Imuniteti, Berisha-Ramës: Të bashkohemi për qëllimin madhor

Kryeministri Berisha i ka bërë për të disajtën herë thirrje kreut të PS-së Edi Rama që të lejojë deputetët socialist të votojnë në 6 gusht për heqjen e imunitetit. Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha theksoi se heqja e imunitetit është qëllim madhor për vendin.
"Shpirti olimpik është sëbashku, është shpirti i bashkimit të përpjekjebe për qëllim të mirë. Heqja e imunitetit është qëllim madhor dhe kundërshtohet vetëm nga ata që nuk pranojnë të jetë të barabartë me qytetarin e lirë para ligjit. Ne duhet të votojmë më datën 6 gusht. Një akt të tillë madhor ta shndërrojmë në një histori suksesi për të gjithë. Kjo nuk është garë për kredibilitet por po bëjmë atë që ligjbërësit e kanë bërë përpara shumë vjetëve. Po pranojmë një parim universal që njerëzit janë të barabartë para Zotit dhe ligjit” theksoi Berisha.
Kryeministri Berisha është shprehur se mazhoranca i ka bërë të gjitha lëshimet që opozita të votojë për heqjen ose kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë por kreu i PS-së nuk do të votojë dh gjen pretekste. "Ende zoti Rama mesa duket nuk do pranojë të votojë për heqjen e imunitetit dhe kalon nga një pretekst absurd në tjetrin. Edhe njëherë dua ti qartësoj qytetarët se kjo mazhorancë i ka bërë Ramës çdo lëshim të mundshëm me qëllim që ai të lejojë grupin të votojë më 6 gusht. Është zoti Rama që ka kërkuar për 7 vjet me radhë që heqja e imunitetit të bëhet nëpërmjet ndryshimeve të kushtetutës dhe ne këtë e pranuam” theksoi Berisha.
Ai gjithashtu ka komentuar edhe deklaratën e opozitës se data 6 gusht është caktuar nga shumica duke theksuar se kjo datë është detyrim ligjor. “Çdo kërkesë që kërkuan ia pranuam dhe më në fund Rama nuk e pranoj datën 6 gusht duke thënë se e caktoi shumica, një e pavërtetë e madhe . Data 6 gusht është një detyrim ligjor. Më datën 12 korrik në seancën plenare asnjë socialist nuk kundërshtoi rendin e ditës ku u caktua data 6 për ndryshimet kushtetutese, as edhe ata që e kundërshtojnë tani. Data 6 gusht është e caktuar me ujdi të plotë nga i gjithë spektri parlamentar i vendit”, tha Berisha.
Gjithashtu Kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të grupit të PD-së i është referuar vizitës së tij në Londër në kuadër të Lojrave Olimpike 2012. Ndërsa e ka cilësuar vizitën e tij në Londër si udhëtimin në botën e çudirave, kryeministri Berisha theksoi se çelja e Lojrave Olimpike ishte një spektakël i magjishëm dhe Londra mbetet kryeqyteti i këtyre lojrave.
"Njeriu e ka të vështirë ta përshkuraj një udhëtim si ky me fjalë por ia lehtëson shumë regjizori gjenial Deni Bojl i cili kishte konceptuar atë stadium si ishulli i çudirave në të cilin ky regjizor i kishte vënë vetes si qëllim të shkrijë në një, atë që është më e mira jonë idealin anglez. E preceptoje, e shijoje në çdo sekond të asaj shfaqje në të cilën Bojl e kishte sintezuar më të mirat e të gjitha kohërave të asaj toke dhe atij kombi” shtoi Berish.
Gjithashtu kryeministri Berisha iu referua edhe takimit me homologun e tij britanik David Cameron. “Kryeministri Cameron më rezervoi një pritje të veçantë. Unë isha një nga të paktit kryeministra apo president që merrnin pjesë që u prit nga kryeministri Cameron dhe unë dua t`i shpreh falenderimet më të përzemërta. U ndeva jashtëzakonisht i nderuar” shtoi Berisha.