E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, 20 akuzat për Mediun

Kërkesa e plotë e kryeprokurores për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes numëron mbi 20 shkelje ligjore

Ina Rama-Kuvendit:  Mediut t'i hiqet imuniteti

TIRANË- Kryeprokurorja Ina Rama i kërkoi dje Kuvendit të Shqipërisë imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit. Në raportin voluminoz, kryeprokurorja ka renditur mbi 20 shkelje ligjore të Mediut, nëpërmjet të cilave ka favorizuar haptazi kompanitë private SAC-Albademil, duke u garantuar atyre fitim maksimal si dhe ka shpërfilluar rregullat e sigurisë, mungesa e të cilave solli katastrofën me pasoja të rënda. Sipas kërkesës së kryeprokurores, drejtuar Kuvendit, ish-ministri Mediu ka iniciuar projektligjin për demontimin, pas takimit me përfaqësuesin e Southern Ammunition, Patrick Henry III. Vizitat e shpeshta të amerikanit në Shqipëri u "kurorëzuan" me ortakërinë e imponuar me Mihal Delijorgjin, e çdo akt i ndërmarrë më pas nga ish-ministri Mediu, për Prokurorinë e Përgjithshme kapasur si qëllim kënaqjen e interesave të dy kompanive të mësipërme. Projektligji i dërguar në qeveri, fillimisht kishte të përcaktuar emrin e kompanisë SAC. Edhe pse iu kthye mbrapsht, Mediu u kujdes të vendoste në draft ofertën për demontimin e municioneve të kalibrit të vogël, duke paracaktuar kështu se kompania Albademil, e themeluar në gjykatë 6 muaj para miratimit të VKM-së, do të çmontonte sasi të mëdha municionesh në Gërdec. Urdhrat e kundraligjshëm të Mediut caktuan Gërdecin për ngritjen e fabrikës, detyruan Forcat e Armatosura të transportonin municionin drejt Gërdecit, duke humbur mbi 500 mijë dollarë nga ky proces si dhe ricikluan një kontratë të dytë në dhjetor 2007, këtë herë me municionet e kalibrit të rëndë, që tre muaj më vonë do të hidhnin në erë gjithë sigurinë e vendit. Më poshtë do të lexoni kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.

Kërkesa për heqjen e imunitetit

Të nderuar deputetë!

Në mbështetje të nenit 73, pika 2 të Kushtetutës dhe të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, Ju paraqesim kërkesën për të marrë autorizimin Tuaj, për të proceduar penalisht deputetit Fatmir Mediu.

I. Hetimi i kësaj ngjarjeje tragjikevërtetoi një numër të madh pasojash që kanë ardhur si rezultat i një serie shpërthimesh të ndodhura në ish -repartin e tankeve në Gërdec, i cili i ishte dhënë nga Ministria e Mbrojtjes, një shoqërie private për kryerjen e proceseve të çmontimit industrial të municioneve. Shpërthimet masive kanë shkaktuar dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social - ekonomike dhe dëmtoi sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje. Hetimet paraprake vërtetuan se kjo ngjarje shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderushëm personash të tjerë. Në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar dhe 5413banesa dhe objekte private, 32biznese private dhe34 ferma bujqësore.Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vleresimi paraprak të datës 16. 04. 2008 të Entit Kombëtar të Banesave, kapinvlerën 2, 039, 216, 418lekë.Gjithashtu, kjo ngjarje ka cënuar rëndë një serë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cënimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit, në raport me komunitetin, shoqërinë dhe më gjerë.

II. Mbështetur në aktet dhe dokumentet e administruara nga hetimet e deritanishme, evidentohen mjaft indicje dhe të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se deputeti Fatmir Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime me dashje në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec dhe se kanë sjellë përfitime të padrejta në favor të subjekteve private të interesuar dhe të përfshira në procesin e demontimit të municioneve në ish- repartin ushtarak Gërdec. Indicjet, të dhënat dhe provat lidhur me veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës të kryera nga ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, po i parashtrojmë si më poshtë:

1. Nga hetimi rezulton se në muajin shkurt të vitit 2006, drejtori i MEICO, i pandehuri Ylli Pinari, ka rënë në kontakt me përfaqësuesin e shoqërisë amerikane "Southern Ammunition Company Inc" (SAC), Patric Henry III, i cili ka shfaqur interes për municionet me gëzhojë tunxhi, që dispononte ushtria shqiptare dhe që nuk ishin pjesë e armatimit të saj. Në lidhje me kërkesën e kësaj kompanie, në datë 5. 07. 2006, është vënë në dijeni ish- ministri i Mbrojtjes, Mediu, nga ish -drejtori i MEICO-s, i pandehuri Ylli Pinari, nëpërmjet një memoje të kësaj date. Për këtë kërkese, në periudhën korrik - dhjetor 2006, nuk evidentohet ndonjë interesim dhe qëndrim aktiv i ish- ministrit të Mbrojtjes. Në këtë situatë mosinteresi dhe heshtjeje të ish- ministrit të Mbrojtjes, përfaqësuesi i kompanisë amerikane, SAC, i orientuar nga i pandehuri Ylli Pinari, ka realizuar takim të drejtpërdrejtë me Fatmir Mediun dhe me datë 27. 12. 2006, i ka dërguar një kërkesë nëpërmjet një faksi në gjuhën angleze. Pas kësaj interesimi dhe veprimi i ish- ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu është i menjëhershëm, duke filluar një proces përgatitjeje me procedura të përshpejtuara, që synonte realizimin e projektit të ofruar nga kompania amerikane SAC.Evidentohet fakti se përfaqësuesi i kompanisë amerikane, SAC, Patric Henry III, kishte ardhur disa herë në Shqipëri dhe në takimet me të pandehurin Ylli Pinari, ishte informuar lidhur me mundësitë për të ngritur aktivitetin e çmontimit dhe të çmilitarizimit të municioneve në Shqipëri, duke e orientur drejt përfshirjes në këtë aktivitet të pandehurin Mihal Delijorgji, i cili ka qenë disa herë objekt i ndjekjes penale për vepra penale në fushën e evazionit fiskal. Në këto takime, i pandehuri Pinari i ka shpjeguar përfaqësuesit të kompanisë amerikane, SAC, Patric Henry III, një numër elementësh juridikë dhe kushtesh që duhet të plotësonte kompania SAC për këtë aktvitet. Rezultati i këtyre konsultimeve paraqitet në kërkesën/faksin e sipërpërmendur, datë 27. 12. 2006. Në këtë dokument që përbënte një ofertë të kësaj kompanie evidentohen elementet/kushtet që duhet të përmbushnin palët, pra një produkt i negociuar dhe i sugjeruar nga kompania SAC, pas konsultimeve ndërmjet të pandehurit Ylli Pinari dhe përfaqësuesit të SAC. Duke iu referuar këtij dokumenti konstatohet se:

Së pari, evidentohet se SAC ka krijuar paraprakisht një shoqëri shqiptare, të quajtur ALBADEMIL shpk, për të hyrë në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes, për realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve. Pra, kompania që do të kryente këtë proces, nuk do të ishte SAC, por ALBADEMIL shpk.

Së dyti, evidentohet se në kontekstin e plotësimit të kërkesave ligjore, SAC-u kërkonte të pajisej me tre lloje licencash. Së treti, është përcaktuar detyrimi për Ministrinë e Mbrojtjes, të mbulojë shpenzimet e transportit të municioneve për në ambientin industrial të ALBDEMIL-it.

Së katërti, evidentohet se SAC kërkonte që ambienti industrial i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, të ndërtohej në një zonë ushtarake afër Tiranës, duke sugjeruar për këtë Bërzhitën.

Përmendëm këto elemente të këtij dokumenti pasi siç do të trajtohet në vijim të kësaj oferte, për përmbushjen këtyre elementëve, është iniciuar nga ministri disa akte nënligjore, si një vendim i Këshillit të Ministrave (KM), janë miratuar prej tij disa urdhra, si dhe është shmangur zbatimi i disa akteve nënligjore në fuqi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në datë 28. 12. 2006, oferta e kompanisë SAC ka dalë nga zyra e ish- ministrit të Mbrojtjes, me shënimet përkatëse drejtuar Shefit të Shtabit të Përgjithshëmdhe Sekretarit të Pergjithshëm. Ndërkohë, po me datë 28.12.2006 evidentohet fakti i krijimit të shoqërisë ALBADEMIL me ortakë përfaqësuesin e kompanisë SAC, Patric Henry III dhe të pandehurin Mihal Delijorgji. Në analizë të këtyre rrethanave, krijohet dyshimi i arsyeshëm se ish -ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, i kishte dhënë premtimin subjekteve të interesuara dhe kishte marrë vendimim për të realizuar këtë marrëdhënie biznesi.

2. Ish- ministri i Mbrojtjes, Mediu, për të realizuar synimin e tij, ka iniciuar hartimin dhe miratuar disa akte nënligjore. Ai ka iniciuar një projekt-vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekt-urdhra, të cilët kanë orientuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në përmbushje të ofertës të sipërpërmendur të shoqërisë amerikane SAC, prapa të cilës ishte shoqëria ALBADEMIL shpk, duke angazhuar për hartimin e tyre një pjesë tëstafittë ngushtë të tij. Në këtë proces administrativ, z. Mediu ka pranuar dhe miratuar disa projekt-urdhra, duke shmangur përfshirjen e strukturave dhe hallkave të domosdoshme që duhet të ishin pjesë e hartimit të tyre. Kjo provohet:

Së pari, me iniciimin, në datë 12. 2. 2007, për miratim të projekt-vendimit të KMme titull "Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit dhe tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura (FA), të dala nga armatimi e përdorimi me shoqërinë amerikane SAC". Ky projekt vendim nuk është miratuar nga qeveria, për shkak të mungesës së përqasjes së tij me ligjin aktual, si dhe për përfshirjen drejtpërdrejt në këtë projekt-vendim të KM të kompanisë amerikane SAC.

Së dyti, më pas, me shkresën nr. 1525, datë 14. 03 2007, ish-Ministri i Mbrojtjes z. Mediu, ka ridërguar për shqyrtim e miratim projekt-vendimin, i cili po atë datë është shqyrtuar dhe miratuar nga qeveria, duke u kthyer në vendim të KM nr. 138, datë 14. 03. 2007, me të njëjtin titull që ishte propozuar. Siç do të analizohet në vijim të kësaj kërkese, ndonëse në këtë vendim të KM nuk është përmendur drejtpërdrejt kompania amerikane SAC, në formulimin e pikës "IV/1" të projektvendimit të miratuar është parashikuar që shitja për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve të bëhet për municione të kalibrit të vogël, ashtu siç ishte parashtruar oferta e kompanisë amerikane, SAC. Hartimi i projekt-urdhrit nr. 550 datë 25. 04. 2007 është bërë nga drejtori i Drejtorisë së IMBM nën mbikëqyrjen e ish Sekretarit të Përgjithshëm të MM, duke mos përfshirë strukturat e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe Drejtorinë e Harmonizimit të Legjislacionit dhe Marrëdhënieve me Kuvendin (DHLMK), pjesëmarrja e të cilave ka qenë e detyrueshme, për shkak të natyrës së aktit dhe strukturave të ngarkuara për zbatimin e tij. Kjo veprimtari është në shkelje të nenit 17 të Rregullores së Brendshme të MM, miratuar me Urdhërin e Ministrit të Mbrojtjes nr. 120 datë18. 03. 2003.

Megjithëse në vendimin e KM nuk është rregulluar mënyra e përzgjedhjes së kontraktorit për shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim, në pikën 1 të urdherit nr. 550, është nominuar drejtpërdrejt kompania amerikane SAC për realizimin e këtij procesi.

3.3 Në pikën 4/a e në vijim, është parashikuar që procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve të realizohet në terrenin në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes të ndodhur në Gërdec, Vorë. Ky urdhërim në përmbajtje bie në kundërshtim me disa akte të tjera nënligjore dhe ka mundësuar krijimin e përfitimeve të padrejta për subjektet private të përfshira. Caktimi i Gërdecit, si vend çmontimi dhe çmilitarizimi të municionit, është bërë në mungesë të verifikimit dhe vlerësimit të strukturave përkatëse të specializuara të Shtabit të Përgjithshëm. Në urdhërimin e ish- Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, për caktimin e Gërdecit si vend demontimi ështëshpërfillur, gjithashtu,mendimi i strukturave të FA, në komentet e bëra lidhur me kërkesën e kompanisë SAC që kishte sugjerurar paraprakisht Bërzhitën si vend të mundshëm për të realizur procesin e demontimit.

Përzgjedhja e Gërdecit si vend ku do të bëhej çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve dhe ku do të depozitoheshin sasi të konsiderueshme municioni dhe produkte të tij pas demontimit, është bërë tërësisht në kundërshtim me çdo lloj rregulli në fuqi. Ky urdhër në praktikë, ka lejuar të depozitohen dhe akumulohen sasira të mëdha municioni e baruti në kundërshtim me distancat e sigurisë të përcaktuara në urdhrin nr. 326, datë 11. 05. 2000, duke determinuar pasojat e rënda që kanë ardhur qoftë jetës së njerëzve, shëndetit të tyre, apo edhe ato materiale. Nga sa më sipër, urdhri 550, datë 25. 04. 2007, ka urdhëruar fillimin e një aktiviteti me një natyrë të lartë rrezikshmërie,pa u krijuar më parë të gjitha premisat paraprake që do të siguronin një funksionim normal të këtij aktiviteti.

Në vijim të argumenteve se, ish- ministri i Mbrojtjes z. Mediu, në këtë proces ka miratuar akte nënligjore i orientuar nga interesat dhe përfitimet e padrejta të subjekteve private,Ju parashtrojmë faktin se gjashtë ditë para se të firmoste urdhrin nr. 550, datë 25. 04. 2007, ndërmarrja MEICO kishte lidhur kontratë me shoqërinë SAC-ALBADEMIL, në datën 19 prill 2007, kontratë e cila ka qenë pjesë e praktikës së projekt-urdhrit të dërguar për t'u nënshkruar tek ish- ministri z. Mediu. Sa më sipër, evidentohen dy elementë të rëndësishëm.

Së pari, kontrata i paraprin në kohë urdhrit, i cili ka përligjur kontratën, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta, sepse shitje e municioneve është e drejtë vetëm e ministrit të Mbrojtjes që materializohet me urdhrin e tij.

Së dyti, ka qenë kërkesa e SAC-ALBADEMILe materializuar në kontratë, ajo që është marrë parasysh nga ish- ministri i Mbrojtjes, Mediu, për caktimin e Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, sepse në pikën 3.3 të kontratës, është përcaktuar se vendi i dorëzimit të municionit do të jetë fabrika e Gërdecit, Vorë.

3.6. Në urdhërin nr. 550, nuk është parashikuar qartë dhe shprehimisht se kush do të mbulonte shpenzimet e ngarkimit dhe transportit të municioneve nga depot e komandave të FA për në Gërdec- Vorë, ndërkohë që transporti i këtij municioni i është ngarkuar Forcave të Armatosura. Ky mosveprim i ish- Ministrit të Mbrojtjes, z. Mediu, për të parashikuar në urdhër që shpenzimet e transportit të mbulohen nga subjektet private, përbën një episod tjetër të veprës penale të shpërdorimit të detyrës me pasojë përfitimin e padrejtë të personave të tjerë dhe në dëm të interesave ekonomike të FA, sepse në fakt shpenzimet e transportit janë mbuluar prej tyre dhe përllogariten në shumën rreth 500 mijë dollarë.

4. Në analiza të procesit të hartimit, të bazës ligjore dhe të përmbajtjes së urdhërit nr. 1300, datë 07. 08. 2007 të ish Ministrit të Mbrojtjes z. Fatmir Mediu, ka të dhëna për dyshime të bazuara se miratimi i tij është bërë në kundërshtim me aktet nënligjore, për të realizuar përfitime të padrejta në interes të subjekteve që kryenin çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve. Shkeljet e evidentuara janë si më poshtë:

Z. Mediu ka miratuar këtë urdhër pa përfshirë strukturat e FA, ndonësekjo përfshirje ka qenë e domosdoshme e diktuar nga objekti i rregullimit dhe strukturat e ngarkuara për zbatimin e tij.

4.2 Ky urdhër bie në kundërshtim me pikën 1 të urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes, nr. 550, datë 25. 04. 2007, ku janë ngarkuar strukturat e FA, për t'i dorëzuar për çmontim ndërmarrjes MEICO tre lloje municionesh, që nuk janë të parashikuar në pikën 1 të urdhrit. Llojet e fishekëve të përmendura në urdhër nuk kanë qenë pjesë e kontratës së lidhur ndërmjet MEICO-s dhe këtyre kompanive.

4.3 Në kundërshtim me pikënIV/2, tëvendimit të KM, Mediu ka nënshkruar urdhrin nr. 1300, datë 07.08.2007, në mungesë të vendimit të Komisionit të Miratimit të Çmimeve për shitjen e këtyre lloj municioneve për çmontim dhe çmilitarizim. Pra, ai ka urdhërur dorëzimin e municionit, pa patur një çmim për to.

4.4 Në kundërshtim me pikën 1 të urdhrit të nxjerrë prej tij"Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Posaçëm për përcaktimin e kontigjentit të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të hequra nga përdorimi"ka nënshkruarurdhrin nr.1300, megjithëse mungonte një vendim i këtij komisioni, i cili kishte për detyrë të bënte kategorizimin e tij në zbatim të vendimit të KM nr. 138, datë 14. 03. 2007.

Sa më sipër, miratimi i këtij urdhri në kundërshtim me aktet nënligjore, përbën të dhëna për dyshime të bazuara, se është kryer për të realizuar përfitime të padrejta në interes të kompanive SAC – ALBADEMIL, për faktin se këto lloje municionesh kishin në përbërje gëzhojë tunxhi, çka përmbushte në thelb ofertën e kompanisë SAC-ALBADEMIL për municione me gëzhojë tunxhi.

Të nderuar deputetë!

III. Tërësia e këtyre urdhërimeve në kundërshtim me ligjin të ish- Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, për realizimin e proesit të çmontimit të municioneve të kalibrave 7.62-14.5 mm, evidenton të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se tek nëpunesit dhe ushtarakët vartës të tij, është krijuar përceptimi për një proces të parregullt, ku ish- ministri z. Mediu kishte interesa të veçanta dhe se për realizimin e tyre, ai po shpërfillte aktet ligjore dhe nënligjore.

Baza e këtij procesi të parregullt, të trajtuara më sipër, ka shërbyer për vazhdimin e përmbushjes së kërkesave në interes të përfitimeve të padrejta të kompanisë SAC-ALBADEMIL. Në këtë proces vazhdues, ish- ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, ka vepruar në kundërshtim me ligjin në miratimin e akteve të tjera nënligjore, lidhur me çmontimin e municioneve të kalibrave nga 20-152 mm. Kjo ka ka ndikuar ndjeshëm në uljen e nivelit të sigurisë dhe rritjen e shkallës së rrezikut për pasoja të rënda në procesin e çmontimit të municioneve, si dhe në të gjithë rajonin ku po kryhej ky proces.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se me 01 shtator 2007, përfaqësuesi i SAC, i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes me një kërkesë të dytë për vazhdimin e procesit të çmontimit të municioneve të kalibrave 20-152 mm. Duke analizuar këtë kërkesë, evidentohen disa momente që duhen patur parasysh në analizën e të dhënave, lidhur me përgjegjësinë e ish- ministrit Mediu për episode te tjera të veprës penale të "Shpërdorimi i detyrës". Së pari, Southern Ammunition Company inc (SAC), në mënyrë të qartë evidenton se municionet për të cilat kërkon të vazhdojë projektin, nuk janë më të kalibrit të vogël. Së dyti, SAC paraqet pretendimin se ajo është furnizuar nga Ministria e Mbrojtjes vetëm me rreth 50% të sasive të municioneve të kërkuara të kalibrit 7.62-14.5 mm, duke u shprehur se : "Sipas kontratës me MM (MEICO) investimi ynë kishte për qëllim çmontimin e jo më pak se 100 mln copë fishekëve 7.62mm,20 mln copë fishekëve 12.7 mm dhe 20 mln copë fishekeve 14.5.mm". Këtë mospërmbushje të detyrimit, ajo e paraqet si arsye për të mbështetur projektin për çmontimin e kalibrave më të mëdhenj. Së treti, SAC pretendon se disponon makineri që në mënyrë mekanike zbërthejnë municionin në komponentët përbërës. Se katërti,SAC informon se procesi më i rrezikshëm dhe i kushtueshëm do të jetë nxjerrja e eksplozivëve të fuqishëm nga predhat, por se kjo kompani disponon teknologjinë për t'a realizuar këtë, në mënyrë të sigurtë dhe në kohë normale.

Kërkesa e SAC, bashkëlidhur Memo-s datë 06.09.2007, me subjekt "Mbi kërkesën për demontim municionesh"e personit nën hetim, Ylli Pinari, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të MM, i është dërguar për mendim ish- ministrit të Mbrojtjes z. Mediu. Ai ia ka kaluar këtë praktikë Shefit të Shtabit të Përgjithshëm me shënimin "Për veprim". Ky shënim i ish –ministrit, në thelb ka pasqyruar vullnetin e tij për fillimin e një procedure të re, në përmbushje të interesave që parashtroheshin në kërkesën e SAC, ndonëse në përmbajtjen e kësaj kërkese evidentohen qartë tejkalimet e parashikuara nëvendimin e KM, përsa i takon kalibrit të municioneve që mund të jepeshin për çmontim.Me synim për të krijuar përfitime të padrejta në interes të kompanive private,të përfshira në këtë proces, kashmangur mbikëqyrjen ushtarake të forcave të armatosura në procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, duke miratuar urdhrin nr. 1800, datë 22.10.2007, me të cilin është normuar kalimi kapital i pronës, nr.126 , ku po zhvillohej procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit (ish- brigada e tankeve Gërdec), në administrim të ndërmarrjes Meico,e cila, e ka vënë atë në dispozicion të kompanisë SAC- ALBADEMIL pa qera, në kundërshtim me vendimin KM. Fakti, se gjatë realizimit të procesit të çmontimit të municioneve tëkalibrave 20-152 mm, shoqëria ALBADEMIL ka përfshirë si nënkontraktor Uzinën e Gramshit për demontimin e një kategori "shtimjesh" 100 mm dhe se nga kjo marrëveshje,të dy subjektetkanë dalë me fitim, provon dyshimin e arsyeshëm se veprimet e ish -ministrit në interes të përfitimeve të padrejta nga kompanitë SAC - ALBADEMIL,kanë dëmtuar interesat ekonomike të ndërmarrjeve shtetërore ushtarake, të cilat kishin standardet e nevojshme për të garantuar sigurinë në realizimin e procesit të çmontimit. I gjithë ky proces çmontimi dhe çmilitarizimi të municioneve të kalibrave 7.62 - 14.5 mm dhe 20 -152 mm, në sasinë rreth 18.000 ton, i urdhëruar nga ish- ministri i Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu, sikurse Ju kemi parashtruar hollësisht më sipër në këtë kërkesë, është kryer në shkelje të akteve ligjore e nënligjore në fuqi, duke shpërfillur standardet e domosdoshme të sigurisë dhe respektimin e rregullave në kryerjen e këtij procesi çmontimi dhe çmilitarizimi, si dhe duke mos garantuar shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme që mund të vinin nga ky proces me rrezikshmëri të theksuar për jetën dhe shëndetin e punonjësve të përfshirë në proces, si dhe për jetën, shëndetin dhe pasurinë e të gjithë banorëve dhe bizneseve në rajonin e komunës Gërdec, e më gjerë. Shoqëritë SAC-ALBADEMIL sh.p.k,gjatë aktivitetit tëçmontimit dhe çmilitarizimit, nuk kanë disponuar rregullore të sigurimit teknik për aktivitetin në tërësi dhe për proceset teknike të punës në veçanti.Në ish- repartin ushtarak Gërdec, janë përqendruar sasi të mëdha të municioneve të paçmontuara, që vinin nga repartet ushtarake. Gjithashtu, janë përqendruar sasi të mëdha të produkteve të çmontimit si: barut, predha, djegore dhe kapsolla. Hetimet kanë provuar se në shumë raste nuk janë zbatuar rregullat që kanë të bëjnë me ruajtjen e objektit, me magazinimin e nënprodukteve, me mbrojtjen nga zjarri, sigurinë e jetës dhe shëndetit të personelit të punësuar në këtë projekt, etj. Mungesa e rregulloreve të sigurimit teknik ka mundësuar:punësimin e personave pa kritere profesionale në këtë fushë, mosparashikimin eprocesve të punës dhe garantimin e sigurisë së tyre, mostrajnimin e punonjesve për kryerjen ekëtyre proceseve dhe mosrespektimin e rregullave të sigurisë etj. Shkelje flagrante në këtë proces ështëpunësimi i fëmijëve të mitur. Baruti ruhej në kontenierë të zakonshëm transporti dhe në ndërtesa të pa përshtashme, jashtë çdo kriteri teknik. Në momentin e shpërthimit në vendin e depozitimit të barutit kanë qenë mbi 700 ton barut, të vendosur në 41 kontenierëdhe në dy ndërtesa dhe në afërsi të tyre janë depozituar djegoret e predhave, të gjitha në shkelje të standardeve të sigurisë. Këto fakte, përbëjnë të dhëna për dyshime të bazuara në prova se i gjithë procesi vendimmarrës i ish- Ministrit të Mbrojtjesz. Fatmir Mediu në favor të kompanisë SAC-ALBADEMIL, ka qenë një proces i parregullt, me synim shmangien e standardeve të BE, që normohen në Ligjin nr.9707 datë 05.04.2007, për të realizuar përfitime të padrejta për këto kompani private.

Të nderuar deputetë!

Të gjitha sa u parashtruan më lart, krijojnë bazën e mjaftueshme ligjore për të ushtruar ndjekje penale ndaj deputetit Fatmir Mediu. Për këto arsye, në mbështetje të nenin 73, pika 2 të Kushtetutës dhe të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë dhënien e autorizimit për proceduar penalisht ndaj z. Fatmir Mediu, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

PROKURORI I PËRGJITHSHËM

INA RAMA

SHKELJET E KONTRATËS II

4.1 Parashikohet kalimi isasive dhe llojeve tëmunicioneve të kalibrave 20-152 mm, në kundërshtim me vendimin e KM, që parashikon shitjen e kalibrave të vegjël.

4.2 Kostoja e transportit të likuidohet nga ndërmarrja MEICO. Ky parashikim, sikurse kemi argumentuar më lart, bie ndesh me logjikën ekonomike të llogaritjes së kostos dhe mbulimit të shpenzimeve.

4.3 Në pikën 7, ka urdhëruar që procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të kryhet në ish- brigadën e tankeve të kaluar në administrim të MEICO-s, në rajonin e Gërdecit, Vorë –Tiranë.

4.4 Në pikën 7, ka urdhëruar ndërmarrjen MEICO, të vërë në dispozicion të procesit ambientet në administrim të saj… në rajonin e Gërdecit, pa përcaktuar raportin ekonomik të kësaj marrëdhënieje, çka ka sjellë në fakt vënien në dispozicion pa qera, kompanisë SAC- AlBADEMIL, të të gjithë ambienteve.

4.5 Në pikën 8, ka urdhëruar që ndërmarrja MEICO, përgjigjet për zbatimin nga kontraktori të proceseve dhe standardeve të sigurisë, të masave të mbrojtjes nga zjarri dhe sigurisë së jetës e shëndetit të personelit. Ky urdhërim bie në kundërshtim flagrant me pikën IV/4 të vendimit të KM, në të cilën parashikohet se "procesi i çmilitarizimit dhe çmontimit, të kryhet nën mbikëqyrjen dhe sigurinë ushtarake të reparteve të forcave të armatosura….".

4.6 Ka urdhëruar që ruajtja e rajonit të Gërdecit dhe depove të municionit të bëhet nga Komanda e Forcës së Bashkuar dhe Ndërmarja MEICO dhe jo nga Forcat e Armatosura.

4.7 Në pikën 10, është parashikuar që Sekretari i Pergjithshem të lëshojë lejet e eksportit për materialet e përftuara nga procesi i çmontimit, në një kohë që subjekti ishte i palicensuara.

Për Del Ponten

"Prokuroria shqiptare ka bërë një sërë verifikimesh në vitin 2004, informacione këto të përcjella nga prokuroria e rrethit të Matit. Nga verifikimet e bëra atë kohë, të iniciuara nga një grup ekspertësh të ardhur nga jashtë, nuk ka rezultuar asnjë e dhënë për ato dëshmi që ngre zonja Del Ponte në librin e saj. Nuk kemi asnjë të dhënë për të nisur procedim penal".

Për Sefgjinin

"Dosja e Remzi Hoxhës është hetuar dhe prokurorët e çështjes e kanë dërguar për gjykim. Shumë shpejt do të njiheni në Gjykatë edhe me provat dhe shkresat që ka mbledhur grupi hetimor. Ndërsa, përcaktimin e masës ndaj të pandehurve të kësaj dosjeje nuk mund të caktohet masa e sigurisë "arrest me burg" pasi kanë mbaruar afatet hetimore dhe të paraburgimit ndaj tyre".

Për imunitetin e Bashës

Dosja për rrugën Rreshen – Kalimash po hetohet dhe verifikohet nga prokurorët e çështjes. Nuk mund të them asgjë më shumë, pasi çështja është në hetim dhe me mbarimin e këtyre hetimeve do të dalin përgjegjësitë penale dhe do të informoheni për më shumë"

TAKIMI

Imuniteti, Mediu kërkon ngushëllim tek Berisha

TIRANË- Dorëheqjen e tij e pati cilësuar akt moral e politik, por kurrsesi akt përgjegjësie ligjore për atë katastrofë të rëndë të 15 marsit. E kur dje, Prokuroria e Përgjithshme e rreshtoi Fatmir Mediun përkrah përgjegjësve të tragjedisë së Gërdecit, ai kërkoi "ngushëllim" tek kryeministri Sali Berisha. Burimet nga kryeministria bënë me dije se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka takuar kryeministrin, pak kohë pasi kryeprokurorja Ina Rama bëri publike kërkesën e saj, drejtuar Kuvendit, për heqjen e imunitetit të Mediut. Askush nuk di të thotë se ç'kanë biseduar Mediu e Berisha, megjithëse nuk është e vështirë të merret me mend se statusi i ri i Mediut si i pandehur për tragjedinë e Gërdecit ka qenë gjithë thelbi i këtij takimi. Rreth një muaj më parë, ai deklaroi se Partia Republikane, e drejtuar prej tij do të hynte në qeveri vetëm pas sqarimit të pozicionit në çështjen e Gërdecit. Por Fatmir Mediu nuk mundi të priste gjakftohtë vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për imunitetin e tij. I parapriu dje daljes publike të Ina Ramës, për të thënë se kishte ardhur koha që Partia Republikane të rikthehej në kabinetin qeverisës, por tashmë i mbetet të presë vendimin e Kuvendit, për heqjen e imunitetit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›