“Imuniteti”, Berisha i përsërit apelin Ramës: Të votojmë draftin konsensual në 6 gusht
Kryeministri: Rama privatisht thotë se s’është penduar për ndryshimet kushtetuese
Edhe sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha i përsëriti apelin Ramës, për heqjen e imunitetit në 6 gusht. Kryeministri vuri në dukje se kjo datë nuk është arbitrate sikundër përpiqet ta servirë Partia Socialiste, por është një limit që përcakton Rregullorja e Kuvendit sipas vetë propozimeve të socialistëve në vitin 2008, që ndryshimi i Kushtetutës të ecte sipas një kalendari të mirëpërcaktuar për të shmangur ndërhyrjet e nxituara. “Kam një ftesë të re për zotin Rama për të votuar më datën 6 gusht projektin e përbashkët për kufizimin e imunitetit. Dua t’i informoj qytetarët se data 6 gusht nuk është arbitrare po është miratuar në Kuvend pa asnjë kundërshtim dhe detyrohet nga një nen që është vendosur në rregullore nga deputetët e PS-së. Pasi pati kritika se u veprua me shpejtësi në 2008-ën deputetët socialistë si një reflektim i këtyre kritikave sollën këtë nen që përcakton afatin kushtetues. Neni dikton procesin kushtetues i cili është procesi më serioz që ka një parlament dhe ndryshimi është i përcaktuar në rregullore. Neni i ardhur nga PS-ja pas përfundimit të raportit brenda 2 ose 3 javëve duhet të votohet dhe kjo ka koresponduar me datën 6 gusht”- u shpreh Berisha.
Kryeministri zbuloi dhe një detaj gjatë takimit të tij me Ramën në procesin e bisedimeve për presidentin për të dëshmuar se Rama ndryshe nga ç’thotë publikisht, nuk është penduar për ndryshimet kushtetuese të 2008-ës. “Në takimin që kisha në parlament me të, më tha se nuk jam i penduar se, ulet si “haxhpishman” para meje. Kishte deklaruar disa herë jemi ngutur dhe mua më thoshte jo nuk jam i penduar për atë. Si ta kuptoje unë një ditë je i penduar një ditë jo”- tha ai.
Kreu i mazhorancës solli dhe një herë diferencën nga draftet e paraqitura me atë konsensual që PS e miratoi në Këshillin e legjislacionit në parim, nen për nen, por sikundër u shpreh ai, urdhri i Edi Ramës i ndaloi të ngrinin dorën për atë që njihet si votim në tërësi. Berisha përsëriti bindjen e tij se ky proces mbahet peng nga ata që ai i quan, klubi i miliarderëve të PS-së. “Bënë punë të përgjegjshme të dy palët dhe çfarë ndodhi për të faktuar ë mënyrë absolute që këtu janë 3-4 vetë që mbajnë peng imunitetin, njerëzit që u kërkoi që të mbrojnë disa çështje i bindur se nuk do i pranonim sygjerimet dhe se do i bllokonim ne sipas tij. Pasi i pranuam të gjitha, pasi votuam në parim dhe nen për nen u dërgoi me sms ultimatumin që të mos votojnë në tërësi. I çova një mesazhier zotit Xhafa: “kot e ke se nuk do të të lejojë të votosh”. Nuk kishin vërejtje për asgjë, pastaj nuk ishin, sepse nuk ishte Sadriu, Toma, Fideli dhe nënkryetari në hije i asaj partie që defakto është më shumë se nënkryetar”- deklaroi Berisha.
Duke vlerësuar punën e të dyja palëve për hartimin e draftit konsensual, Berisha tha se në këtë pikë të procesit nuk mund të pranohen argumentet e pakuptimta që përdor opozita. “Imunitetin në këtë vend e mbajnë peng 3-4 vetë. Pasi pranuam të gjitha propozimet, pasi votuan në parim dhe nen për nen, më pas thanë se nuk jemi më, sepse nuk ishte Toma dhe Fideli. Njëherë kërkon kushtetutë të pakicës, për të dëshmuar se ruan konceptin e sundimit të pakicës dhe pastaj kur nuk e mbron dot këtë thotë korrupsioni nuk luftohet me heqje imuniteti, po si luftohet? Unë e ftoj të votojë përndryshe do hyjë në Guinness si i “vetmi kryetar i opozitës që e do kryeministrin me imunitet”. Të gjithë e dinë që nuk e ka hallin tek Sali Berisha, të ministrat, por tek klubi i miliarderëve në PS. Në qoftë se zoti Rama mendon se korrupsioni, nuk lehtësohet lufta ndaj tij duke hequr imunitetin, harron se me Kushtetutën e pakicës e çon vendin në greminë. Nuk ka diskutim që një gjykatës para se të marrë një vendim të pa drejtë kundrejt pasurimit të tij të paligjshëm në rast se është pa imunitet mendohet 3 herë, po kështu dhe për një deputet e zyrtar cilido qoftë ai. Nuk ka diskutim që organi i akuzës me gjithë të metat që ka në rast se nuk do të ketë murin e korrupsionit do të ketë kuroja disa herë më të madhe për të bërë ligjin”- tha më tej kryeministri Berisha.
Drafti që pret votën e socialistëve, në tërësi është ai që merr parasysh vetë prozimet e tyre. Demokratët tërhoqën 90% të nismës së tyre, ndonëse besonin se ishte më e thella, por ranë dakord me sugerimet e PS dhe të të pranishmëve në seancë dëgjimore se edhe drafti i opozitës i përgjigjej problematikës.
Kontroll rigoroz për doktoraturat
Berisha ka kërkuar sot një kontroll rigoroz për çështjen e doktoraturës duke theksuar se nuk duhet të pranohet asnjë doktoraturë pa u mbrojtur më parë në prani të stafit kombëtar dhe ndërkombëtar. “Duhet një shqyrtim tërësor i dimensionit ndërkombëtar dhe një kontroll rigoroz për to duhet të bëhet. Ky është një fakor nëse ne duam të rendim drejt cilësisë. Të mos pranohet asnjë doktoratë që nuk zbaton ligjin dhe kriteret. Nuk janë letra inteligjnce, ai që do ta mbroj doktoraturën duhet ta bëj në prani të stafit kombëtar dhe ndërkombëtar. Po vazhduam kështu do gjendemi më shumë doktor shkencash sesa me diploma univeristetesh. Ne jemi që universitetet të shfrytëzojnë kapacitet po doktoratura është një çështje serioze dhe duhet të mbrohet sipas ligjit”- tha ai.
Administratë dixhitale, ministrat t’i kushtojnë rëndësi kabinetit të IT
Kryeministri kërkoi nga anëtarët e kabinetit qeveritar që në emër të transparencës dhe shpejtësisë për qytetarët, të kalohet në administratë tërësisht dixhitale me bazë sistemin e gjurmueshmërisë duke shtuar se në këtë mënyrë asgjë nuk do të lejohet të myket në skutat e burokracisë. “Vendosja e sistemit të gjurmueshmërisë në të gjithë veprimtarinë tonë nga sporteli që dorëzohet dokumenti nga qytetari deri te përgjigja apo sjellja e tij në Kryeministri. Ne duhet të rendim me shpejtësi drejt administratës dixhitale, drejt atij sistemi që bën më transparent këtë administratë, AKSH ka filluar punën dhe ekspertët e tij po punojnë në një projekt pilot, që do të fillojë të zbatohet me KM dhe ministri të tjera”- tha ai. Ai kërkoi nga ministrat riaktivizim të administratës në funksion të këtij projekti të madh. “Nuk ka projekt më të rëndësishëm për veprimtarinë tonë burokratike se sa ky, asgjë nuk mund të myket e të flerë në skutat e burokracisë”.
...