Berisha: Rekordi, ogur për fitoren në 2013
Kryeministri Sali Berisha ka thyer dje rekordin e tij personal në not. Edhe këtë vit, kreu i qeverisë ka zgjedhur bregdetin e Dhërmiut për të kaluar një fundjavë pushimi. Berisha është fotografuar dje duke notuar në det dhe ndryshe nga herët e tjera, në kokë ai mbante një kapele të bardhe me logon e flamurit shqiptar. Në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave thuhet se: I frymëzuar nga shpirti olimpik, Kryeministri Berisha, i cili kaloi të dielën me mbesat dhe nipërit në Dhërmi, vendosi një rekord të ri personal, 141 minuta not, në ujërat e mrekullueshme të detit Jon. Një vit më parë, rekordi i Kryeministrit ishte 132 minuta not po në brigjet e Dhërmiut. Noti filloi në orën 9:10 dhe përfundoi në orën 11:31 minuta. Kryeministri këtë vit ka notuar 9 minuta më shumë se një vit më parë, ndërsa në njoftimin e Këshillit të Ministrave thuhet se ai do të tentojë sërish një rekord të ri gjatë muajit gusht. Po ashtu, Berisha e ka cilësuar këtë rekord si një ogur të mirë për fitoren e zgjedhjeve të vitit 2013. Kryeministri tha se Zëri i detit Jon më tha se ky rekord i ri personal është një ogur i bardhë për fitoren e merituar të zgjedhjeve të 2013-s. Ndonëse ky rekord i ri i Kryeministrit Berisha është historik, ai beson se në gusht mund të shënojë një tjetër rekord. Pushimi në Dhërmi gjatë sezonit veror për Kryeministrin Berisha është kthyer në një ritual pothuajse të përvitshëm, thuhet në njoftimin e qeverisë. Ndërkohë që ky rekord i shefit të ekzekutivit nuk ka shpëtuar nga komentet e socialistëve. Nënkryetari i Grupit të PS-së, Eduard Shalsi, ka nxjerrë nga arkivi i tij një fjalim të mbajtur në Parlament për ligjin e peshkimit. Sipas Shalsit, rekordet e Kryeministrit janë jo në not, por në pluskim, pra qëndrim mbi ujë, për të njohur më mirë botën e peshqve. A thua vallë të jetë shpresë ajo që po thonë nën zë disa përfaqësues të PD-së, apo dhe specialistë të midhjes dhe peshkut, se në pamundësi për të notuar, pluskimi i gjatë i përvitshëm me rekorde i Sali Berishës në det, nuk është në fakt një hob i ri i Kryeministrit, ashtu siç mendojnë shumë vetë, por një përpjekje serioze e tij për tu familjarizuar dhe për të kuptuar botën e peshqve, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Shalsi.