E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, Rama kërkon proces, akuzohet nga maxhoranca

Nënisje të fjalës së tij para grupit parlamentar, Rama akuzoi Imamin se po përgjon opozitën. “Është personalisht Ministri i Mbrojtjes që ka urdhëruar në shkurt të vitit 2011 blerjen e një pajisjeje me vlerë 1.586.000 euro për të përgjuar kundërshtarët e qeverisë. Kjo pajisje në fakt kushton vetëm 400.000 euro dhe blerja e përdorimi i saj nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë, është në kundërshtim të plotë me ligjin shqiptar për përgjimet. Edhe thjesht nga ana e abuzimit me vlerën kjo është një vepër e mirëfilltë penale. Por, përtej abuzimit me vlerën si abuzim me Kushtetutën dhe me ligjin është përsëri vepër e mirëfilltë penale. Për faktin se, përmes vënies në përdorim të paligjshëm të kësaj pajisjeje është përgjuar e vazhdon të përgjohet opozita, kjo është akoma më keq, është një atentat ndaj Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Rama tha se dje i ka dorëzuar Trojkës së Ambasadorëve vizionin e Partisë Socialiste për ndërhyrjen në Kushtetutë lidhur me imunitetin.

“Qëndrimi ynë është i qartë dhe është i palëkundur: Jemi dakord me nevojën për kufizimin e imunitetit dhe do ta votojmë kufizimin e imunitetit pasi të jetë realizuar një proces publik, transparent, gjithëpërfshirës, për ndryshimin e Kushtetutës. Nga ana tjetër, ne nuk do bëhemi pjesë e asnjë goditjeje të përqendruar për një arnim të ngutur kushtetues dhe as do të lejojmë, që kufizimi i imunitetit të bëhet shtysë për hapjen e një sezoni të ri gjuetie shtrigash në prag të zgjedhjeve të ardhshme”, tha Rama.

Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi I kryeministrisë, e cila me anë të zëdhënëses Erla Mëhilli deklaroi se kryesocialisti Edi Rama nuk i voton ndryshimet në kushtetutë për imunitetin, pasi kërkon të bllokojë statusin.

“Heqja e  imunitetit për qeveritarët, deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë të lartë të vendit është sot, kërkesa më themelore për Shqipërinë, klasën e saj politike dhe çdo shqiptar nga Komisioni Evropian dhe 28 vendet anëtare, që të votojnë për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për vend anëtar të Bashkimit Evropian.

Pikërisht dje, pas takimit me zotin Rama, ku  paraqitën kërkesën për Partinë Socialiste për heqjen e imunitetit, treshja e ambasadorëve deklaroi haptas dhe pa dorashka para mediave se heqja e imunitetit për ministrat, deputetët, gjykatësit dhe zyrtarët e tjerë të lartë të vendit ka rëndësi përcaktuese dhe vendimtare për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria.

Por heqja e imunitetit për ministrat, deputetet, gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë të lartë ka rëndësi vendimtare në luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit, këtij kanceri të vërtetë social që çdo ditë, nëpërmjet sëmundjeve, papunësisë, mjerimit ekstrem që shkakton merr jetën, fëmijërinë dhe rininë e qindra dhe mijëra qytetarëve të pafajshëm”, tha Mëhilli.

“Zoti Rama nuk voton heqjen e imunitetit vetëm e vetëm që të bllokojë për të tretën herë marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat dhe të dënojë ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, ëndrrën evropiane. Zoti Rama, pra, kërkon pazare dhe bllokime për interesa të ngushta personale politike  dhe nuk pyet për interesat jetike të integrimit europian  të të rinjve, burrave dhe grave të këtij vendi. Ai nuk dëgjon zërin e qytetarëve, por diktatin e këshillit të miliarderëve me imunitet që e rrethojnë. Kryeministri i bën thirrje zotit Rama të gjejë kurajën për të dëgjuar zërin e qytetarëve të thjeshtë dhe jo diktatin e miliarderëve të partisë së tij dhe të votojë heqjen e imunitetit”, tha Mëhilli.

                                                                                             2012-07-17 16:41
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›