E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Deputetët biznesmenë të votojnë pro

Salla e Kuvendit te Shqiperise

Zëdhënësja e PD ka reaguar dje pas prononcimeve të deputetëve Ylli, Abazi, Gashi dhe Sterkaj.

Rama ti lejojë deputetët të votojnë më datë 6 gusht imunitetin

Partia Demokratike ka reaguar dje, pas publikimit në gazetën Panorama të qëndrimeve të deputetëve biznesmenë të Partisë Socialiste, të cilët u shprehën pro kufizimit të imunitetit. Selia blu, me anë të zëdhënëses Silvi Bardhi, theksoi se deputetët e opozitës duhet të faktojnë qëndrimin pro kufizimit të imunitetit duke votuar më datë 6 gusht. Duke shpresuar që deklaratat e publikuara të jenë të sinqerta dhe jo sajesa të kryetarit të opozitës, PD-ja ka kërkuar që çdo gjë të faktohet me votë. Sot(dje) mediat njoftuan se klubi i miliarderëve të Partisë Socialiste shpalli se nuk janë ata që nuk lejojnë Ramën për të mos votuar heqjen apo kufizimin e imunitetit më datë 6 gusht. Nëse kjo deklaratë është e vërtetë dhe jo bizantinizmi i radhës së kryetarit të tyre, kjo do të faktohet me votën e këtyre zotërinjve më datë 6 gusht, datë në të cilën këta deputetë në një votim historik kanë fatin e madh tu faktojnë zgjedhësve të tyre socialistë të thjeshtë se barazia para ligjit e të gjithë qytetarëve të këtij vendi është parimi universal që ata pranojnë plotësisht, u shpreh zëdhënësja e PD-së.
Apeli
Demokratët kanë lëshuar një tjetër apel ndaj kryesocialistit Edi Rama, që të lejojë deputetë e tij të votojnë në datën 6 gusht pro heqjes së imunitetit, në mënyrë që të përmbushet një nga detyrimet për të marrë statusin e vendit kandidat. Partia Demokratike fton z.Rama të lejojë deputetët e tij që të votojnë më datë 6 gusht për heqjen apo kufizimin e imunitetit si dëshmi e vullnetit të qartë për të shembur murin e korrupsionit, për të mos bllokuar rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si një provë që z.Rama dhe partia e tij pranojnë barazinë para ligjit e qytetarëve shqiptarë, thuhet në reagimin e PD-së. Dy ditë më parë, deputetët biznesmenë të Partisë Socialiste iu përgjigjën Kryeministrit Sali Berisha për akuzat e fundit se një klub miliarderësh po pengojnë kreun e opozitës të votojë heqjen e imunitetit. Të pyetur nga Panorama, Fidel Ylli, Paulin Sterkaj, Hazir Gashi dhe Sadri Abazi shprehen në bllok se janë pro heqjes së imunitetit dhe i kujtojnë kreut të qeverisë shprehjen që ka përdorur Rama gjatë këtyre ditëve: Më mirë të jesh milioner dhe të hysh në politikë, sesa të jesh ministër dhe të bëhesh milioner.

Deklaruan për Panorama
Fidel Ylli:
Ne jemi për heqjen e imunitetit sipas ndryshimit që ka propozuar Partia Socialiste. Siç ka thënë edhe kryetari i partisë, nuk mund të bëhen ndryshime edhe tani, edhe në shtator, por duhet të bëhen të menduara mirë, së bashku me amendimet që kemi bërë ne. Sa i përket imunitetit të deputetëve, Tom Doshi sot është pa imunitet, dhe Prokuroria mund ta hetojë, nuk ka asnjë pengesë. Deklaratat e Kryeministrit janë tërësisht politike dhe unë nuk mund të përgjigjem për to. Siç e ka thënë edhe kryetari i partisë, më mirë të jesh miliarder dhe të hysh në politikë, sesa të jesh në politikë dhe të bëhesh miliarder.
Paulin Sterkaj: Heqja e imunitetit është një vendim politik i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe ai do ti bashkohet vendimit të Grupit.
Sadri Abazi: Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e ka marrë vendimin tashmë për heqjen e imunitetit, sipas një pakete që ne kemi propozuar për ndryshimin e Kushtetutës. Sa u takon akuzave, miliarder është Saliu bashkë me ministrat e tij. Ne jemi milionerë, se miliarderë janë ata që nuk deklarojnë pasuritë. Ne jemi milionerë dhe kemi qenë të tillë para se të hynim në politikë. Megjithatë, besoj se Berisha bën shaka për këto akuza që bën, nuk e ka seriozisht. Miliarderë janë ata që nuk e deklarojnë pasurinë që kanë vënë. Ne nuk duam imunitet, se jemi në opozitë, imunitet do Berisha me ministrat e tij dhe kryetarja e Parlamentit.
Hazir Gashi: Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të ditës së martë do të diskutohet për këtë çështjen e imunitetit dhe pas kësaj mbledhjeje do të shprehë mendimin tim lidhur me propozimet për heqjen e imunitetit.

Shehu: Tërhiqemi nga 6 gushti, nëse PS nuk voton imunitetin

Tritan Shehu

Maxhoranca mund të tërhiqet nga votimi i ndryshimeve kushtetuese të datës 6 gusht, nëse opozita nuk do të japë garanci për votën pro kufizimit të imunitetit. Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, deklaroi për AS se ndryshimet kushtetuese nuk mund të hidhen në votim në rast se ato nuk marrin dhe votat e opozitës. Sipas tij, nëse hidhet në votim, pa pasur më parë të garantuara votat e opozitës, imuniteti digjet të paktën për 1 vit, por nëse shtyhet, palët mund ti rikthehen sërish sesionin tjetër. Nuk mund të kalojnë, është e qartë. Maxhoranca, me gjithë vullnetin që ka, me gjithë përpjekjet që ka bërë që nga 2003-shi, me gjithë kompromisin që bëri me PS, duke ia lënë asaj shumicën dërrmuese të problemeve të vendosura në ligj siç i deshët, nuk mund të bëjë më tepër, sepse kërkohen dhe votat e opozitës për ti kaluar. Nëse ligji kalon, futet në proces votimi, votohet dhe nuk fiton pastaj në bazë të ligjeve tona mund të rivotohet vetëm pas një viti, sepse është ligj kushtetues. Në qoftë se nuk futet fare në proces votimi, është tjetër gjë. Është një problem teknik që nuk e di, që do të zgjidhet hap pas hapi, thotë Shehu.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›