E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wollfarth: Heqja e imunitetit do i shërbejë luftës kundër korrupsionit

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth ka deklaruar se heqja e imunitetit do t`i shërbejë luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.  Gjatë një takimi me kreun e shtetit Bujar Nishani, kreu i prezencës së OSBE-së, Wollfarth vlerësoi zhvillimet e shpejta që Shqipëria ka bërë në fushën e reformave dhe demokratizimit të institucioneve dhe shprehu besimin se institucionet dhe politika shqiptare do të vazhdojnë në këtë rrugë edhe sa i përket projektligjit për heqjen e imunitetit.
 

Nga ana e tij, presidenti Nishani e vuri theksin në konsolidimin e sistemit gjyqësor si një sfidë vendimtare për vendin.  Kryetari i Shtetit e siguroi Kreun e Prezencës së OSBE-së për bashkëpunimin e ngushtë të tij me të gjitha institucionet shtetërore, politike dhe shoqërinë civile në mënyrë të hapur dhe transparente për të dhënë kontributin e tij institucional në zhvillimin demokratik dhe funksionimin efikas të institucioneve demokratike.

Kreu i shtetit gjithashtu ka shprehur mirënjohjen për kontributin e shkëlqyer që OSBE ka dhënë për Shqipërinë dhe institucionet e saj në procesin e tyre të reformimit dhe të zhvillimit demokratik.

Presidenti vlerësoi mbështetjen e OSBE-së dhe bashkëpunimin e ngushtë me ODIHR-in dhe ekspertët e tij në kuadër të reformës zgjedhore, e cila u përmbyll me sukses gjatë këtij muaji. Presidenti nënvizoi gjithashtu kontributin personal të Ambasadorit Volfart dhe vlerësoi rolin e tij për gjetjen e konsensusit politik, si në rastin e reformës së Kodit Elektoral dhe vijimin e punës për projektligjin për heqjen e imunitetit.

Ai shprehu bindjen se OSBE do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me institucionet shqiptare për të forcuar shtetin e së drejtës dhe demokratizimin e mëtejshëm të institucioneve të vendit, brenda mandatit të Prezencës së saj në Shqipëri dhe garantoi gjithashtu bashkëpunimin e tij institucional në këtë drejtim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›