E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, Topalli: Më 6 gusht është koha për të votuar

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka ftuar opozitën të votojë më 6 gusht për heqjen e imunitetit, duke shtuar se është momenti i duhur për të votuar duke kujtuar se refuzimi i kësaj nisme do të mbarte përgjegjësi politike.

Duke vlerësuar dëgjesën për ndryshimet kushtetuese për këtë çështje si më të rëndësishme dhe më pozitiven në gjithë këto vite, ajo ka theksuar se data 6 gusht është koha për të votuar.

“6 gushti është momenti për të votuar, jo për të folur, jo për ta zgjatur më. Është momenti për të votuar ato ndryshime për të cilat ka filluar diskutimi prej 9 vitesh,. Nëse gjatë kësaj kohe nga opozita është folur për kulturën e pandëshkueshmërisë, ajo duhet t`i qëndrojnë diskutimeve për këtë çështje. Kemi 9 vite që flasim, duhet të votojmë” tha ajo.

Deklarata e kryeparlamentares u bë gjatë një konference për shtyp me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë Abdulkarim Al Doghmi ku Topalli vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Jordanisë ndërsa theksoi se do të intensifikohet bashkëpunimi mes dy vendeve edhe në fushën ekonomike.

“Kjo është një ditë historike pasi kjo është vizita e parë e një niveli të lartë politik nga Jordania që viziton Shqipërinë. Kjo vizitë do të bëjë të mundur nxitjen dhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare dhe politike si një mundësi për ti hapur rrugën zhvillimeve ekonomike mes dy vendeve, kulturore dhe rritjes së shkëmbimeve tregëtare” theksoi Topalli.

Nga ana e tij kreu i dhomës së përfaqësuesve të Jordanisë Abdulkarim Al Doghmi e ka cilësuar si mbresëlënëse vizitën në Shqipëri. Ai ka theksuar se në të ardhmen do të ketë intensifikim të marrëdhënieve duke hedhur hapa konkretë në ato fusha që janë me interes të përbashkët. 

 “Pavarësisht se është vizita e parë e ndjej veten si në shtëpinë tonë dhe shpresojmë se ka shumë gjëra të përbashkët që na lidhin ne dy popujt dhe marrëdhëniet tona do të vijojnë në një stad tjetër në të ardhmen. Folëm edhe për disa hapa konkretë për intensifikimin e marrëdhënieve tona në të ardhmen” tha Al Doghmi.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë Sh.T.Z. Abdulkarim Al Doghmi do të takohet me Presidentin Bujar Nishani me kryeministrin  Sali Berisha si dhe me Ministrin e Jashtëm Edmond Panariti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›