E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet bordi i AIDA-s, Berisha: Borxhi publik jo më në linjat e kuqe

Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se Shqipëria tashmë e ka kaluar vijën e kuqe të borxhit publik pasi ky borxh është ulur në 57 përqind. Duke folur në mbledhjen e AIDA-s, kryeministri Berisha theksoi se ulja e borxhit tregon se qeveria ka bërë të mundur mbajtjen nën kontroll të parametrave ekonomikë të vendit.
 

“Raporti konstaton se borxhi publik ka rënë në 57 përqind. Dua të deklaroj se 60 përqind nuk më duket linjë e kuqe, por portokalli. Por të keni parasysh debatin që bëhet mes mbështetësve të rreptësisë fiskale që kanë të drejtë pasi disiplina fiskale është thelbësore” shtoi Berisha.

Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se  Shqipëria radhitet në një nga vendet me prespektivë shumë të mirë përsa i përket investimeve të huaja. Ndërsa i është referuar raporteve ndërkombëtare për investimet në Shqipëri duke shtuar se të dhënat e fundit tregojnë se është ulur papunësia në vend.

"Në raport theksohet se në Europën juglindore ku përfshihet edhe Shqipëria investimet e huaja dominohen në fushën e prodhimit çka përbën një zhvillim pozitiv pasi është kjo fushë që punëson më shumë se fushat e tjera. Natyrisht në kohën e sotme dhe në kushtet e një krize globale problemi më madhor mbetet punësimi. Sipas këtij raporti niveli i papunësisë nuk u rrit por pati tendeca të lehta ulje.Një nga rezultatet më të rëndësishme të reformave është se ato nuk lejuan të rritet papunësia si në vendet tjera. Kur ulet papunësia duhet të keni parasysh se çdo vit 50-60 mijë qytetarë hyjnë në moshën e krahut të punës e të tjerë vijnë nga fshatrat, megjithë këtë janë përballuar të dy flukset dhe sot kjo është falë performancës ekonomike” shtoi Berisha.

Sipas kryeministrit në tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri kanë ndikuar dy faktorë të cilat janë rregullat liberale dhe të sistemit fiskal dhe pozita gjeografike dhe burimet natyrore të vendit.

Berisha theksoi se sot nuk ka beteje më të rëndësishme se ai për thithjen e investimeve të huaja. “Ne duhet të kapim sa më shpejt 2 miliardë e pasi të arrijmë në këtë stacion të përcaktojmë se jo pa realizëm mund të themi se Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme në disa fusha, si turzmi, energjia e rinovueshme, potencialet minerare”- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›