Konflikti për pronësinë, dy të vdekur në Kavajë, plagosen nënë e bir

Konflikti për pronën ka regjistruar viktimat e radhës, por kësaj here në zonën e Malit të Robit në Kavajë. Dy persona kanë mbetur të vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur paraditën e së mërkurës, ndërsa policia ka shpallur në kërkim autorin e krimit, Ardian Traga.
Ndërkohë, që viktimat janë identifikuar si Sulejman Shehu 49 vjec dhe Durim Pashallari 50 vjeç, si dhe janë plagosur nënë e bir, Erjon dhe Blegije Shehu, përkatësisht bashkëshortja dhe i biri i viktimës Sulejman Shehu.
Sipas policisë fillimisht konflikti ka nisur ndërmjet shtetasve Durim Pashallari, roje i objektit ku ndodhi ngjarja (objekt i cili është në pronësi të shtetasit Ardian Traga) dhe Sulejman Shehu, punonjës i një Shoqërie të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike në Tiranë.
Ndërkohë në këtë konflikt janë përfshirë edhe shtetasit Erjon dhe Begle Shehu (kjo e fundit bashkëshortja e Sulejman Shehut), vëllezërit Ardian, Emiljano dhe Erjon Traga, si dhe dy djemtë e Sulejman Shehut, aktualisht te ndaluar nga Policia.
Sipas të dhënave nga policia personat e përfshirë në këtë ngjarje fillimisht kanë nisur të debatojnë me tone të ashpra, më pas gjithçka ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit.
Dyshohet se zanafilla e konfliktit mes viktimës Sulejman Shehu dhe autorit Ardian Traga është një sipërfaqe toke në breg të detit në Malin e Robit në Kavajë, ku të dy ishin këta shtetas ishin pretendues të pronësisë.
Sipas dëshmitarëve të zonës konflikti kishte nisur që në vitin 2005 ku viktima Shehu, pretendonte se një sipërfaqe prej 1.5 hektarësh tokë i takonte atij, por ky vendim është kundërshtuar nga autori i ngjarjes Ardian Targa të cilët kishin hapur dhe një proces gjyqësor në Gjykatën e Tiranës për zgjidhjen e kësaj çështje. Sipas policisë, autori i krimit kishte marrë në pronësi forcërisht tokën vetëm tetë muaj më parë, pasi pretentonte se dispononte të gjithë dokumentacionet si pronarë i ligjshëm i truallit.
Të shtenat e armëve kanë krijuar panik jo vetëm tek banorët e zonës, por edhe tek pushuesit e ardhur nga vende të ndryshme për të kaluar pushimet. Ndërkohë menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.