ftuar në 20-vjetorin e Fondacionit NEHEMIA, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar se partitë politike janë shumë afër zgjidhjes së ngërçit politik. “Unë besoj që jemi afër një mundësie zgjidhjeje të krizës, që ekziston në krizën e besimit, që ekziston në marrëdhënien midis partive”, - tha ai. Për këtë deklaratë, Presidenti i Republikës i referohej ngjarjeve të fundit politike në vend. “Kam parasysh të gjithë faktorët që janë në veprim, patjetër edhe artikulimi që vjen nga individë të caktuar të partive politike, por më shumë nga komunikimi me partnerët ndërkombëtarë. Ardhja e misionarëve të rëndësishëm nga Europa dhe natyrisht mundësia që kam unë për të komunikuar me ta, duket që ka një lloj shprese që gjërat të fillojnë të funksionojnë. Konkretisht, të fillojnë të punojnë së bashku në Parlament, së pari, për të zgjedhur disa institucione, të cilat deri më sot nuk janë funksionale. Unë e quaj të pakuptimtë që të mos zgjidhen disa institucione, sikurse është institucioni i Avokatit të Popullit, sepse në këtë betejë, politike do ta quaja, partitë politike dinë t’i ruajnë interesat e tyre, por Avokati i Popullit ka një simbolikë shumë të veçantë, pra bëhet avokat i interesave të çdo njeriu, të çdo qytetari”, - tha dje Topi. Për pasojë, Presidenti i Republikës u shpreh se partitë politike duhet t’i zgjidhin çështjet në mënyrë imediate. “Edhe zgjedhja e Gjykatës Administrative është shumë e rëndësishme, që shkon përtej interesit të partive politike, në interes të biznesit, të qytetarëve, dhe mjaft çështje të tjera, që sigurisht kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, ku një pjesë e ligjeve është me 3/5-at. Unë nuk mund të futem në çështje specifike, por jap apelin tim që partitë politike duhet t’i lënë llafet, por duhet t’i futen një bashkëpunimi”,- tha Presidenti. Topi shtoi se është momenti që të gjithë duhet të bëhen koshientë për veprimet e tyre. “Edhe njëherë i inkurajoj që me predispozicionin e duhur, të fillojnë dialogun, të fillojnë komunikimin...”, - tha ai. Presidenti i Republikës përsëriti mesazhin e dhënë dy ditë më parë nga Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wolfarth, se nuk duhet të mbetemi peng i së shkuarës. “Njeriu, në rast se mbetet peng i konflikteve të së shkuarës, nuk ka shans që të ndërtojë të ardhmen. Pra, klasa politike duhet ta rifitojë koshiencën, të krijojë bazën e bashkëpunimit, dhe pastaj rregullat e demokracisë janë të njohura. Asgjë nuk ndryshon nga rregullat e demokracisë perëndimore, ku ne dëshirojmë të shkojmë. Pra, modeli është. Të shpikësh modele që nuk janë modele të Europës Perëndimore, do të thotë që të mos kesh koshiencën për të shkuar në Europë...”,- tha ai