E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti Feith Te respektohet vendimi i Kushtetueses

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, ka përgëzuar Gjykatën Kushtetuese për vendimin që ka marrë në lidhje me imunitetin e deputetëve ndërsa ka kërkuar nga të gjitha institucionet që ta respektojnë këtë vendim.

Thirrja e shefit civil ndërkombëtar për respektim të vendimit të Kushtetueses vjen pikërisht në ditën kur kjo gjykatë pritet që të publikojë aktvendimin e plotë i cili zhvesh deputetët nga imuniteti dhe i hap rrugë EULEX-it për arrestimin e ligjsvënësve ndaj të cilëve ka një urdhër arrest.

“Unë mendoj se qytetaret duhet të mirëpresin vendimin e qartë, në kohë dhe të kuptueshëm të Gjykatës Kushtetuese. E përgëzoj Gjykatën Kushtetuese për punën që ka bërë dhe kjo gjykatë është autoriteti më i lartë për të interpretuar Kushtetutën. Mendoj se gjykata ka nxjerrë një numër të vendimeve të rëndësishme dhe hapi i fundit është shembull i zhvillimit pozitiv”- tha Feith.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e publikimit të një raporti për zonat e veçanta të mbrojtura për trashëgimi kulturore e fetare në Kosovë, Feith e ka vlerësuar si zhvillim pozitiv vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk ka dashur që të komentojë mbi arrestimin e mundshëm të deputetëve ndaj të cilëve po zhvillohen hetime.
“Nuk është kompetencë imja. Është në duart e prokurorëve të Kosovës dhe EULEX-it për të menduar hapat e ardhshëm”- tha Feith.

Kreu i ICO-s ka mbështetur edhe njëherë hapat që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›